Nga Nexhbedin Basha*
Kur dëgjova deklaratën e ministres serbe Snezhana Paunoviq, ministre e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, se sikur të kishte qenë në vitin 1998 do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”, para syve m’u shfaq si një shirit i gjatë filmik historia e dhimbshme e shqiptarëve të Kosovës.
Mendja më udhëtoi larg në shekuj, që nga Beteja e Kosovës e vitit 1389, e deri te ngjarjet më tragjike të kohëve moderne. M’u kujtuan spastrimet etnike, dëbimet, burgosjet, masakrat dhe përpjekjet e vazhdueshme për të zhdukur identitetin shqiptar në Kosovë.
M’u shfaqën vitet pas 1913-ës, kur, pas copëtimit të trojeve shqiptare, ushtria e Mbretërisë së Serbisë dogji shtëpi e katunde, vrau burra, gra e fëmijë, plaçkiti pasuritë dhe detyroi mijëra shqiptarë të merrnin rrugët e mërgimit. Shumë prej tyre gjetën strehë në Shqipëri. Edhe sot, në Tiranë, Durrës, Shijak, Fier e qytete të tjera jetojnë pasardhës të atyre familjeve kosovare që u detyruan të largoheshin nga trojet e tyre për t’i shpëtuar dhunës.
Më kujtohet pranvera e vitit 1981, kur studentët e Universitetit të Prishtinës dolën në rrugë me kërkesën “Kosova Republikë”. Demonstratat u shtypën me dhunë; policia përdori gaz lotsjellës, mijëra të rinj u arrestuan, u dënuan me burgje të gjata dhe filloi një valë e re represioni ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Pastaj vijnë vitet 1998–1999, plagët më të freskëta të kujtesës sonë. Karvanët e pafund të shqiptarëve të dëbuar me forcë nga shtëpitë e tyre, kolonat e refugjatëve që kalonin kufirin drejt Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, fëmijët në krahët e nënave, pleqtë që ecnin në këmbë me ditë të tëra, shtëpitë e djegura, varret masive dhe mijëra viktima të pafajshme. Ishte një nga spastrimet etnike më të rënda në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Prandaj, kur edhe sot një ministre e një shteti evropian shpreh nostalgji për një krim të tillë, ajo nuk fyen vetëm shqiptarët e Kosovës. Ajo fyen kujtesën e viktimave, sfidon të vërtetën historike dhe cenon vetë parimet mbi të cilat është ndërtuar Evropa moderne: paqen, dinjitetin njerëzor dhe parimin se krime të tilla nuk duhet të përsëriten kurrë.
Historia nuk mund të ndryshohet me deklarata, por deklaratat mund të helmojnë të ardhmen. Pikërisht për këtë arsye, kujtesa historike nuk është hakmarrje; është detyrim moral për të mos lejuar që tragjeditë e së kaluarës të kthehen në realitetin e brezave që vijnë.
Më kujtohen edhe ditët e para të eksodit. Më kujtohen dëshmitë tronditëse të dhjetëra kosovarëve që mbërritën në Kukës, të rraskapitur nga udhëtimi i detyruar, me sytë e mbushur me lot dhe me dhimbjen e lënies pas të shtëpive, familjarëve e të afërmve. Tregonin për kolonat e gjata të dëbimit, për shtëpitë e djegura, për njerëzit e vrarë, për dhunën e ushtruar vetëm pse ishin shqiptarë.
Më pas, e gjithë Shqipëria u bë një shtëpi e madhe për ta. Në Kukës, Tiranë, Durrës, Dibër, Fier, Vlorë, Gjirokastër e pothuajse në çdo qytet e fshat të vendit, familjet shqiptare hapën dyert dhe zemrat për vëllezërit e motrat nga Kosova. Ishte një solidaritet që do të mbetet përgjithmonë një nga faqet më të ndritura të historisë sonë kombëtare. Edhe familja ime pati fatin dhe nderin të strehojë një familje kosovare. Më kujtohet vogëlushja tetëvjeçare, Fitore, e cila, edhe pse mbante mbi supe peshën e luftës, ruante pafajësinë e fëmijërisë. Për muaj të tërë ata nuk ishin mysafirë; u bënë pjesë e familjes sonë, duke ndarë me ne sofrën, gëzimet, shqetësimet dhe shpresën se një ditë do të ktheheshin të lirë në shtëpitë e tyre. Si gazetar, më kujtohen pamjet që nuk harrohen kurrë: masakra e Reçakut, varret masive të zbuluara pas luftës, dëshmitë e të mbijetuarve, fshatrat e shkatërruar, mijëra civilë të vrarë dhe krimet që tronditën ndërgjegjen e botës. Shumë prej këtyre krimeve kundër njerëzimit ende presin drejtësi të plotë. Edhe sot, shumë familje vazhdojnë të kërkojnë fatin e të afërmve të zhdukur, ndërsa një kërkimfalje e qartë dhe e sinqertë për vuajtjet e shkaktuara ende mungon.
Më kujtohen përpjekjet diplomatike të sekretares amerikane të Shtetit, Medlin Olbrajt, për të shmangur luftën dhe për të gjetur një zgjidhje paqësore. Kur ato përpjekje dështuan, ndërgjegjja demokratike e botës nuk mund të rrinte më në heshtje përballë tragjedisë që po zhvillohej në Kosovë.
Më kujtohet qëndresa heroike e Komandantit Legjendar dhe sakrifica e pothuajse të gjithë familjes Jashari në Prekaz. Ajo nuk ishte thjesht një betejë; u shndërrua në simbolin e vendosmërisë së një populli për të jetuar i lirë në trojet e veta.
Më kujtohen edhe luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët morën armët me bindjen se po mbronin popullin dhe të drejtën për liri. Proceset gjyqësore ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së zhvillohen në institucionet ndërkombëtare dhe duhet të respektojnë parimin themelor që drejtësia të jetë e paanshme, e bazuar në prova dhe e barabartë për të gjithë. Në të njëjtën kohë, mbetet një kërkesë e ligjshme morale që edhe krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë të hetohen dhe autorët e tyre të mbajnë përgjegjësi.
Prandaj, kur sot dëgjoj deklarata që flasin me lehtësi për “spastrime etnike”, nuk dëgjoj vetëm një fjali. Dëgjoj jehonën e një historie të mbushur me dhimbje, kujtoj fytyrat e refugjatëve, lotët e nënave, fëmijët e mbetur jetimë dhe mijëra jetë të këputura padrejtësisht. Pikërisht për këtë arsye, kujtesa nuk është urrejtje. Kujtesa është përgjegjësi. Sepse vetëm duke mos harruar, mund të sigurohemi se tragjedi të tilla nuk do të përsëriten më.
*Gazetar profesionist&poet –
Tiranë, 14 Korrik 2026