Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA të RSH gjenerallejtënant Arben Kingji: Gjermania është një aleate e besueshme dhe një partnere shumë e çmuar

15 korrik 2026 – Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjenerallejtënant Arben Kingji, mirëpriti në një vizitë zyrtare shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura Gjermane, gjeneral Carsten Breuer. Vizita konfirmon nivelin e lartë të marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Gjermanisë, si aleate në NATO, si edhe angazhimin e përbashkët për forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Gjatë takimit zyrtar, gjenerallejtënant Kingji njohu homologun e tij mbi zhvillimet më të fundit të Forcave të Armatosura, me fokus në prioritetet kryesore të zhvillimit të kapitalit njerëzor, forcimit të sistemit të arsimimit dhe edukimit ushtarak, modernizimin e kapaciteteve dhe rritjes së ndërveprueshmërisë me aleatët.
Në fjalën e tij, gjenerallejtënant Kingji shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin më të lartë për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë vendit tonë, si në procesin e integrimit europian, ashtu edhe në forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes. Ai vlerësoi kontributin e çmuar të Gjermanisë ndaj Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në fushën e arsimit dhe edukimit ushtarak, stërvitjeve, zhvillimit të kapaciteteve dhe rritjes së ndërveprueshmërisë me aleatët. Ky partneritet i vyer ka kontribuar ndjeshëm në rritjen e gatishmërisë, profesionalizmit dhe modernizimit të Forcave tona të Armatosura dhe mbetet një shtyllë e rëndësishme e bashkëpunimit tonë strategjik dhe e angazhimit të përbashkët për sigurinë dhe stabilitetin rajonal e euroatlantik.
Nga ana e tij, gjeneral Breuer u shpreh se “Gjermaninë dhe Shqipërinë i lidh një partneritet i gjatë dhe i ngushtë ushtarak. Që nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO në vitin 2009, ky partneritet është forcuar vazhdimisht. Sot ai është më i rëndësishëm se kurrë. Shqipëria është një aleate e besueshme. Sidomos në situatën aktuale të sigurisë, besueshmëria ka një rëndësi vendimtare. Nuk është madhësia e forcave të armatosura ajo që përcakton vlerën e një aleati. Vendimtare janë gatishmëria operacionale, besueshmëria dhe kontributi konkret për sigurinë tonë të përbashkët. Pikërisht këto vlera përfaqëson Shqipëria.
Dy shefat e Shtabit biseduan mbi zhvillimet në mjedisin e sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare, duke vlerësuar se sfidat aktuale, nga konfliktet konvencionale te kërcënimet hibride dhe ato kibernetike kërkojnë koordinim më të madh, investime të qëndrueshme në mbrojtje dhe forcim të mëtejshëm të gatishmërisë së Aleancës. Palët rikonfirmuan rëndësinë strategjike të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Gjenerallejtënant Kingji vuri theksin në angazhimin e Shqipërisë për të kontribuar në forcimin e sigurisë dhe mbrojtjes kolektive në kuadër të NATO-s.
Në kuadër të vizitës zyrtare, gjeneral Carsten Breuer mbajti një fjalim për kursantët dhe stafin akademik të Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë, stafin akademik të Akademisë së Forcave të Armatosura dhe të ftuar të tjerë në radhët e Forcave të Armatosura.
Në fjalën e tij të mirëseardhjes, gjenerallejtënant Kingji vlerësoi praninë dhe lidershipin e homologut gjerman, duke theksuar rëndësinë e partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve.
“Gjermania është një aleate e besueshme dhe një partnere shumë e çmuar. Si një nga aleatët kryesorë evropianë të NATO-s, ajo jep një kontribut thelbësor në mbrojtjen kolektive, shkurajimin dhe rritjen e gatishmërisë së Aleancës. Ne e vlerësojmë lart mbështetjen që Gjermania i ka dhënë Forcave të Armatosura të Shqipërisë në fushën e arsimimit profesional ushtarak, stërvitjes, ushtrimeve të përbashkëta dhe zhvillimit të kapaciteteve. Ky bashkëpunim forcon gatishmërinë tonë, rrit ndërveprueshmërinë dhe mbi të gjitha, kontribuon në formimin e liderëve që do të udhëheqin Forcat tona të Armatosura në të ardhmen. Njëkohësisht, Shqipëria mbetet një kontribuuese aktive në operacionet e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian, duke dhënë një kontribut të vazhdueshëm për sigurinë kolektive dhe stabilitetin rajonal.”
Në fjalën e tij para audiencës, gjeneral Breuer theksoi se ‘Shqipëria luan një rol të rëndësishëm si faktor stabiliteti në Evropën Juglindore. Si një aleate e qëndrueshme, e besueshme dhe plotësisht e integruar në NATO, Shqipëria forcon rajonin, Aleancën dhe, në këtë mënyrë, sigurinë evropiane. Pikërisht për këtë arsye dialogu dhe bashkëpunimi ynë kanë një rëndësi të veçantë. Ky bashkëpunim duhet të mbështetet në kërkesa konkrete ushtarake dhe të sjellë rezultate të prekshme. Objektivi ynë i përbashkët është i qartë: të forcojmë shtyllën evropiane të NATO-s – përmes unitetit, forcimit të kapaciteteve ushtarake, kontributeve konkrete ushtarake dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet aleatëve, partnerëve dhe miqve të besueshëm.”
