Krahas emrit të piktorit shijakas Agim Faja, etj. si ilustrator i nderuar, u rreshtua edhe Musa Qarri
• Duke qenë bir i kartoleristit të parë të qytetit, ku shiteshin librat e të gjitha llojeve, në familjen e tij ishte krijuar një mjedis intelektual i dallueshëm. Më vonë, pas kryerjes së studimeve në shkollën e mesme artistike “Jordan Misja” dhe më pas në Institutin e Lartë Arteve në kryeqytet, Musai pati fatin të punojë si piktor – grafist në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, ku ju dha mundësia të bëhet ilustrator i dhjetra e dhjetra librave të autorëve tanë e të huaj
SHPENDI TOPOLLAJ
Edhe pse shumë rrallë shfaqej në veprimtari të ndryshme, në mediat e shkruara apo ekranet e TV, emri i Musa Qarrit gjithmonë përmendej me respekt të veçantë, si në qytetin e Kavajës ku kaloi pjesën më të madhe të jetës qysh nga lindja në vitin 1943, apo në Durrës, ku u vendos pas viti 97 – ës, ashtu edhe në të gjithë Shqipërinë. Dhe kjo, jo vetëm sepse ai ishte njeri dhe intelektual me vlera të larta, por se kontributi që ai dha në profesionin e piktorit – grafist, ka qenë aq i madh dhe cilësor, madje do të thoshja edhe i veçantë, sa edhe ata që nuk e kanë takuar personalisht ndonjëherë, e kanë njohur nga revistat, gazetat, librat dhe ekspozitat e tij të shumta.
Tani që ai artist i dashur për të gjithë, u nda nga jeta, mbetet sërish i pranishëm, falë përmbledhjes së veprave kryesore të tij, në një album dinjitoz, botuar shtatë vjet më parë nga Shtëpia Botuse EMAL e drejtuar nga miku i tij, kavajasi Astrit Muça.
Ndofta është më e lehtë që ta kërkosh suksesin në artin e të pikturuarit te ngjyrat, sikurse kanë bërë shumica e piktorëve ndër shekuj. Por kuptohet se kërkon shumë mjeshtëri arritja e këtij suksesi në grafikë, ku kryesisht operohet me dy ngjyra në dukje përjashtuese; bardh e zi dhe ku përsosmërisë dhe harmonisë nuk i kushtohet ndonjë vëmendje e veçantë.
Dhe ja, pikërisht këtij arti i dha më shumë hapësirë, pas rekomandimit të pedagogut të tij, që e kanë quajtur mjeshtër i peizazheve kubiste, Ksenofon Dilo, edhe Musa Qarri. Ai e kishte të qartë se në artin e grafikës, i gjithë përqendrimi i artistit duhet të ishte te vërtetësia e asaj që pasqyrohej, mesazhi ndofta dhe i fshehur që do të jepte, dhe te kultura e cila ishte garancia e vetme e kompozimit me fantazi. Dhe ai i kishte të plota këto cilësi.
Duke qenë bir i kartoleristit të parë të qytetit, ku shiteshin librat e të gjitha llojeve, në familjen e tij ishte krijuar një mjedis intelektual i dallueshëm. Më vonë, pas kryerjes së studimeve në shkollën e mesme artistike “Jordan Misja” dhe më pas në Institutin e Lartë Arteve në kryeqytet, Musai pati fatin të punojë si piktor – grafist në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, ku ju dha mundësia të bëhet ilustrator i dhjetra e dhjetra librave të autorëve tanë e të huaj. Krahas emrit të piktorit shijakas Agim Faja, etj. si ilustrator i nderuar, u rreshtua edhe Musa Qarri.
Duke iu referuar veprave që kanë zënë vend në këtë album, mund të themi se krijimtaria e tij në fushën e grafikës, ndahet në dy faza: ajo e periudhës së realizmit socialist dhe ajo kur si kushdo, edhe artistët patën mundësinë të dalin nga kornizat kufizuese dhe ta tregojnë të plotë talentin e tyre.
Përsa i takon periudhës së parë, përveç qëndrimit besnik ndaj tematikës së kohës, si fjala vjen Elektrifikimit (cikël me të cilin mbrojti diplomën), kooperativave bujqësore, punëtorëve nëpër fabrika, ushtarëve në mbrojtje të Atdheut, dashurisë së të rinjve duke mbajtur distancën “morale”, lavdisë partizane, bollëkut në korrjen e grurit dhe kapjen e peshkut apo vjeljen e duhanit, entuziazmit të aksioneve, kënaqësisë për të shkuar në punë me lopatë në dorë pa zbardhur dita, valleve popullore me opinga, brekushe e qeleshe, na shfaqen edhe shumë portrete, kryesisht fshatarësh. Duhet thënë se askush deri më sot, nuk është marrë me fshatin dhe fshatarët si Musa Qarri. Duket dashuria e tij e madhe për njerëzit e thjeshtë, punëtorë e të ndershëm, çka e tregon edhe çelja nga ana e tij e ekspozitave vetjake në Synej, Kryevidh, Helmës dhe Kavajë, pa folur për ato në Tiranë apo Durrës etj. Por të jemi të drejtë: nuk ka sesi të mos bjerë në sy edhe zhgënjimi i tyre, varfëria e deri dëshpërimi.
