Rrëfimi i nipit, Destan Losha – trashëgimtar i i dëshmorit, një emri me peshë në histori-

Nga nipi Destan Losha, që mban me krenari emrin e gjyshit, babait të dëshmorit Tahir Destan Losha, dëgjova një rrëfim të ngarkuar me ndjenja krenarie, dhimbjeje dhe zhgënjimi.
“Pema gjenealogjike e familjes sonë, thotë ai, përbëhet nga shtatë fëmijë: Tahiri (dëshmor i Atdheut, që ra në krye të detyrës pa lënë trashëgim), Hasani, Saliu, Rustemi, Nazifi Fazilja dhe Shkurte (Lica – Ceni). Të shtatë fëmijët ishin bijtë e Destan Loshës dhe të bashkëshortes së tij Sibe Losha, të cilët i rritën me sakrifica dhe ndershmëri, duke u përcjellë dashurinë për Atdheun.”

  • Gjysh Destani, thotë nipi i tij, ka qenë pjesëmarrës i nderuar në ngritjen e flamurit në Shpalljen e Pavarsisë në Vlorë më 1912, nga Ismail Qemali. Xhaxhai im, Tahir Destan Losha ka qenë partizan i palëkundur i Brigadës V Sulmuese, me komandant Shefqet Peçi dhe komisar Hysni Kapo. Si partizan mori pjesë aktive në luftë për çlirim e vendit nga viti 1940 deri në vitin 1944.
    Pas çlrimit të vendit për meritat e tij në luftë u caktua me detyrë në organet e ndjekjes, në Postën e Policisë në Qaf të Malit Pukë. Gjatë kryerjes së detyrës në përpjekje me bandat e asaj kohe, në Iballë të Pukës, në pranverën e vitit 1948, ai ra heroikisht në krye të detyrës dhe u shpall “Dëshmor i Atdheut” së bashku me kolegun e tij Vasili, vepra e të cilëve u përjetësua në këngë: Ja disa nga vargjet e asaj kënge:
    “48, një ditë pranvere/ si gjithmonë edhe kësaj here/ vesh me armë e bombardu/ në Iballë të Pukës për me shku/ me kriminela janë taku/ 12’të numron Vasili/ do të vdesim i thotë Tahiri/ Kur l’shon zonin Tahir Destani/, dridhet toka e tundet mali/, kur kërcet automatiku/, vdes i gjallë nat’ pritë armiku…etj”.
    Ai sëbashku me kolegun e tij Vasilin ranë si trimat me pushkën në dorë, në mbrojtje të rendit dhe të idealit të Shqipërisë së re dhe shteti shqiptar i shpalli “Dëshmor të Atdheut”.
    Emrin e Tahir Losha e mban me krenari shkolla e mesme e përgjithshme “Lunarë”. Trupi i tij prehet i qetë në varrezat e dëshmorëve në qytetin Peshkopi, rrethi Dibër. Në nderim të të rënëve, në Iballë Pukë dhe nderim të dëshmorëve të Katër Grykëve, është ngritur një labidar në Selisht, Dibër, por që ka nevojë për restaurim dhe përkujdesja nga organet e pushtetit vendor.
    Dëshmori Tahir Destan Losha lindi në Kacni më 1917. Ai nuk është thjesht një emër në memorial apo mbi një shkollë, në një labidar, por kujtesë e gjallë, frymëzim për brezat e të gjitha asaj zone të “Katër Grykëve”, që u rritën dhe edukuan me ndjenjën e dashurisë për Atdheun në atë zonë.
    Rrëfimi i Destanit nuk u ndal në të kaluarën, i cili u rrit me amanetin e xhaxhait. Por, ai tregoi me zë të përmbajtur një të vërtetë që i rëndon shpirtin:
  • Në gjurmët e tij kam ecur gjithë jetën. Nuk kam mbajtur pushkë, por kam punuar me nder e dinjitet në ndërtimin e vepra të mëdha kombëtare, hidrocentrale, si teknik në Fierzë, Koman e Banjë deri në vitin 1999. Kam punuar me ndershmëri e përkushtim, ashtu si do të kishte dashur xhaxhai im.
    Me ndrimin e sistemit, fëmijët e mi dhe unë kemi marrë rrugët e emigrimit. Me djersën e ballit kemi ndërtuar jetën tonë larg vendit.
    Ai rrëfen se: “Në demokraci është i nevojshëm një emigracion për çdo person, por deri në 10 vjet. Jo emigracion të përhershëm. Pse të mos jetojnë e shkollohen nipërit e mi në Shqipërinë që e deshën të parët tanë, që na mësuan se guri i rëndë peshon në vend të vet?! Pse të punojnë për të tjerët, por jo për vendin tonë, Shqipërinë e dashur?!…Jo, jo kjo nuk është mirë. Shteti duhet të ndërtoj politika që fëmijëve të mi e të tjerëve emigrant t’u krijohen mundësi dhe baza për t’u kthyer me vullnet në vendin e tyre…”.
    Sytë e Destanit ndritën për një çast, pastaj e mbuloi trishtimi:
    “Si është e mundur që pas gjithë këtyre viteve, as emri i dëshmorit, as djersa jonë, të mos kenë marrë mirënjohjen e denjë dhe shpërblimin e duhur nga shteti? Pse të harrohen familjet që e ngritën këtë vend me gjak dhe krahë pune? A nuk kemi të drejtë të jetojmë me dinjitet në vendin tonë?”.
    Dhe sa më shumë këto probleme nuk marrin rrugë e zgjidhjes do të rëndojnë më shumë të brezat e rinjë që janë shpresa e këtij vendit, pasi ato dhe fëmijët e tyre kanë lindur në kurbet s’ka pse të rriten e kontribuojnë në vendet e huaja.

