Shaqir Çerpja
Në Reç midis malesh, përtej Kojzakut dhe sipër përroit të Mallës e poshtë kepit të Lushës, i heshtur, por krenar shtrihet e ndodhet fshati Gjurrë-Reç. Në këtë fshat, përveç fisit të Laçit banonin e banojnë edhe fise të tjerë. Është thënë e thuhej se në fshatin Gjurrë-Reç, dielli lind e bie për hatër të fisit të Laçit.

Shumë vite kanë ardhë e kanë shkuar, shumë kohë ka kaluar dhe shumë gjëra kanë ndryshuar. Kanë ndryshuar njerëzit dhe breznitë njerëzore. Nuk kanë ndryshuar vetëm njerëzit, por ka ndryshuar edhe natyra. Ka ndryshuar udha e rrjedhës së ujit të përroit të Mallës. Kanë ndryshuar edhe disa rrugë. Disa rrugë janë zgjeruar, disa rrugë janë ngushtuar dhe disa shtigje janë mbyllur e nuk duken më. Kroi i Mëllezës aty është e aty rrjedh, por dhe ai ka ndryshuar. Aty është edhe kulla trekatëshe e Sul Lushës, por edhe ajo ka ndryshuar, ka mbetur e heshtur dhe e vetmuar. Por në Gjurrë-Reç nuk ka ndryshuar historia dhe lavdia e Gjurrë-Reçit. Nuk ka ndryshuar as kulla tre katëshe, e moçme dyqind e pesëdhjetë vjeçare e Suf Laçit, në të cilën akoma ka jetë e ku jetojnë pasardhësit e brezit të katërt të Suf Laçit.
Në Gjurrë-Reç nuk është shuar malli dhe nuk është harruar emri dhe kujtimi i djalit dhe birit të Reçit, njeriut të drejtë, dashamirës dhe human dhe mësuesit të përkushtuar, të palodhur e të papërtuar, Qazim Laçi, i cili, porsi qiri u dogj dhe u shkri për dije, dritë dhe dituri. Nuk është harruar fati që pati dhe goditja e dënimi që i dha fati. Nuk janë harruar hallet që provoi, dhimbjet që duroi dhe vuajtjet që kaloi.
Ah, ai Qazim Laçi, … i miri, por fatkeqi! Dhimbjet dhe vuajtjet e tij i ndjeu dhe i përjetoi gjithë Reçi.
***
Qazim Laçi u lind në vitin 1921, në fshatin Gjurrë-Reç, Dibër. (Por për një gabim të regjistruesëve, në regjistrat dhe dokumentat shtetëror, Qazimi figuron i datëlindjes 1926). Ishte djali i madh dhe fëmija i parë i prindërve Ramadan Laçi dhe Hanishe Shehu (nga Kraj-Reçi). Qazimi u lind në trojet dhe në kullën e madhe të Suf Laçit. Ai ishte nipi i Suf Laçit, por ishte edhe nipi i njeriut të zgjuar e burrit të shquar, me shumë zë dhe emër dhe me shumë reputacion shoqëror e fetar, Imamit Imer Shehu.
Familja dhe tabani familjar i tij ishte baza për formimin njerëzor të tij. Por edhe dajat e tabani familjar i dajave patën rol e ndikuan në formimin e tij.
Familja e madhe dhe kulla e madhe e Suf Laçit ishte me emër e kishte zë, jo vetëm në Reç e Dardhë, Lurë e Arrën, por edhe më larg. Kishte shumë njohje, kishte rreth shoqëror e miqësor të zgjeruar dhe kishte shumë lëvizje, shumë hyrje e dalje njerëzish.Që në moshë të re, Qazimi u shërbente miqëve në dy odat e miqëve në kullën e Suf Laçit. Dhe, kontaktet, takimet dhe komunikimet me shumë njerëz, me miq e dashamirës të familjes së madhe të Suf Laçit, shumë nga këta miq e dashamirës ishn njerëz të njohur dhe figura të shquara, disa edhe të arsimuar, të cilët ndikuan në plotësimin e edukimit dhe formimit të tij me traditat tona kombëtare, me dashurinë për vendin, atdheun dhe për njerëzit dhe me ndjenjën e mikpritjes, bujarisë dhe humanizmit.
Krahas punës dhe punëve pranë familjes, tek Qazimi ishte ndez dëshira për shkollë e shkollim. Dhe nxitje e veçantë për këtë dëshirë të tij u bë edhe figura e arsimuar dhe e kompletuar e kushëririt të tij të afërm, Beshir Laçi, i cili, që para çlirimit të Shqipërisë ishte arsimuar në Internatin në Lis të Matit dhe në Burrel dhe në gjimnazin e Shkodrës dhe pas çlirimit ishte bërë njeri e personalitet me shumë reputacion shoqëror e shtetëror.
Qazimi e donte shkollën dhe shkollimin dhe me ndihmën e familjes arriti të shkonte, të kryente e të përfundonte shkollën në Internatin e Kastriotit. Pas përfundimit të shkollës në Internatin e Kastriotit, me ndihmën dhe nën kujdesin e dajës së tij, Sali Shehu, shkoi të punonte në Shkup. Qazimi kishte pasion futbollin dhe kur ishte në Shkup, e kërkojnë dhe futet në skuadrën e futbollit të Tetovës, ku në një ndeshje futbolli dëmtohet rëndë në gju dhe i nënshtrohet një operacioni në spitalin e Shkupit.