Gjatë axhendës së vizitës së tij, gjeneral Breuer u prit në një takim zyrtar nga Ministri i Mbrojtjes z. Ermal Nufi.

GJENERALLEJTËNANT ARBEN KINGJI: Projektet tona të modernizimit synojnë kapacitete konkrete
Në konferëncën e përbashkët për shtyp me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Republikës Federale të Gjermanisë, Gjeneral Carsten Breuer, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA të RSH gjenerallejtënant Arben Kingji, pasi falenderoi homologun gjerman për vizitën tuaj këtu, dhe për dialogun e hapur e konstruktiv që zhvilluan, mbajti deklaratën e mëposhtme:.
“Bashkëpunimi ushtarak ndërmjet Forcave tona të Armatosura ka filluar në vitet 90’, me një mbështetje te konsiderueshme te palës gjermane në fushën e arsimimit, stërvitjeve, por edhe angazhim të përbashkët në operacione dhe misione, të cilat kanë kontribuar në rritjen e profesionalizmit, ndërveprueshmërisë, zhvillimit të kapaciteteve dhe gjithashtu edhe anëtarësimin tonë në NATO.
Gjatë takimit vlerësuam mjedisin e sigurisë në rajon, Europë dhe më gjerë. Ai mbetet kompleks dhe i paqëndrueshëm, i ndikuar nga konfliktet konvencionale, kërcënimet hibride dhe ato kibernetike. Në këtë kontekst, rikonfirmuam nevojën e përkushtimit dhe angazhimit tonë ndaj stabilitetit të Ballkanit Perëndimor.
Në këtë kuadër, Forcat e Armatosura të RSH kontribuojnë në mënyrë aktive në iniciativat rajonale (A-5, BCHODs, DECI, SEDM, ADRION) duke shtyrë përpara axhendën e vendit tonë të orientuar në stabilitet dhe siguri rajonale.
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe ai i BE-së në Bosnje dhe Hercegovinë, ALTHEA, mbeten thelbësorë për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Forcat tona të Armatosura mbeten të angazhuara për vijimin e kontributit në të dyja këto misione. Dëshiroj të shpreh këtu mirënjohjen për rolin e rëndësishëm ndër vite të Gjermanisë në KFOR. Gjithashtu, përshëndesim vendimin e marrë nga Gjermania së fundmi, për të vijuar angazhimin ushtarak në KFOR (me deri në 400 ushtarakë për t’u dislokuar nëse do të jetë e nevojshme). Ndërkohë që vlerësojmë rolin udhëheqës të Gjermanisë në NALT, Shqipëria përshëndet mbështetjen konstante dhe të fuqishme të Gjermanisë për Institucionet e sigurisë së Kosovës dhe kalimin gradual të përgjegjësive të sigurisë tek këto institucione.
Gjeneral Breuer, ky angazhim dhe kontribut i vijueshëm i forcave tuaja të armatosura dhe i Gjermanisë ka ndikuar drejtpërdrejt në sigurinë e Kosovës dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
Bashkë me gjeneral Breuer shprehem mbështetjen tonë të fuqishme për planet e mbrojtjes së Aleancës, me qëllim sigurinë e të gjithë zones Euro-Atlantike.
Ne vlerësojmë përgjegjësinë në rritje të Gjermanisë në NATO. Gjermania përbën një shembull reference në NATO për kthimin e shpejtë të shpenzimeve të mbrojtjes në kapacitete ushtarake, duke udhëhequr përpjekjet evropiane në këtë drejtim.
Samiti i Ankarasë konfirmoi se besueshmëria dhe kohezioni i NATO-s përtej angazhimeve politike, do të matet me aftësinë tonë për të gjeneruar forca të gatshme, të dislokueshme dhe të ndërveprueshme.
Theksuam domosdoshmërinë që buxheti i mbrojtjes të zbatohet në mënyrë efektive për materializimin e kapaciteteve ushtarake të cilat do të kontribuojnë në realizimin e projekteve te modernizimit, objektivave te kapaciteteve dhe mbështetje për planet rajonale të Aleancës.
Informova gjeneralin Breuer për zhvillimet dhe modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Përpjekjet tona përqendrohen te personeli i motivuar, arsimimi cilësor, stërvitja dhe kapacitetet e ndërveprueshme.
Projektet tona të modernizimit synojnë kapacitete konkrete që i shërbejnë përmbushjes së misionit kushtetues të Forcave të Armatosura, si dhe detyrimet e vendit tonë në kuadër të Aleancës. Prioritet mbeten mbrojtja ajrore, sistemet pa pilot, mbështetja me zjarr, mbrojtja kibernetike, komandim-kontrolli dhe logjistika.
Vëmendje të veçantë po i kushtojmë lëvizshmërisë ushtarake dhe kapaciteteve të mbështetjes së vendit pritës përgjatë Korridorit VIII, si nyje strategjike për lëvizjen e trupave dhe pajisjeve në drejtim të lindjes.
Të nderuar përfaqësues të medias, ju falënderoj për vëmendjen dhe interesin tuaj. Gjeneral Breuer, ju falënderoj edhe një herë për vizitën, lidershipin tuaj dhe kontributin e Gjermanisë për sigurinë e rajonit tonë dhe zones Euro-Atlantike.
Personalisht, mbetem i predispozuar për vijimin dhe thellimin më tej të bashkëpunimit ndërmjet forcave tona të armatosura”.