86-VJETORI I DITËLINDJES

Gjatë viteve kur qe ministre Tefta Cami, u përgatitën 30 mijë kuadro me arsim të lartë brenda e jashtë shtetit. A mund të ketë bilanc më të madh se kaq për një ministre? Gjatë viteve të ministres Tefta Cami, janë prodhuar çdo vit 18 filma artistikë me tirazh të gjatë, përveç filmave vizatimorë e dokumentarëve nga Kinostudioja “Shqipëria e Re” dhe RTVSH. Janë krijuar e vënë në skenë disa opera e balete dhe shumë drama me temë kombëtare me krijimtari nga krijuesit tanë shqiptarë.

PROF. DR. HAJRI SHEHU

Tefta Cami ka lindur më 15 gusht të vitit 1940 në fshatin Viçisht të Dibrës. Rrjedh nga një familje atdhetare: katër breza të paraardhësve të Tefta Camit kanë rënë dëshmorë e janë shpallur dëshmorë të atdheut: katragjyshi, Mahmut Hidër Cami, vrarë në vitin 1880 nga xhonturqit; më 1916, stërgjyshi, Shaban Mahmut Cami u vra nga forcat pushtuese bullgare; gjyshi, Fetah Shaban Cami u vra nga forcat pushtuese serbe gjatë Luftës së Parë Botërore; babai, Ahmet Fetah Cami e xhaxhai, Fasli Fetah Cami – gjatë Luftës së Dytë Botërore. 10 kushërinj të babait të Teftës janë, gjithashtu, dëshmorë. Të gjithë të shpallur dëshmorë të atdheut me vendim të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit të Dibrës. Familje e madhe atdhetare. Brez pas brezi. Gjithnjë me flamur për të mbrojtur vendin nga të huajt. Vëllai i Teftës, mësues Moisi – deputet i Kuvendit Popullor. Dhe aty, pranë tyre është brumosur Tefta. Me dinjitetin e familjes.
Tefta Cami ka qenë një nga 15 vajzat e para në rrethin e Dibrës, që thyen paragjykimet prapanike dhe vazhduan shkollën 7-vjeçare e të mesme në konviktin e Peshkopisë. Të gjitha shkollat – fillore, 7-vjeçare dhe e mesme pedagogjike – i ka përfunduar me rezultate shumë të mira. Tefta Cami e ka nisur jetën shoqërore-politike që në rininë e saj të hershme: Në vitin shkollor 1958-1959 ka qenë sekretare e komitetit të rinisë për gjithë shkollën e mesme pedagogjike “8 Nëntori” të Peshkopisë.
Pasi ka mbaruar studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës në degën gjuhë-letërsi, ka vijuar Shkollën e Lartë të Partisë dhe kursin e lartë të filozofisë dhe i ka përfunduar me rezultate shumë të mira. Ka bërë disa specializime dhe ka mbrojtur gradën shkencore “kandidat i shkencave” në fushën e historisë së arsimit tonë kombëtar.

