Nga Nexhbedin Basha
GAZETAR & POET

Ishte shtator i vitit 1980! U gjenda jo rastësisht por me detyrë si mësues në fshatin Kacni. Në një vend ku mali dhe heshtja ruajnë kujtime që nuk zbehen, dhe historia është e ngulitur në çdo hap e në çdo gur.
Aty më priti një grua me dinjitet të rrallë, fisnike, Shkurte Losha, motra e Tahir Destan Loshës, “Dëshmor i Atdheut”. Nënë Shkurtja me një buzëqeshje të ngrohtë e respekt të thellë më ofroi një kafe të zier me kujdes e dashuri e misra të pjekura; një traditë që fliste për mikpritjen e trashëguar, për shpirtin e butë, por të fortë, të kalitur nga vuajtjet dhe krenaria.
Në shtëpinë e saj ndjeva menjëherë se isha mes njerëzve që kishin dhënë shumë për këtë vend, pa kërkuar asgjë në këmbim.
Gjatë katër muajve që qëndrova në Kacni, nuk isha më vetëm mësues, por një dëgjues i vëmendshëm i historive që nuk gjenden në libra. Nga Shkurta, nga familja Losha dhe nga banorët e zonës, mësova për jetën dhe rënien heroike të Tahir Destan Loshës – një emër që për shumëkënd është simbol i qëndresës dhe i besnikërisë ndaj idealit të lirisë.