PROF.DR. HAJRI SHEHU

Selim Alliu lindi në katundin Strikçan të qarkut të Dibrës (1914). Mbaroi shkollën fillore në Zerqan dhe pastaj shkollën plotore në Kastriot. (Shkolla qe hpur më 1924). Pas shkollës plotore, Selimi është nxënës në shkollën normale të Elbasanit. (Normalja e Elbasanit qe hapur më 1909). Në shkollë, Selimi u shqua si dashatar i letërsisë. Bënte hartime të bukura. Dhe e zgjodhën anëtar të redaksisë së revistës “Normalisti”, bashkë me Sterjo Spasen e disa të tjerë. Revista ishte e shkollës.
Pas mbarimit të Normales, Selimin e caktojnë mësues në fshatin Pepel të Libohovës. Më pas, në Trebisht të Dibrës. Në vitin 1937-1938 e emërojnë mësues në shkollën ushtrimore të Normales. Emërimi në atë shkollë erdhi nga Ministria e atëhershme e Arsimit. Ishte vlerësim i lartë. Ushtrimorja ishte shkolla fillore ku normalistët, mësuesit e ardhshëm, bënin praktikën mësimore. Kjo do të thotë që mësuesit e ushtrimores zgjidheshin si më të mirët. Në vitet 1940-1942 është inspektor i arsimit në qarkun e Dibrës. Më 1942-1944 është inspektor i arsimit në Dibër të Madhe. Çlirimi i vendit e gjeti mësuesin Selim Alliu në Peshkopi: shef i Seksionit të arsimit të qarkut. Atëherë, në qarkun e Dibrës kishte 59 shkolla fillore e 62 mësues. Asnjë shkollë unike. Analfabetizmi – si kudo në Shqipëri. Me përpjekjet e shefit të arsimit, Selim Alliu, u hap në Peshkopi e para shkollë unike (1 dhjetor 1945). Pastaj, siç dihet, vendi u mbush me shkolla. Arsimi u masivizua. Më 1948 u hap shkolla pedagogjike në Peshkopi. Në vitet ’60 – shkolla e mesme bujqësore e shkolla të tjera të mesme me profile të tjera pa shkëputje nga puna. Në vitin 1964 – shkolla 12-vjeçare. Më pas – gjimnazi i Peshkopisë. Deri në vitin shkollor 1964-1965, në krye të këtij zhvillimi arsimor qe Selim Alliu, Mësuesi i Popullit, mësuesi i mësuesve të Dibrës.
Thashë vetëm këto pak fjalë për mësues Selim Alliun. Ato janë ca copëza për një personalitet të madh të arsimit. Janë copëza që tregojnë shumë. Janë copëza dashurie dhe respekti.
Selim Alliu e gdhendte fjalën. I kam dëgjuar raportet e tij në mbledhjet e përgjithshme vjetore me arsimtarët e rrethit. E kam dëgjuar në takime të tjera me arsimtarët. E kam dëgjuar në këshillin pedagogjik të gjimnazit. Kisha menduar se një njeri i tillë nuk mund të ketë bërë raporte e referate vetëm për arsimtarë e komitete ekzekutive. Po “për vete” a ka shkruar?, – mendoja. Dhe iu vura kërkimit. Zgjodha kohën e shkollës së tij në Normalen e Elbasanit. Dhe shfletova në bibliotekën e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë të gjithë numrat e revistës “Normalisti” dhe gjeta disa. Shkruante adoleshenti dhe rinoshi Selim Alliu. Dhe shkruante bukur. Unë u gëzova për këto gjetje dhe po me atë gëzim ia dhashë Samiut (Sami Shehut). Samiu është ai që ka qenë aq pranë Selim Alliut. Samiu do të bënte librin për Selim Alliun. Përsëri mendova dhe them tani: Sikur ta kishin lënë të shkruante, por jo raporte e referate, Selimi do të kishte qenë shkencëtar, etnograf, shkrimtar. Ani. Nuk është më pak se i tillë. Ka udhëhequr arsimin në Dibër për më shumë se 20 vjet. Me rezultate të shkëlqyera. Dhe, le të shkruajnë të tjerët atë që kanë dëgjuar e kanë parë nga mësues e shef Selimi se është sikur t’i kishte shkruar vetë ai. Nuk ka fshat ku të mos ketë shkelur Selim Alliu. Nuk ka arsimtar që të mos e ketë njohur Selim Alliu. Dhe, sikur të mblidheshin copëza shkrimi nga të gjithë ata, do të krijohej një thyezim (mozaik) i madh, shumëngjyrësh, i ndritshëm, i bukur fort. Do të ishte jeta e gjallë e Selimit.
Do të jetë vetë Selimi: Mësuesi i mësuesve të Dibrës.