MËSUESE, NËNDREJTORESHË DHE DREJTORESHË TE “DEMIR GASHI”: GJITHMONË E PAQTË. GJITHMONË E PËRKUSHTUAR
Në vitin 1964 Tefta filloi punë si mësuese e gjuhës shqipe dhe e letërsisë në gjimnazin “Demir Gashi”, Peshkopi. Më pas, si nëndrejtoreshë e drejtoreshë e atij gjimnazi. Në vitin 1965-1966, unë kam qenë mësues në atë shkollë. Mbaj mend sjelljen e saj shumë korrekte, jo vetëm me kolegët e koleget, por edhe me nxënësit. Gjithmonë e paqtë. Gjithmonë e përkushtuar. Këtë sjellje e kam parë edhe kur u zgjodh sekretare e dytë e komitetit të Partisë në fillim të viteve ’70. Tashmë, si sekretare e komitetit të Partisë, ka ardhur disa herë në mbledhje e takime të veçanta me mësues e mësuese. Përsëri e paqtë. Asnjëherë nuk e ka ngritur zërin. Dhe këshilla e porosia i zinte vend menjëherë. Kur e kam pasur kolege në shkollën “Demir Gashi”, mbaj mend që mësuese Tefta ka qenë kryetare e komisionit të gjuhës e të letërsisë për të gjithë mësuesit e këtyre lëndëve në rrethin e Dibrës. Si mësuese punonte me shumë ndezëlli (zell) e profesionalizëm. Atëherë doli nisma për kalueshmërinë 100 %. Dhe në lëndët që jepte mësuese Tefta, në të gjithë shkollën pati kalueshmëri 100 %. Klasa që kishte në kujdestari mësuese Tefta, në të gjitha lëndët pati kalueshmëri 100%. Për këtë nismë, në vitin 1966 është filmuar klasa e saj në një dokumentar nga Kinostudioja “Shqipëria e Re” nga regjisorja Xhanfize Keko.
Më pas, Tefta ka punuar si redaktore e zëvendëskryeredaktore në gazetën “Ushtima e Maleve”, organ i komitetit të Partisë të rrethit të Dibrës që me krijimin e saj.
Nga viti 1970-1975 Tefta ka qenë sekretare e dytë e komitetit të Partisë të rrethit të Dibrës. Më parë, për gjashtë muaj – kryetare e Bashkimit të Grave të rrethit të Dibrës. Në janar të vitit 1976 deri në dhjetor të vitit 1976 ka punuar si sekretare e parë e komitetit të Partisë të rajonit nr. 1 të rrethit të Tiranës, duke kryer njëherësh edhe funksionin si ministre. Nga prilli i vitit 1976 deri në mesin e vitit 1987 ka qenë ministre e Arsimit dhe Kulturës së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Nga shtatori i vitit 1987 deri në vitin 1991 ka qenë drejtoreshë e Shkollës së Lartë të Partisë dhe pedagoge e lëndës së filozofisë. Një karrierë e spikatur politike dhe shtetërore.

NË 113 VJET TË QEVERISJES SHQIPTARE, TEFTA CAMI ËSHTË MINISTRJA E PARË E KULTURËS DHE MINISTRJA E DYTË E ARSIMIT NË SHQIPËRI
Tefta Cami ka qenë deputete e Kuvendit Popullor në pesë legjislatura dhe për 11 vjet – ministre e Arsimit dhe e Kulturës. Në 113 vjet të qeverisjes shqiptare, Tefta Cami është ministrja e parë e Kulturës dhe ministrja e dytë e Arsimit në Shqipëri. Ajo i ka përfaqësuar zgjedhësit e saj me shumë përkushtim e dinjitet. Në vitet, kur ka qenë ministre Tefta Cami, u ngritën institucione të reja arsimore e kulturore në çdo fshat e kooperativë bujqësore. Edhe në qytete, domosdo. Janë ndërtuar pallate kulture dhe stadiume në shumicën e rretheve. Janë