Si u mposht ekspedita fashiste e Xhafer Balit nga malësorët trima të Reç e Dardhës
• Krahinat Dardhë e Reç të Dibrës, gjithmonë kanë vepruar me organizmat e zgjedhura nga vet populli. Ato kishin detyra e të drejta komplekse, për të gjithë jetën e krahinës, ku më kryesorja ishte ajo e mbrojtjes së atdheut….
• Dibranët në përgjithësi, demostruan qartazi, se qenë përdere patriotë, u shfaq lart ndergjegja kombëtare, se dibranët ishin të gatshëm edhe për beteja te tjera….Kur na ndajnë vetëm pak ditë nga 84-vjetori i qëndresës heroike të “tigrave” të Reç e Dardhës (siç i njeh edhe kënga popullore) në Kodër të Kacës kundër ekspeditës fashiste të Xhafer Balit, nga arkivi i gazetës “VETERANI”, nxorëm dhe vendosëm të botojmë artikullin e shkruar vite më parë nga studjuesi i mirënjohur Dine Kaca – një nga personalitetet dibrane me rrezatim kombëtar. Kjo edhe si homazh në nderim të jetës dhe veprës së këtij bashkëpunëtori, ndër më produktivët e gazetës sonë, i cili humbi betejën me jetën përballë flamës Covid-19, pesë vjet më parë, duke na lënë një trashëgimi fondamentale nga studimet e tij historike disavjeçare….
Halil RAMA –
Kryeredaktor i gazetës “VETERANI”
Nga Dine KACA
Besëlidhja e qëndresës antifashiste
Pas disfatës në Dibër të Madhe me forcat kryengritëse të drejtuar nga luftëtari trim e i paepur Haxhi Lleshi, ajo që e shqetësonte më shumë fashizmin do të qe se dibranët mbanin armë të fshehura dhe se një ditë Dibra, do të mund të ngrihej në luftë të armatosur kundër fashistëve dhe bashkëpuntorëve të tyre, deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë. Prandaj në vazhdim të masave ndëshkimore, fashizmi do të organizonte ekspedita operacionale në të gjithë Dibrën për dorëzimin nga dibranët të armëve të fshehta dhe municioneve. Kjo u diktua edhe nga qëndrimi që mbajtën shqiptarët në luftë kundër agresionit fashist që ndërrmori Italia ndaj popullit grek në 1940-tën.
Ekspeditat kryen operacione në të gjithë krahinat e Dibrës, ndërsa krahinat Reç e Dardhë, qenë lënë për në fund. Gjatë operacioneve, pati rezistencë të fortë, por gjithësesi ato kishin mundur të grumbullonin një sasi të vogël armësh e municionesh.
Në strategjinë e taktikën fashiste, jo pa qëllim ishin lënë për në fund krahinat Dardhë e Reç. Kjo për faktin historik se ato njiheshin si krahina të lidhura shumë ngushtësisht njëra me tjetrën dhe se bijtë e tyre qenë shquar për trimëri e atdhetarizëm Ata patën dhënë prova të forta kundër pushtuesve, ç’ka e vështirësonte së tepërmi çarmatimin e tyre. E kjo qe bërë mos represioni do të ndikonte që edhe Reç e Dardhë t’i nënshtroheshin këtij operacioni. Fashizmi nuk kishte nevojë për armë, por donte të shuante ç’do vatër e lidhje patriotike që përbënin rrezik për të.
Termi “çarmatosje” tingëllonte shumë rëndë në veshin, psikologjinë dhe mentalitetin e popullit të Reç e Dardhës. Nëse do të ndodhte kjo, do të ishte për ta poshtërim i madh, do t’a quanin veten se nuk ishin më askushi. Edhe para fashizmit, pushtues të tjerë që nga turqit osmanë, bullgarë, austro-hungarez e të tjerë, apo regjime antipopullore, nuk kanë mundur as t’i çarmatosin dhe as t’i nënshtrojnë. Arma në duart e tyre ishte gjithshka. Historikisht, luftrat e njëpasnjëshme, ua kishin imponuar që ta konsideronin armën pjesë të jetës, të qënies së tyre. Me armën ata patën lidhur jetën e tyre, mbronin familjen, dinjitetin, nderin, lirinë, atdheun për të cilin nuk kursenin as jetën.