Dihet që disa vepra të tijat, të cilësuara si me ndikime moderne, nuk u ekspozuan ndonjëherë, por nuk do të ishte çudi, për zhdanovizmin e kohës që atij të mos i pranoheshin shumë e shumë nga krijimtaria e tij për arsye “ideologjike”, pasi ai nuk na i jep të “bukur” fshatarët as në grup dhe as kur bën portretet e tyre të veçanta. Sot ato marrin përmasa dhe vlerësime shumë më të mëdha, pasi na e japin besnikërisht kohën kur gënjeshtra dhe demagogjia ishin në rend të ditës edhe në art. Ndofta qe i pari vetë Van Gogh ai që nuk e kurseu në portret as mikun e tij, për të mbërritur kulmin me Edvard Munch. Profesori i nderuar Kujtim Buza kujton se Musai qysh student joshej nga krijimaria e gjermanes Kathe Kollëitz, që admironte të varfërit, Franc Mazarelit apo meksikanëve të shquar në grafika, që i gjente atje në bibliotekën e Institutit.
Po të shohësh grafikat e tij “Druvari”, “Nxënësit e varfër”, “Mjerimi” (1973 dhe tjetra 1975), “Mësuesi i dëshpëruar”, “I pashpresë”, “I revoltuari”, “Duam bukë”, “Roja i kooperativës” etj. nuk je në gjendje të dallosh se cilës kohë i referohen, pasi ato ishin pjesë e qënësishme edhe e realitetit socialist. Sjell në kujtesë veprën në skulpturë të Ernst Balach i cili jetoi edhe pesë vjet pas ardhjes në pushtet të nazizmit, me titullin “Mëshirë”, ku duart kockë e lëkurë të lypses, të skalitura qysh në 1919, janë të vlefshme për çdo kohë.
Në periudhën e dytë, pra pas viteve 90 – të te krijimtaria e Musa Qarrit bije në sy simbolika. Ka aty me bollëk art modern, bashkime në dukje të habitshme, por që të bëjnë të vrasësh mendjen dhe mbi të gjitha, daljen në pah të shpirtit të tij të lirë. Tani ka të tjera zhvillime, ndaj arti nuk ka mëshirë për kërkënd apo drojë nga askush. Kështu, ja vlen të tallesh si te “Vallja e tufëzimit” ku jo vetëm lopëve, por edhe njerëzve u kishin dalë brinjët nga mosushqyerja nën hijen e parrullës “Rrot sh Enver”, dhe më tej, ka edhe grafika nga aktualiteti, krijuar me çdo teknikë që pranon, ajo: “Kavaja, lokomotiva e demokracisë”, “Ikje nga skëterra”, “Maskat”, “Rrëmbyesit e diellit”, “Guri i rëndë në vend të vet”, etj., por ka edhe shumë tablo me ngjyra, ku përfundimisht kupton se autori është i pajisur me dije të thella. Kjo vërehet menjëherë te figuara në role e kavajasit emërmadh Aleksandër Moisiu, te vepra të ndryshme teatrale, te piktori – filozof i njohur për aforizmat e tij të mençura, mauriciani Malcolm de Chazal (1902 – 1982), te cikli me ilustirme i novelës së Viktor Ridit “Leopardi” apo edhe në fragmente nga mitologjia, si Sizifi. Kjo pjesë e krijimtarisë së tij ende e padeshifruar në modernitetin e tij të pakoduar, sipas shkrimtarit erudit të Kavajës që u largua shpejt nga jeta Abdulla Tafa, mbetet ende për t`u diskutuar nga ana e kritikëve të mirëfilltë të artit.
Një nismë të tillë e ka ndërmarrë me sukses piktori Muhamed Malilaj i cili ka analizuar me dashuri dhe kompetencë profesionale disa nga veprat e tij, analiza të përfshira në faqet e këtij albumi, sikurse kanë dhënë konsideratat e tyre edhe plot piktorë apo shkrimtarë të tjerë, miq të tij si Abaz Hado, Nazmi Roli, Durim Çaça, Gëzim Kabashi, Stefanaq Sotja. Dhe të gjithë theksojnë se Musa Qarri, përveç se një piktor – grafist i përmasave kombëtare, ishte mbi të gjitha një njeri me shpirt të madh e të ndjeshëm, që e donte vendin dhe popullin e tij me gjithë zemër, një artist që e kërkonte dhe e gjente në çdo kohë e në çdo rrethanë të bukurën. Një artist që zbatonte porosinë e pavdekshme të Mikelanxhelos se “Pikturohet me tru e jo me duar”.