ndërtuar qendra kulturore dhe sportive në çdo uzinë e kombinat dhe në çdo ndërmarrje ekonomike. U ndërtuan Muzeu Historik Kombëtar dhe Ekspozita e Kulturës Popullore në Tiranë në vitin 1981. U ngrit Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë në vitin 1980. U ngritën muze e biblioteka në çdo rreth, në çdo ndërmarrje ekonomike e institucion arsimor e kulturor dhe në çdo kooperativë bujqësore. U ndërtuan shkolla të mesme në çdo kooperativë bujqësore. U ndërtua Stadiumi “Loro Boriçi” në Shkodër; pallati i kulturës e kompleksi sportiv në Bajram Curr e Kukës; pallat kulture në Lushnjë; pallat sporti në Berat; pallat kulture dhe stadium në Vlorë; muze arkeologjik në Durrës, Apoloni dhe Butrint; qendra arkeologjike dhe restauruese të monumenteve të kulturës në Dibër, Berat, Gjirokastër, Shkodër; estrada e teatro profesionistë në 13 rrethe, si edhe teatro e estrada amatore dhe grupe artistike e ansamble artistike në çdo rreth e ndërmarrje ekonomike, kooperativë bujqësore, institucion arsimor e social etj. U ngritën disa orkestra simfonike dhe grupe orkestrore. U krijuan klasat artistike dhe klasat sportive pranë çdo shkolle 8-vjeçare, ku përgatiteshin talentet e reja, si këngëtarë, instrumentistë e sportistë sipas parimit zinxhir: nga moshat e vogla / te shkollat e mesme artistike / tek Instituti i Lartë i Arteve; nga moshat e vogla / te shkollat sportive / tek Instituti i Kulturës Fizike dhe Sporteve. U ngritën shkolla të mesme artistike e sportive thuajse në të gjitha rrethet. Suksesi ishte i Ministrisë dhe i ministres. Gjatë viteve kur qe ministre Tefta Cami, u përgatitën 30 mijë kuadro me arsim të lartë brenda e jashtë shtetit. A mund të ketë bilanc më të madh se kaq për një ministre? Gjatë viteve të ministres Tefta Cami, janë prodhuar çdo vit 18 filma artistikë me tirazh të gjatë, përveç filmave vizatimorë e dokumentarëve nga Kinostudioja “Shqipëria e Re” dhe RTVSH. Janë krijuar e vënë në skenë disa opera e balete dhe shumë drama me temë kombëtare me krijimtari nga krijuesit tanë shqiptarë.
“Në janar të vitit 1980, – shkruan Tefta Cami, – takova Enver Hoxhën dhe i raportova për zhvillimet në sektorët e arsimit, të kulturës dhe të sporteve dhe i parashtrova, përveç të tjerave, edhe nevojat e mundësitë e dërgimit të më shumë studentëve e specializantëve për studime e specializime të mëtejshme jashtë shtetit. Enveri tha: ‘Shkenca është universale, prandaj të dërgoni sa më shumë, për të plotësuar nevojat e vendit!…’ Biseda me Enver Hoxhën është botuar në veprën “Enver Hoxha – Për Shkencën”, II, Tiranë, 1985. “Pas kësaj bisede, – thotë ministrja, – filluam të dërgonim nga 300 studentë e pasuniversitarë jashtë shtetit për çdo vit, kryesisht në vendet perëndimore – Itali, Francë, Austri, por edhe në Egjipt, Algjeri, Turqi e Greqi. Ata sollën në Shqipëri, jo vetëm zhvillimet e shkencave bashkëkohore, por edhe frymën e emancipimit e të demokratizimit të shoqërisë së atyre viteve”.

