Ish ushtarakë madhorë vlerësojnë rrugëtimin e autorit si prind, qytetar dhe kontributin e tij në ndërtimin e një ushtrie profesioniste

• Gjeneralmajor Manushaqe Shehu, ish-zëvendësshefe e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, e vlerësoi autorin jo vetëm një drejtues të aftë ushtarak, por edhe një model frymëzues për brezat e rinj të oficerëve, falë profesionalizmit, korrektësisë, vizionit dhe dimensionit të tij njerëzor

Nexhbedin BASHA*

Më 14 korrik, në Tiranë, në praninë e kolegëve ushtarakë, personaliteteve të jetës publike, miqve, familjarëve, gazetarëve dhe dashamirësve të librit, u promovua monografia “Mes uniformës dhe kohës” e gjeneral Major Ismail Shulku.
Veprimtarinë e hapi vetë autori, i cili shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që e mbështetën në rrugëtimin e tij jetësor dhe krijues, veçanërisht fëmijët, bashkëshortet e tyre, nipërit e mbesat, që e nxitën të përmblidhte në një vëllim kujtimet, ditarët, mbresat dhe dëshmitë e një jete në shërbim të atdheut. Duke shpjeguar titullin “Mes uniformës dhe kohës”, ai theksoi se uniforma përfaqëson misionin, disiplinën, përgjegjësinë dhe besnikërinë ndaj vendit, ndërsa koha është dëshmitarja e sfidave, sakrificave, ndryshimeve dhe përvojave njerëzore që i japin kuptim këtij rrugëtimi. Autori evidentoi gjithashtu kontributin e poetit dhe gazetarit Nexhbedin Basha për idenë e titullit dhe konceptimin e kopertinës së librit.
Veprimtaria u moderua me profesionalizëm nga gazetari Dëfrim Met’hasani, i cili vuri në pah vlerat dokumentare, historike dhe njerëzore të monografisë “Mes Uniformës dhe Kohës”. Ai shprehu vlerësim për autorin dhe familjen Shulku, duke kujtuar me respekt edhe bashkëshorten e ndjerë, Bajame Shulku, e cila, megjithëse nuk jeton më, mbetet pjesë e pandarë e rrugëtimit jetësor dhe shpirtëror të autorit, siç dëshmohet edhe në faqet prekëse të librit. Po ashtu, ai vlerësoi mbështetjen e fëmijëve, bashkëshorteve të tyre, nipërve e mbesave në realizimin e kësaj vepre dhe falënderoi të gjithë të pranishmit që, me pjesëmarrjen e tyre, i dhanë promovimit një atmosferë të ngrohtë, miqësore dhe dinjitoze.

ISH-DREJTUES TË LARTË TË USHTRISË VLERËSOJBE
VEPRËN E GJENERAL SHULKUT
Në promovim përshëndetën disa personalitete, ish-drejtues të lartë të ushtrisë shqiptare.
Kujtim Çako, ish-zëvendësministër i Mbrojtjes dhe aktualisht Drejtor i Përgjithshëm i AKU-së, e cilësoi librin një vepër me rëndësi historike e dokumentare, që ruan kujtesën institucionale të Forcave të Armatosura dhe shërben si burim studimi e frymëzimi për brezat e ardhshëm të ushtarakëve.
Bajram Mane, ish-zëvendësministër i Mbrojtjes, koleg dhe mik i autorit, vlerësoi Ismail Shulkun si një ushtarak karriere me integritet, kulturë të lartë profesionale dhe përkushtim të palëkundur ndaj detyrës, cilësi që e kanë shoqëruar në të gjithë rrugëtimin e tij.
Vlerësime të veçanta përcolli edhe Gjeneralmajor Manushaqe Shehu, ish-zëvendësshefe e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, e cila e cilësoi autorin jo vetëm një drejtues të aftë ushtarak, por edhe një model frymëzues për brezat e rinj të oficerëve, falë profesionalizmit, korrektësisë, vizionit dhe dimensionit të tij njerëzor.
Gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, ish-Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, kujtoi se Ismail Shulku ka qenë një nga figurat që ka ndikuar në formimin e tij profesional në fillimet e karrierës, duke e konsideruar një shembull të lidershipit, urtësisë, përkushtimit dhe fisnikërisë në shërbim.
Ganiu Elezi, ish-komisar, theksoi se kjo monografi duhet të zërë vend në bibliotekat e Forcave të Armatosura, pasi përmban përvoja, kujtime dhe vlera të rëndësishme profesionale e njerëzore, ndërsa i uroi autorit shëndet dhe krijimtari të mëtejshme.
Kolonel Zaho Golemi, doktor i shkencave, ndaloi te kontributi i Gjeneral Shulkut në arsimimin dhe kualifikimin jashtë vendit të një brezi të tërë ushtarakësh shqiptarë. Ai kujtoi mbështetjen që kishte marrë personalisht prej tij gjatë kohës kur Ismail Shulku drejtonte Drejtorinë e Personelit në Ministrinë e Mbrojtjes, duke e cilësuar një drejtues që investonte te njerëzit dhe te e ardhmja e ushtrisë.

NJË VLERËSIM NDRYSHE MBI LIBRIN
Në këndvështrimin tim ndryshe mbi librin, (si gazetar profesionist, poet e analist), , po evidentoj faktin e panjohur të kontributit të këtij autori edhe si krijues letrar. Në fjalën time, ndër të tjera nënvizova:
“Një zbulim i veçantë për mua, gjatë leximit të librit, ishte Ismail Shulku poet. Pas figurës së gjeneralit, të njohur për disiplinën dhe përgjegjësinë, fshihet një shpirt i ndjeshëm dhe një zemër e hapur ndaj artit. Poezitë kushtuar bashkëshortes së ndjerë, Bajames, janë ndër faqet më prekëse të librit. Në vargjet: ‘Nuk ka dallgë që na ndan, malli për ty – oqean…’ ndiejmë fuqinë e një dashurie që kapërcen kohën, largësinë dhe çdo mungesë. Edhe kur u drejtohet fëmijëve, nipërve, mbesave dhe stërmbesës Livija, vargjet e tij janë copëza jete, kujtese dhe dashurie familjare. Vargu ‘S’jam Agoll, as Kadare, ndoshta ushtarak i shquar…’ dëshmon thjeshtësinë e një njeriu që nuk kërkon krahasime, por shpreh me sinqeritet ndjenjat e tij. Pikërisht në këtë bashkim mes uniformës dhe poezisë shfaqet përmasa më njerëzore e Ismail Shulkut. Gjenerali Shulku nuk mban mbi supe vetëm gradat e larta të karrierës ushtarake. Ai mban edhe nderimin e bashkëqytetarëve të tij si ‘Qytetar Nderi i Dibrës’, së bashku me medalje, dekorata dhe vlerësime të tjera të fituara gjatë shërbimit ndaj atdheut. Këto janë dëshmi të një rruge të ndërtuar me punë, përkushtim, sakrificë dhe integritet.”
Në përfundim, promovimi u shndërrua në një vlerësim të merituar për një jetë të tërë në shërbim të Shqipërisë dhe të Forcave të Armatosura.
Libri “Mes Uniformës dhe Kohës” vjen si një monografi me vlera të veçanta historike, profesionale, dokumentare dhe njerëzore, duke ruajtur kujtesën e një brezi ushtarakësh dhe duke lënë një trashëgimi të vyer për studiuesit, ushtarakët dhe lexuesit. Ai dëshmon se përtej gradave dhe detyrave mbeten njeriu, koha dhe vlerat që ai ndërton e u përcjell brezave.

*Gazetar & poet – 10 korrik 2026