Kryesia e OBVLP dënon më ashpërsi deklaratën shokuese të çmendurës së Beogradit zyrtar Paunoviç
• TATJANA PARLLAKU ÇARKAXHIU: OBVLP vlerëson se UÇK është simboli i rezistencës për mbrojtjen e trojeve etnike shqiptare. Bashkë me mbështetjen e NATO-s çliruan njëherë e përgjithmonë tokën ilire të Kosovës
Kryesia e OBVLP ka reaguar ashpër ndaj deklaratës shokuese të ministres serbe për administraten publike dhe qeverisjen vendore Snezhana Paunoviç, për spastrimin etnik në Kosovë, duke e konsideruar atë një këmbanë alarmi për gjithë trojet etnike shqiptare.
Armatosja e Serbisë duhet të zgjojë nga gjumi institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë, duke përgatitur një plan kombëtar mbrojtje nga sllavo – komunistët serbë që tokat ilire të jenë të mbrojtura dhe të jetojnë në liri.
Kryetarja e OBVLP Tatjana Parllaku Çarkaxhiu, në reagimin e saj në rrjetet sociale, ndër të tjera shprehet se “gjuha e përdorur nga kjo ministre e lajthitur e qeverisë sërbe, tregon se serbët nuk deshirojnë plan paqeje me shqiptarët, me garancinë e BE dhe SHBA, por duan konflikte në Ballkan e me gjerë”.
Lufta e UÇK-së, dhe ndërhyrja ushtarake e NATO-s ndaj Serbisë në vitin 1999 janë lufta më epokale në historinë e civilizimit botëror, ku populli shqiptar i Dardanisë, i okupuar nga sllavët serbë të ardhur nga skarpatet e Rusise, mbajtën nën terror mbi 100 vite këto troje ilire, u ngrit kundër pushtuesit gjakatar serb.
OBVLP vlerëson se UÇK është simboli i rezistencës për mbrojtjen e trojeve etnike shqiptare. Bashkë me mbështetjen e NATO-s çliruan njëherë e përgjithmonë tokën ilire të Kosovës.
“Kjo deklaratë e një mistres serbe, në kulmin e absurdit dhe të çmendusisë së saj tregon se Serbia zyrtare nuk do as paqe dhe as integrim në BE. Serbët e sojit të Snezhana Paunoviç duan vetëm vellain e tyre, Putinin. Ndaj BE duhet të refuzojë çdo lloj ndihme për Serbinë dhe të dënojë me forcë genocidin e tyre në trojet autoktone shqiptare. Kombi shqiptar duhet të bashkohet rreth flamurit kuq e zi, si në kohen e Kastriotit ndaj sfidave që e presin në shekullin e 21-të” –shprehet kryetarja e OBVLP.
Kryesia e kësaj organizate i bën të ditur të çmendurës së Beogradit Paunoviç se Kosova shtet i lirë dhe Sovran është realitet i pakthyeshëm.
Kosova shpall persona non grata ministren serbe Paunoviq
Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, mori vendim dhe e shpalli persona non grata ministren e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snežana Paunoviq, duke ia ndaluar në mënyrë të përhershme hyrjen apo kalimin tranzit përmes Kosovës. Këtë vendim ministri i Brendshëm i Kosovës e mori të martën vonë (14.07.2026) pas një deklarate të ministres serbe Paunoviq, e cila një ditë më parë deklaroi për mediet në Serbi “se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit do ta spastronte etnikisht Kosovën më 1998”. Kjo deklaratë e ministres serbe nxiti reagime të ashpra në Kosovë dhe Bruksel. Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, në vendimin e tij thotë se “gjuha e Paunoviqit është vazhdimësi e një politike shtetërore që për shumë dekada ka prodhuar dhunë.”
“Kjo gjuhë dhe kjo aspiratë e shpërfaqur nuk është e re. Ajo është vazhdimësi e një politike shtetërore që për shumë dekada ka prodhuar dhunë, krime dhe përpjekje për zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e tyre. Urrejtja e tillë e vazhdueshme, e shprehur me tone kërcënuese ndaj rendit kushtetues dhe sovranitetit të Republikës sonë nga ministrja në fjalë, është e papranueshme dhe duhet të dënohet ashpër nga shtetet dhe shoqëritë demokratike që mbrojnë paqen, të drejtat e njeriut dhe nuk tolerojnë retorikë e sjellje që nxit urrejtje, destabilizim dhe përsëritje të politikave kriminale të së kaluarës”, thuhet në vendim.