INSTITUCIONET E LARTA ARSIMORE U BËNË QENDRAT KRYESORE TË STUDIMEVE E TË EKSPERIMENTIMEVE SHKENCORE NË VEND
Gjatë hapjes së Ekspozites “Arti shqiptar në shekuj”, në Romë, me Andreotin, Ministër i MPJ dhe kryetar i KE, në vitin 1985
Institucionet e larta arsimore, si Universiteti i Tiranës e shkollat e tjera të larta u bënë qendrat kryesore të studimeve e të eksperimentimeve shkencore në vend.
Në fushën e albanologjisë u arrit që Tirana të shndërrohej në qendrën kryesore të studimeve albanologjike në Europë e në botë.
Unë kam përjetuar një vendim shumë të rëndësishëm të ministres Tefta Cami: Në fillim të viteve ’80, nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, i Akademisë së Shkencave, me drejtor akademikun Androkli Kostallari, u mor një nismë: Të ndërmarrim një aksion në shkallë vendi për mbledhjen e fjalëve dhe të shprehjeve popullore. Do të përfshiheshin në aksion mësuesit e gjuhës e të letërsisë, mësuesit e gjuhëve të huaja, mësues të tjerë, agronomë, dashamirës të gjuhës etj. Por nisma donte organizim të përsosur që nga shkollat e deri në Institut. Për Institutin ishte drejtori. Për shkollat ishte ministrja. Dhe ministrja, jo vetëm e mbështeti plotësisht Aksionin, por u bë bashkëdrejtuese e tij. Me vizion të gjerë për gjuhën kombëtare dhe për shkencën, me respektin dhe dashurinë për popullin dhe për gjuhën e popullit, me vendim qeveritar, ministrja caktoi për çdo seksion arsimi në rrethe një përgjegjës për Aksionin. Për çdo rreth, përsëri një përgjegjës metodiko-gjuhësor. Me pagë të veçantë. Për çdo grup shkollash – një përgjegjës tjetër. Dhe vargëzimi (konvejeri) funksiononte krejt suksesshëm. Dhe, kur u mbyll aksioni, në Institut kishin ardhur 190 000 njësi (fjalë, kuptime, shprehje etj.) me vlerë letrare ose me vlerë letrare potenciale. Pa vendimin e ministres Tefta Cami, Aksioni do të kishte dështuar. Edhe sikur vetëm kaq të kishte bërë ministrja në karrierën e saj, do të kishte mjaftuar. Imagjinoni sikur të mos kishte ardhur kjo pasuri kombëtare në Kartotekën e leksikut të shqipes, që është Arkivi kombëtar i gjuhës shqipe. Me siguri, sot, me këtë shpërhapjen demografike, do të kishte humbur. Shto edhe arsyen që brezat e brezatarët e atëhershëm nuk do të ishin më.
“Si ministre, – thotë Tefta Cami, – kam drejtuar Projektin Madh Kombëtar të Qeverisë Shqiptare në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës, si edhe në institucionet për marrëdhëniet institucionale arsimore, kulturore e artistike, shkencore dhe sportive midis RPSSH dhe KSA të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare përtej kufirit, për afrimin e shqiptarëve me atdheun amë dhe për ringritjen e ndërgjegjes kombëtare. Ky projekt është realizuar e vlerësuar shumë i suksesshëm, si nga udhëheqësit e RPSSH, ashtu edhe nga drejtuesit e Krahinës Autonome të Kosovës dhe institucionet e tjera të viseve të tjera shqiptare përtej kufirit, si në Maqedoninë e Veriut e në Mal të Zi. “Enver Hoxha, – thotë ministrja, – më ka bërë këtë vlerësim: ‘Ne kemi sukses me Kosovën, se je ti ministre e Arsimit dhe e Kulturës, që vjen nga një familje e madhe patriote dhe i planifikoni e i ndiqni detyrat me shumë përkushtim’”. Kurse në qershor të vitit 1982, në mbledhjen e Byrosë Politike të KQ të PPSH-së, Enver Hoxha më ka bërë këtë vlerësim: “Ne kemi suksese në sektorët e Arsimit dhe të Kulturës Kombëtare, se je ti ministre, që vjen nga një familje e madhe patriote”.
Edhe pas ndërrimit të sistemit, ministrja është marrë e merret me studime në AQSH e në arkivin e MPJ, në Bibliotekën Kombëtare dhe me botime në fushën e arsimit dhe të historisë. Ka botuar te revista e kurrikulave disa studime për tekstet alternative të abetares, të gjuhës shqipe, të historisë së Shqipërisë për ciklin e shkollave 9-vjeçare, si edhe për lidhjen që ka përgatitja e kuadrove e specialistëve me tregun e punës. Të gjitha janë vlerësuar në mënyrë maksimale nga bordet drejtuese. Ministrja ka shkruar e botuar për marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën e viset e tjera shqiptare, si dhe për personalitete shkencore e kulturore të Kosovës. Të gjitha botimet janë mirëpritur.
Tefta Cami ka botuar këta libra: “Ditari – Katër ditë në Kosovë – tetor 1980”; “Ditari i burgut si antifashist i Ahmet Fetah Camit – 1941-1942”; “Historia sekrete e një grushti shteti – shqipërim nga frëngjishtja – Tefta Cami”; “Skenari e regjia e dokumentarit “Fisi Cami i Dibrës – shembull frymëzimi i luftës për liri”; “Mehdi Cani – Misionar i mjekësisë shqiptare”. Ka gati edhe mbi 15 libra të tjerë për botim.
Më 13.11.1989, PRESIDIUMI I KUVENDIT POPULLOR TË REPUBLIKËS POPULLORE SOCIALISTE TË SHQIPERISË I JEP TEFTA AHMET CAMIT URDHRIN “NAIM FRASHËRI” të Klasës së I-rë.
Me gjithë këtë veprimtari madhore, Tefta Cami duhet të kishte titujt e lartë “Nderi i Kombit” dhe “Mësuese e Popullit”. Ani. Virtualisht, Tefta Cami i ka të gjithë titujt e lartë sepse është Mësuese e mësuesve të të gjithë Shqipërisë.
E urojmë përzemërsisht për ditëlindjen: Edhe 100! Shëndet e punë e libra për të mirën e popullit!

Kryesia e OBVL – uron:

Gëzuar 86 – vjetorin e ditelindjes TEFTA CAMI
ish Ministre e Arsimit dhe e Kulturës