Historia e burrit trim e të mençur që si hakmarrje u arrestua nga austro-hungarezët

Nga Muharrem GJOKA

Mjeshtër i Madh & Nënkryetar i OBVLP

Mes 700 “tigrave” të Reç e Dardhës  (siç  njihen nga populli trimat reçjanë e dardhjanë) që qëndruan heroikisht dhe mposhtën bandën e Xhafer Balit në të ashququajturën “Beteja e Kodër Kacës” e 8 shtatorit 1941, ishte edhe burri trim e i mençur Selman Ahmeti i Reçit. Edhe Selmani ishte njëri nga “Tigrat e Maleve” të Reç e Dardhës që u mblodhën në Kodër të Kacës,  i përcaktuar si vendi më strategjik për të mposhtur këtë bandë kriminale. Shumë domethënës ishte momenti kur takohen reçianët me dardhjanët, shtrëngimi i duarve, besa e lidhur, vendimi i marrë, që i bënte ata të ecnin me kokën lart pa iu dridhur qerpiku.

Burrat e këtyre anëve kur shkonin në kuvende për beteja lufte me armikun, visheshin me rrobat më të mira. Nënat, gratë e motrat e tyre i kishin përgatitur me kostumet më të bukura kombëtare të krahinës. Kështu si dritë shkëlqimtare spikaste edhe trimi Selman Ahmeti, i veshur bukur, që nga opingat me gjalma të bardha, çorapet të qëndisuar, tirq me gajtanë, këmishën e bardhë me mëngë të lëshuara, brez leshi të thurur me larmi ngjyrash, xhamadanin me gajtanë e qeleshen e bardhë, e deri tek sumbullat e xhamadanit, si dhe  qestekun e sahatit që xixëllonte nga rrezet e diellit e që krijonin shije artistike mahnitëse dhe të dukej sikur ishte me të vërtetë njëri nga  krushqit e një dasme madhështore.

Në Kodër të Kacës u grumbulluan burrat e tre Maleve të Dibrës: Reçit, Dardhës e Çidhnës. Thonë se të gjithë u çuditën kur Xhafer Bali thirri emrin e Selman Ahmetit, të përjetësuar edhe në vargjet e këngës popullore: “Hajde, hajde Selman Ahmeti, me tirq të bardhë, me gajtana vrasheri…”.

Ndërsa Selmani i përgjigjet: “Or Bal, shtatë krajla kanë përcjell këto troje e kështu do të përcjellim edhe ty me faqe të zezë”.

Dhe ashtu si shqiponjë mali luftoi trimërisht Selman Ahmeti, krahas burrave të dheut derisa e përzunë Xhafer Balin me bisht ndër shalë….

Nuk ishte rastësi kjo qëndresë, pasi Selman Ahmeti, si edhe qindra e mijëra malësorë dibranë ishte kalitur ndër beteja të ashpra kundër pushtuesve serbë. Ai ka marrë pjesë trimërisht në luftën e Kolesianit dhe vite më vonë kishte treguar vendosmëri e trimëri të pashoqe në betejën e ashpra të Çidhnës.

Me vendosmëri iu është përgjigjur Selman Ahmeti i Reçit edhe pushtuesve austro-hungarezë. Me vrasjen e lejtnantit austriak në Reç, u bë reprezalje, ku shumë burra u vranë dhe disa të tjerë i arrestuan dhe i dërguan në burgun e Zhurit të Prizrenit. Mes këtyre burrave, i arrestuar ishte edhe Selman Ahmeti, të cilin e shpëtoi Elez Isufi.

I brujtur me ndjentat e zjarrta të atdhetarizmit, Selmani ka qenë për gjashtë muaj me të birin, Manin, në Tiranë në mbështetje të Fan Nolit. Po ashtu ai ishte përkrah gjeneralit me shajak Elez Isufi, në luftën e Tiranës. Në këtë luftë ai është plagosur.

Ky burrë trim dhe i mençur, si dhe shumë të tjerë nga Reçi, Dardha e gjithë Dibra e priti me urrejtje të madhe pushtimin e vendit nga Italia fashiste me 1939. Bashkë me dhjetra patriotë Selman Ahmeti ka shkuar deri në Qafë Shtamë për t’u armatosur. Ata shkuan të mobilizuar për të luftuar pushtuesin italian, por fatkeqsisht atje konstatuan se armëve u kishin hequr shulat.

Selman Ahmeti ka lindur në fshatin Kraj Reç të Dibrës. Ai i përkiste një familje të mesme fshatare, patriarkale që përbëhej nga 12 veta: dy prindërit, i jati Ahmeti dhe e jëma Fazilja, katër djem e gjashtë vajza. Ndër katër djemtë, Selmani e Ademi njihen për qëndresën ndaj pushtuesve të huaj, ndërsa Cani dhe Daliu (dy të fundit) vdiqën nga helmimi i ujit në Durrës më 1920.

Kjo familje ishte shembull në gjithë krahinën për solidaritetin mes vëllezërve, për dashurinë ndaj përindërve e motrave, për respektin e ndihmën ndaj miqve, secili më i mirë se tjetri. Por gjithsesi Selmanit i mbeti barra e drejtimit të familjes, si i pjekur para kohe. Ai që në vogëli dallohej për shkathtësi, zgjuarsi, dashuri e bujari.

Selman Ahmeti ka qenë pjesë e parisë së Reçit, ku gjithnjë e në çdo rrethanë kërkonte drejtësi, duke qenë krah të vegjëlve.

Në harkun kohor të viteve 1942-1944 Selman Ahmeti ka qenë sejmen në Glashnik, Maqedoni. Në maj 1944, kryekrinimeli Xhem Sinica, me forca të shumta sulmuan për të grabitur zonën që kishte në mbrojtje Selmani. Ai ra trimërisht në përleshje më këto forca, për të mbetur hero i heshtur. Gjithsesi la pas një familje të madhe, me katër djemtë: Man, Mustaf, Sadik e Ali Selmani (që ftakeqësisht asnjëri nuk jeton) si dhe vajzën e vetme Havë Selmani. Karakteristikë e kësaj familje qe harmonia e solidariteti, sidhe mirësia e bujaria, të trashëguara nga krijuesi i saj Selman Ahmeti.

Pikërisht për akte trimërie e mençurie ai kujtohet në Reç e në gjithë Dibrën dhe nderohet si njeriu i dashur e human dhe si  simbol i urëtësisë e mençurisë dibrane.