Vrasja e Mahmut Dacit, Met Hysenit dhe shokëve të tyre pati jehonë të madhe në popull, në Portën e lartë dhe në kancelaritë e huaja
Nga Sakip Cami
Sipas gjurmimeve që ka bërë Ing. Agim Hasalami, pasardhës brezash i Mehmet Hysenit nga Kalisi i Lumës, fisi i Hasalamit të Kalisit është i dokumentuar për herë të parë në vitin 1575 me Hasanin si timarmbajtës të fshatrave Truallishte, Kashanje dhe Ajdovan.
Hasani së bashku me Kokën dhe Matën kishin ardhur në Kalis nga Tplani i Krasniqes dhe në Tpla nga Boksi i Pultit. Ata përbënin grupimin fisnor të quajtur Boks.
Fise të vitit 1591 janë Koka, Mata, Hasani (Hasalami dhe Murati) dhe Micoli, të grupit të Boksit. Të grupit të Bytycit janë Gjana, Ymeri, Elezi, Shahini si dhe Tota, Nuza, Hysa, Kaca, Kica.
Si timarmbajtës për fshatin Kalis ishte Sulejmani i Hasanit. Për fshatin Gështenjë e Ajdovan ishte Rizvani i Hasanit dhe për fshatrat e tjera ishte Hyseni i Hasanit. Në këtë kohë Rizvani bashkë me dy familje të tjera dolën te mulliri i Zall Kalisit ku ndërtuan dhe mullirin.
Kjo kohë qetësie dhe organizimi për Kalisin mbaroi shpejt sepse filluan sulme të përvitshme me ushtri të mëdha nga pashallare të ndryshëm osmanë. Dibranët, lumjanët dhe matjanët iu kundërvunë sulmeve osmane me organizimin e Kuvendit të Dukagjinit në kishën e Shënlleshnit (Zall Dardhë) në vitin 1601-1602. (Selami Pulaha, “Qëndresa e popullit shqiptar kundër sundimit osman nga shekulli XVI deri në Shek XVIII, dokumente osmane, faqe 49 si dhe dokumentacioni i Vatikanit )
Njësi Kaza’ vetadminstruese në fillim u njoh Kalisi, pastaj Kalaja e Dodës dhe pas bashkimit me njësi të tjera, Luma u shpall kaza.(Historia e Shqipërisë, Vëllimi II faqe 49, botim i vitit 1984.) Pra Luma ishte kaza’ në sanxhakun e Prizrenit , vilajetin e Kosovës.
Tani të kthehemi te fisi dhe familja Hasani që më vonë u vendos në lagjen Lamë dhe mori emrin Hasalami
Emri i kësaj familjeje del i dokumentuar me përfaqsuesin e vet Mehmet Sherif Efendi në Janinë para vitit 1807. Mehmet Sherifi ishte i shkolluar në Turqi dhe është shkruesi i shumë dokumentave në oborrin e Ali Pashë Tepelenës.
Mehmet Sherifi nuk u kthye nga Janina në Kalis. Ai la një djalë, Hysenin.
Hyseni lindi tre djem Mehmetin (Met Hyseni), Sherifin dhe Vokën.
Në këtë kohë Luma ishte aneksuar nga Bushatllinjtë dhe sistemi autonom i Kazasë nuk funksiononte. Lumjanët sikurse të gjithë shqiptarët ishin përfshirë në lëvizje qëndrese kundër reformave të Tanzimatit dhe kundër Perandorisë Osmane, për autonomi.
Pas largimit të Bushatllinjve erdhi nevoja për funksionimin e Kazasë dhe Hyseni dërgoi në shkollën e Kadilerëve në Stamboll të birin, Met Hysenin. Meti studioi për drejtësi dhe mori titullin kadi. Paralelisht me studimet për drejtësi mori leksione për mjekësi dhe shërbeu në Kalis për mjekimin e të sëmurëve, profesion që ua transmetoi edhe brezave të tjerë të familjes.
Ndërkohë që Met Hyseni ishte për studime filloi reforma e Tanzimatit që hoqi pushtetin e Kadilerëve. Mehmeti sikurse shumë shqiptarë të tjerë mori pjesë në në Luftën e Krimesë dhe luftërat në Detin e Zi kundër Rusisë, ku mësoi në perfeksion artin e luftës me transhe, llogore, hendeklidhje dhe përdorimin e armëve të reja të kohës.