FAMILJA LOSHA, NJË HISTORI SAKRIFICE DHE HARRESE

Historia e familjes Losha është një dëshmi e gjallë e përkushtimit ndaj Atdheut. Tahir Destan Losha dha jetën për lirinë e vendit, por ende nuk është shpërblyer si “Dëshmor i Atdheut”. Edhe pse ai nuk la trashëgimtarë të drejtpërdrejtë, nipërit e tij mbeten krenarë për gjakun e dëshmorit dhe kërkojnë drejtësi e vlerësim.
Destan Losha, nipi i tij, ka mbartur ndër vite këtë amanet, duke kërkuar që shteti shqiptar të njohë zyrtarisht statusin dhe shpërblimin që i takon.
“Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se atë që na përket – nderimin dhe kujtesën e merituar”, shprehet ai.
Është koha që Parlamenti shqiptar ta sanksionojë me ligj këtë të drejtë, duke garantuar shpërblimin financiar për dëshmorët e Atdheut – si akt detyrimi moral dhe ligjor ndaj atyre që dhanë jetën për Shqipërinë.

“O Tahir, o fllad lirie!”

Trim i luftës, në punë dëshmor,
Zogjëvet të maleve ju ndalet toni,
Pushka i qëndisi kuror,
Si trimat luftoi Tahir Destani.

Në mal e në gur..rron Tahiri
Vikama e tij za bilbili,
Lotin Nona nisi pahiri,
Plag në zemër lule trandafili.

Refren:
Nipër e mbesa thurrin vargje,
Për stërgjyshin – legjendë e gjallë.
N’zemra t’popullit ka vend të artë,
Flakë lirie i fortë si strallë.

Per stërgjyshin, legende e gjall,
Nipër e mbesa kujtojn në vargje,
Në zemër të popullit mbetesh i rrall,
Flakë lirie, flamur ndër pragje.

O Tahir, je flake lirie,
Re në detyrë, si të ka hije.
Gjemoi toka u dridh mali,
Re si burrat, Dibra zemër trim të fali.

Refren:
Nipër e mbesa thurrin vargje,
Për stërgjyshin – legjendë e gjallë.
N’zemra t’popullit ka vend të artë,
Flakë lirie i fortë si strallë.
Nexhbedin Basha
Gazetar & Poet