Në 82-vjetorin e rënies së dëshmorit Ferit Rustem Hymetllari, familjarë, të afërm dhe anëtarë të Organizatës së Dëshmorëve, Dega Pogradec, vendosën një tufë me lule pranë varrit të tij në Varrezat e Dëshmorëve të Pogradecit.
Ishte një ceremoni e thjeshtë, por me një domethënie të veçantë. Familja Hymetllari kishte zgjedhur të përkujtonte 15 qershorin e vitit 1944, ditën kur Feriti ra dëshmor për Atdheun. Në këtë përvjetor u sollën në kujtesë jo vetëm heroizmi i tij, por edhe sakrificat e mëdha të familjes gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Përfaqësuesi i familjes, Fetah Hymetllari, e vlerësoi këtë nismë si një mënyrë të denjë për të nderuar kujtimin e dëshmorit dhe për të rikujtuar kontributin e prindërve të tij, të cilët vunë gjithçka në shërbim të Atdheut, deri edhe gjakun e djalit të tyre.
Kryetari i Organizatës së Dëshmorëve të Pogradecit, Eqbert Çami, theksoi rëndësinë që ka përkujtimi i ditës së rënies së dëshmorëve, si dhe përkushtimin e vazhdueshëm të familjes Hymetllari për ruajtjen e kujtimit të Feritit. Sipas tij, kjo përvojë e vyer duhet të përshëndetet dhe të shërbejë si shembull, në mënyrë që gjatë gjithë vitit të përkujtohen ditëlindjet dhe ditët e rënies së çdo dëshmori.
Ndërsa prof. Bernard Zotaj, nënkryetar i Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve të Atdheut, vuri në dukje se sakrifica e familjes Hymetllari është bërë pjesë e pandarë e historisë së lavdishme të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ai theksoi se rruga luftarake e Feritit ishte e shkurtër në kohë, por e pasur në heroizëm. Më 15 qershor 1944, gjatë luftimeve të ashpra të zhvilluara në fshatin Kreshisht të Korçës, Ferit Rustem Hymetllari ra heroikisht në përballje me forcat naziste gjermane. Ai ishte vetëm 21 vjeç.
Kujtimi i tij mbetet i gjallë edhe sot. Emrin e dëshmorit e mban shkolla 9-vjeçare e fshatit Alarup, ndërsa një lapidar i ngritur në qendër të fshatit përkujton atë dhe dëshmorët e tjerë të kësaj treve.
Një dëshmi prekëse e respektit dhe dashurisë së familjes për dëshmorin është ruajtja e emrit të tij ndër breza. Njërit prej pasardhësve të familjes iu vu emri Ferit, duke vijuar kështu një traditë të bukur shqiptare që mban gjallë kujtimin e të parëve dhe nderon sakrificat e tyre. Feriti, trashëgimtari i emrit të dëshmorit, krijoi familjen e tij dhe e mban me krenari e dinjitet këtë emër të nderuar.
Në familjen Hymetllari është ngritur edhe një kënd i veçantë kujtese kushtuar dëshmorit. Në të janë vendosur busti i tij, fotografi, dokumente, dëshmia e shpalljes dëshmor, Flamuri i Familjes së Dëshmorit të Atdheut, si dhe botime e materiale që pasqyrojnë jetën, luftën dhe veprën e tij. Ky kënd kujtese është shndërruar në një vatër edukimi patriotik për brezat e rinj të familjes.
Në përfundim të ceremonisë, familjarët dhe anëtarët e Organizatës së Dëshmorëve vendosën lule pranë varrit të dëshmorit dhe mbajtën një minutë heshtje në nderim të veprës dhe sakrificës së tij. Të pranishmit u përkulën me respekt përpara kujtimit të luftëtarit të ri që dha jetën për lirinë e vendit.
Pas ceremonisë përkujtimore, familjarët shtruan një koktej modest, ku u shkëmbyen mendime dhe sugjerime lidhur me ruajtjen, mirëmbajtjen dhe nderimin e vazhdueshëm të figurës së dëshmorit të Atdheut, si pjesë e trashëgimisë historike dhe patriotike që duhet tu përcillet brezave.