Në kontakt me atdhetarët shqiptarë në Stamboll ai vendosi të kthehej në Kalis me disa ndihma monetare që do të shërbenin për blerje armësh dhe municionesh.
Ndërkohë Luma nën drejtimin e Mahmut Dacit e kishte frenuar zbatimin e reformës së Tanzimatit dhe pas më shumë se 20 vjet lufte kishte formuar një pushtet me Bajraqe që drejtoheshin me patriotë vendas.
Studiuesi dhe mbledhësi i folklorit Munir Shehu në librin e tij e quan Mahmut Dacin qeveri më vehte dhe e krahason me Ali Pashë Tepelenën. Pra, Luma, Kalisi dhe drejtuesit e tyre ishin bërë shqetësim për Portën e lartë, e cila urdhëroi dhe aktivizoi tre pashallarë për kapjen dhe vrasjen e Mahmut Dacit. Shoqëruesi i Mahmut Dacit në këtë kohë dhe kadi për Lumën ka qenë Met Hyseni. Pas vrasjes së tij vula e kadiut është dorëzuar në Prizren. Ka të dhëna që akoma ruhet në Mitrovicë.
Studiuesi i mirënjohur nga Luma Prof. Shefqet Hoxha shkruan:
“Duke gjurmuar në Arkivin e Institutit të Historisë së Akademisë së Shkencave, në fondin “Arkivi i Vjenës”, i përkthyer dhe i depozituar aty, hasa në dy dokumente që flasin për Mahmut Dacin e Kalisit.
Të dy dokumentet i përkasin vitit 1876 dhe janë të nënshkruar nga konsulli austro-hungarez i Prizrenit, Lippich, i cili informonte kryekonsullatën në Shkodër dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme, në Vjenë.
Dokumenti i parë (Vj.87-16, Prizren, 27 prill 1876)
Dokumenti i parë (Vj.87-16, Prizren, 27 prill 1876) thotë shprehimisht:
“Dje arriti këtu Mahmut Daci, që ia kanë frigën të gjithë, me një shpurë prej vetëm 20 vetësh, ndër të cilët edhe kadiu i Lumës, (Sipas dokumentave të kohës del që ishte Met Hyseni, shënimi im S.C.) që ka aq nam të keq si kusar dhe strehues kusarësh. Ai shpreson të emërohet komandant i xhandarmërisë së rrethit të tij.
Të dy personalitetet interesante na nderuan në vizitën e tyre, gjë që unë si zor mund ta refuzoja, dhe, me fjalë të shumta, afirmuan pafajësinë e tyre në ekseset e lumjanëve dhe vunë në pah reciprokisht meritat e tyre për të mirën publike. Gjëja më konkrete në ekspozenë e tyre ishte propozimi që të ndërhyja që t’u jepeshin atyre poste dhe grada të paguara më së miri. Mendova se bashkëveprimin e lypur të mos ua refuzoja, aq më pak, mbasi shpura e tyre e armatosur vetëm me fjalë të mira u kandis që të qëndrojë jashtë konsullatës, gjatë kohës që të dy shefat ishin mbrendë”.
Sqarojmë lexuesin se fjalët kusar e strehues kusarësh për Mahmut Dacin, kadiun dhe shoqëruesit e tyre janë përdorur nga osmanët dhe diplomatët e tyre për të krijuar opinionin e domosdoshmërisë së vrasjes së tyre si prishës rendi, gjë që ndodh shpesh në raportet e ushtrive të huaja pushtuese.
Dokumenti i dytë (Vj.87-15, Prizren, 23 korrik 1876)
Dokumenti i dytë (Vj.87-15, Prizren, 23 korrik 1876) është shumë më i gjatë, por flet shkurt për Mahmut Dacin, madje vetëm sa e përmend emrin e tij:
Pas ardhjes së Mehmet Hysenit nga Stambolli, lufta për autonomi (kthimin e sistemit të Kazasë u riaktivizua përsëri ku forca ushtarake e mbledhur ishte me mijra luftëtarë lumjanë dibranë dhe matjanë.
Sulmet e vazhdueshme bënë të detyrueshme mbrojtjen xhenjere, ndërtimin e transheve (tabeve) që mbronin Kalisin, Vilën dhe Draj-Recin.