Ata kishin një përvojë shumë të pasur, të trashëguar brez pas brezi, pavarësisht se në të gjitha luftrat e betejat me armiqtë pushtues, në raportin e forcave, ata kishin qenë në pakicë, por shpirti liridashës e luftarak, atdhetarizmi, optimizmi dhe vendosmëria i bënin superiorë. Kurdoherë fitorja ishte në anën e tyre. Edhe ky ishte një faktor që i bënte këto dy krahina të ishin të vendosura në qëndresë me ekspeditën ushtarake fashiste për çarmatimin dhe e kishin të sigurtë fitoren ndaj saj.
Krahinat Dardhë e Reç të Dibrës, gjithmonë kanë vepruar me organizmat e zgjedhura nga vet populli. Ato kishin detyra e të drejta komplekse, për të gjithë jetën e krahinës, ku më kryesorja ishte ajo e mbrojtjes së atdheut. Kështu, krahina e Dardhës drejtohej nga të “15-tët e dheut” ose siç mund të quhet një “Kuvend – Parmament” i Dardhës me përfaqësues të denjë me integritet, si:Hysen Ndreu, Hysni Kaca, Hysen Bara, Hysen Çera, Misim Ahmeti (Cerpja), Rrahman Rasha, Ahmet Kazi, Vesel Sula, Muharrem Hoxha, Taf Shira, Ali Bajram Ndreu, Sul Cani, Met Kaca, Selim Hysa e Can Gjoka. Më vonë për arsye vdekje, janë zgjedhur të tjerë nga populli si, Xhetan Hakiku, Haziz Poleshi, Mehdi Kaca e Sadik Çera. Një organizëm të ngjashëm drejtimi me Dardhën kishte edhe krahina e Reçit, por jo me kuvend, por me pleq.
Të dyja këto organizma të këtyre krahinave kishin përcaktuar pikat e besëlidhjes të qëndresës antifashiste. Debatimi dhe marrja e vendimit qe bërë në bazë fisi, fshati e krahine me moton “besa-besë”.
Përfundimisht u vendos:
Së pari, në përballjen me ekspeditën u caktua nga një burrë për shtëpi, (aty ku kishte disa burra në disa shtëpi, të vinin dy edhe tre), kryesisht të moshuar, të sprovuar në luftra dhe ky organizzim ishte konsideruar si skalion i parë. Burrat e tjerë dhe moshat e reja, do të qëndronin të gatshëm në rast nevoje si skalion i dytë për luftë të armatosur frontale.
Së dyti pjesmarrësit e të dy krahinave do të grumbulloheshin në mënyrë të organizuar në Kodër të Kacës të Dardhës.
Së treti, asnjë armë nuk do t’i dorëzohej pushtuesit. Kur pushtuesit do të kërkonin dorëzimin e armëve, fillimisht pjesmarrësit do të heshtnin deri në kulmin e durimit.
Së katërti, në momentin që do të shanin apo do të përdornin forcën, do të hidheshin në sulm deri trup me trup për ta çarmatosur të gjithë ekspeditën. Nëse do të qëllonin me armë e do të kërkonin forca ushtarake shtesë për të shtypur popullin me dhunë, do të nxirreshin armët dhe do të ngriheshin në “shtatë e shtatëdhjetë” në luftë kundër pushtuesit fashist.
Kjo përgaditje nuk u bë brenda një apo dy e tre ditësh. Jo. Kishte kohë që punohej për këtë. Unë dhe moshatarët e mij i kujtojmë me hollësi, se si baballarët dhe gjyshërit tanë na patën përgatitur për çdo lloj situate. Ata kanë një meritë të veçantë ndaj brezit tonë.
Armet dhe municionet e fshehta, ashtu siç dinin vetë t’i përdornin, na i kishin mësuar edhe ne të rinjve. Jo vetem si mbahet, si përdoret, si merret vija e shënimit për të godit me plumbin e parë në shenjë, por edhe si mund të ndeshesh trup me trup dhe t’i marrish edhe armën armikut, e shumë gjëra të tjera. Kishte gati dy muaji që Reç e Dardhë bënin përgatitje. Sa do që kalojnë vitet, edhe pse tani jemi në ekstremet e moshës, i kujtoj me nostalgji, me respekt, me shumë dashuri dhe u jemi mirënjohës atyre burrave trima, atyre “tigrave” të asaj kohe. Ata na brumosën me virtytet më të larta dhe ndjenjën e dashurisë për atdheun tonë, Shqipërinë.