QEVERIA E KOSOVËS KËRKON REAGIM MË TË ASHPËR NGA TIRANA ZYRTARE
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka komentuar deklaratat e ministres serbe mbi spastrimin etnik të Kosovës, si dhe ka kërkuar, sipas tij, një reagim më të madh nga Shqipëria.
“Patjetër, duke qenë se Shqipëria është vendi amë i shqiptarëve dhe duke qenë se në vetë Kushtetutën e Shqipërisë është obligim mbrojtja e shqiptarëve dhe interesave të tyre, unë pres më shumë.
Do të thotë që unë pres një reagim faktik, aktiv ndaj këtyre kërcënimeve. Për shkak se këto nuk janë deklarata, këto janë edhe kërcënime, të cilat bazohen në të kaluarën, siç e thashë, shumë të dhimbshme tonën, edhe në sjelljen e Serbisë.
Unë besoj se reagimi i Shqipërisë duhet të jetë më konkret dhe më aktiv. Kjo ka qenë deputete, ku ka qenë pjesë e Grupit të Miqësisë Serbi–Shqipëri, në të cilin, fatkeqësisht, kanë marrë pjesë shovinistë serbë.
Duhet një demaskim i kësaj sjelljeje dyfytyrëshe të Beogradit, sepse nuk ka probleme me Kosovën, por probleme me shqiptarët”, tha Sveçla për Euroneës Albania.
DEKLARATA E PAUNOVIÇ, TRONDITËSE DHE FYERJE PËR VIKTIMAT E LUFTËS
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha me anë të një postimi në rrjetet sociale, i ka cilësuar si të papranueshme dhe fyese deklaratat e ministres serbe për Administratën Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviç për një spastrim të madh etnik në Kosovë.
Deklarata e një anëtari të qeverisë së Serbisë është e papranueshme, tronditëse dhe një fyerje e rëndë për viktimat e luftës. Ato minojnë përpjekjet për pajtim dhe bashkëpunim, ushqejnë mosbesimin dhe urrejtjen, si dhe rihapin plagë që ende nuk janë shëruar. Procesi i normalizimit dhe i pajtimit, për të cilin Kosova, Serbia dhe i gjithë rajoni kanë aq shumë nevojë, kërkon para së gjithash përgjegjësi, reflektim dhe guxim për t’u përballur me të kaluarën”, shprehet kryediplomati shqiptar.
Në mediat serbe, ministrja Paunoviç lëshoi një deklaratë skandaloze duke u shrpehur se “Për të metat dhe budallallëkun tonë, nëse do të kisha qenë e lirë si Millosheviçi, do ta kisha pastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998″.
MINISTRI HOXHA I KËRKON HOMOLOGUT SERB TË HEDHË POSHTË RETORIKËN QË NXIT TENSIONE
17 korrik 2026- Gjatë qëndrimit të tij në Uashington, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha u takua në margjinat e Ministerialit për rikthimin e terrorizmit politik me Ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriç, të cilit I kërkoi të hedhë poshtë retorikën që nxit tensione.
Të dy ministrat shkëmbyen mendime mbi zhvillimet aktuale dhe perspektivat e ardhshme.
Në një postim në rrjetin social X, Hoxha njoftoi se gjatë takimit ripërsëriti qëndrimin e Shqipërisë në lidhje me deklaratat e papranueshme të një anëtareje të Qeverisë së Serbisë për Kosovën.
“Gjithashtu përsërita qëndrimin e qartë dhe të vendosur të Shqipërisë në lidhje me deklaratat e papranueshme dhe të papërgjegjshme të bëra së fundmi të një anëtareje të Qeverisë së Serbisë, si dhe theksova nevojën për të hedhur poshtë pa mëdyshje, retorikën që nxit tensionet, minon stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal dhe që bie ndesh me frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe vlerave evropiane.
Kjo është ajo që përfaqëson diplomacia: angazhimi në dialog të hapur, shikimi i njëri-tjetrit në sy, përballja me realitetin dhe adresimi i dallimeve me përgjegjësi“, shkruan Hoxha.
Edhe kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës skandaloze të ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviç, për “spastrim etnik” të Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, të enjten e 16 korrikut, Rama theksoi se Shqipëria ka reaguar zyrtarisht përmes ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, duke shtuar se një shtet që respekton veten nuk ka pse të përgjigjet ndaj çdo deklarate provokuese që vjen nga Beogradi.