Lufta e Kalisit në keto vite u zhvillua duke bërë një vijë mbrojtje (Tabe) me gjatësi rreth 25 kilometra. E gjithë popullsia brenda kësaj vije mbrojtje ishte plotësisht në funksion të luftës. Vija e mbrojtjes ishte: Qaf- Drajë-Barruc-Voren – Korrosop-Sukë-Shullan, Paradin-Lenishte-Bumontroll-Kodra e ftohtë-Drini i Zi. Në këto luftime pati shumë luftëtarë të vrarë. Përvec luftëtarve nga Kalisi, Vila dhe Reci kishte edhe luftëtarë nga Arrni, Lura, Dardha, Cidhna, Muhurri, Katër Grykët, Fani, Selita, Kthella, Macukulli, Martaneshi, Cermenika, etj.
Pas disa viteve lufte osmanët u detyruan të tërhiqen nga organizimi qendor i pushtetit dhe emruan në vitin 1872 Met Hysenin si Kadi të Kazasë së Lumës. Gjithsesi nuk u ruajt qetësia sepse pashallarë të ndryshëm merrnin përsipër nënshtrimin e Kalisit dhe të Lumës.
Met Hyseni në prill të vitit 1876 bashkë me Mahmut Dacin takuan Konsullin austriak në Prizren ku u ofruan për bashkëpunim me Austriakët.
Për vrasjen e Mahmut Dacit, Met Hysenit dhe të shokëve të tyre u organizua një kurth i mirëpërgatitur nga Porta e Lartë.
Met Hyseni u vra në një ditë dhe në një vend me Mahmt Dac Kalisin në një kurth të ngritur në Bumontroll në korrik të vitit 1876 bashkë me 39 përfaqësues të tjerë të fiseve të Kalisit, Vilës dhe Reçit.
Kur u vra Mahmut Daci, në Bumotroll u vranë mbi 50 nizamë. Nga të Mahmutit u vra shoku i tij i luftërave, Bajram Uka dhe Rexhë Kalisi, Met Hyseni dhe u plagos Tel Bodini. (Munir Shehu shkruan: U plagos vëllai i Lud Bodinit)
Një këngë popullore e hershme thotë:
“…Met Hyseni e Tel Bodini
Po luftojnë si djem veziri”… (Xhemali Prendi “Kalisi kështjellë trimërie” )
Munir Shehu shkruan: “Turqit e Demir Pashës filluen me e gjuajt kullën me top. Qysh prej asaj dite dhe sot, vendi ku qe vendos ky top quhet “Bumbullatroll”, d.m.th. bubullonte trolli (toka, dheu), kur shtinte topi.
Gjylet shpërthenin e ndizeshin flakë mbrenda… Për organizimin e këtij kurthi dhe këtij sulmi kishin bashkëpunuar Veziri i Shkodrës, pashai i Prizrenit dhe pashai i Gjakovës që ishin kundra Mahmut Dacit. (Munir Shehu)
Djalit (barrë në barkun e nënës në momentin e vrasjes së Metit), i vunë emrin Mehmet sipas amanetit të tij.
Vrasja e Mahmut Dacit, Met Hysenit dhe shokëve të tyre pati jehonë të madhe në popull, në Portën e lartë dhe në kancelaritë e huaja.
Dy vjet më vonë, në Dibër të poshtme Abdyl Frashërin e priti Ahmet dhe Jusuf Bej Karahasani dhe gjatë qëndrimit në qendrën e Dibrës së poshtme në Kastriot, Abdyl Frashëri i kërkoi Karahasanit të thirrte Sherifin, vëllain e Met Hysenit që t’i shoqëronte nëpër Lumë deri në Prizren.
Djemtë dhe pjestarët e familjes Hasalami e vazhduan luftën për liri dhe pavarësi kundër turqve dhe serbve, por kjo do të jetë objekt i një shkrimi tjetër.
Burimet:
- Fatos Daci, “Mahmut Daci, jeta dhe vepra e tij”
- Kangë të Rilindjes Kombetare, 1978
- Shënime të Ing. Agim Hasalami
- Xhemali Prendi “Kalisi, kështjellë trimërie”
- Munir Shehu, “Mahmut Daci ishte qeveri më vehte” , Histori dhe folklor nga Dibra
- Dokumenti (Vj.87-16, Prizren, 27 prill 1876) nënshkruar nga konsulli austro-hungarez i Prizrenit, Lippich, i cili informonte kryekonsullatën në Shkodër dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme, në Vjenë.