Pas çlirimit zgjidhet sekretar rinie për gjithë zonën e Reçit, por edhe sekretar rinie për organizatën e rinisë aksioniste në hapjen e rrugës automobilistike Kukës-Peshkopi.
Në vitin 1946 hapet shkolla fillore në Gjurrë-Reç dhe Qazimi, bashkë me kushëririn e tij Sadik Laçi fillojnë e punojnë mësues në këtë shkollë. Pas një viti, në vitin 1947, me orientimin dhe ndihmën e Beshir Laçit, i cili ishte kryetar i komitetit ekzekutiv në Peshkopi, Qazimi shkon në kursin metodik nëntëmujor në Shkodër. Menjëherë pas mbarimit të kursit, caktohet e punon mësues në Ushtelenxë, ku gjeti një ambient të ngrohtë, bujar dhe shumë miqësor e mikpritës. Edhe tani, familjarët e Qazim Laçit, me shumë mirënjohje dhe respekt, kujtojnë familjen e Ramadan Hoxhës, ku Qazimi jetoi bashkë me familjen e tij dhe hëngri bukë në një sofër me familjen e tij. Më pas, Qazimi punoi mësues edhe në Lashkizë, në Gjurrë-Reç, Ndërshenë, Arrmollë, Draj-Reç, Tejmollë dhe përsëri në Gjurrë-Reç.
Ai ishte shumë njerëzor, e njihte botën e fëmijëve, futej e jetonte në botën e tyre dhe me ngrohtësi e dashuri prindërore bisedonte me fëmijët, u shpjegonte dhe luante e këndonte me ta. Ishte i qetë, i qartë dhe i kuptueshëm. Kudo punoi me ndërgjegje dhe përkushtim maksimal shpirtëror, mendor, fizik e profesional. Ai ishte i përkushtuar maksimalisht për të përmbushur misionin fisnik të mësuesit dhe objektivat për të realizuar në shkallë sa më të lartë përvetësimin nga nxënësit të programit mësimor dhe edukativ.
Karakteri dhe shpirti i tij përshkohej nga zemërbardhësia dhe humanizmi. Krahas punës për realizimin cilësor të procesit mësimor dhe edukativ, ai përpiqej, punonte dhe luftonte maksimalisht për të mbajtur gjallë, për të kultivuar dhe forcuar ndjenjën e dashurisë për traditën dhe kulturën kombëtare. Ai me shpirt, me zë e zemër dhe me punë e vepra përcolli e përçoi nevojën që të gjithë të punojmë e të kontribojnë maksimalisht për vendin, atdheun dhe vendlindjen.
Bota shpirtërore dhe mendore e tij ushqehej nga dashuria për vendin dhe vendlindjen. Ai admironte çdo gjë që kishte erën dhe aromën e vendlindjes: historinë, natyrën, malet e bjeshkën, peisazhin, arat dhe livadhet, bjeshkët dhe stanet, gurët dhe krojet, udhët e shtigjet, lulet dhe pemët, deri edhe shkozën dhe frashërin, mëllezën, thanat dhe boshtrrën në Stërpalaj, në shpatin e Pojeve dhe poshtë majes së Rrasës.
***
Qazim Laçi, përveçse ishte njeri me cilësi dhe vlera e vyrtite të spikatura, ai ishte dhe mësues i kualifikuar dhe i përkushtuar për punën dhe profesionin. Por ishte dhe intelektual vizionar me horizont të ndriçuar nga dijet dhe dituria, i cili punoi e ndikoi edhe në zhvillimin kulturor dhe emancipimin shoqëror të njerëzve. Ai kishte shumë dëshira, ëndërra dhe shpresa për jetën. Por ai nuk mundi ta jetonte jetën ashtu siç donte, ëndërronte e shpresonte. Në vitin 1970, në kulmin e jetës dhe të karierës profesionale, tamam atëherë kur kishte krijuar stabilitet ekonomik dhe përvojë dhe siguri profesionale, fati e goditi rëndë dhe shëndeti i tij u prek dhe u trondit rëndë nga një sëmundje e rëndë, e gjatë dhe e pashërueshme, gangrena. Për shumë vite, nëntë vite me radhë, ai u lodh dhe u stërmundua, u dergj nëpër spitale në Peshkopi, Tiranë e Durrës, por shëndeti i tij nuk u përmirësua, por përkundrazi, nga viti në vit, nga muaji në muaj dhe nga dita në ditë, sëmundja agravonte e shëndeti i tij vetëm përkeqësohej. Qazim Laçi u bë pacient i përhershëm i reparteve spitalore të kirurgjisë në Peshkopi, Tiranë e Durrës. Jo pak, por plotë tetë herë u operua dhe operim pas operimi, ai mbeti pa asnjë gjymtyrë, pa këmbë, pa duar dhe pa krahë.
Sa e rëndë! Sa dhimbje! Sa vuajtje! … Dhimbja nuk kishte qetësi, vuajtja nuk kishte fund. Shpresat ishin ngurtësuar dhe kishin mbaruar.
Jeta e tij ishte një provë e sprovë e madhe dhe shumë e vështirë. Dhimbjet dhe vuajtjet e tij ishin dhimbje e vuajtje edhe për familjen e të afërmit e tij: për nënën Hanishen, për bashkëshorten Xhilen dhe fëmijët e tyre, për vëllain Asllanin dhe motrat, por edhe për dajat dhe të gjithë ata që e njihnin.
Por Qazim Laçi ishte shumë trim dhe shumë i fortë. Vuajtja e madhe dhe e gjatë e kishte forcuar shumë. Çuditërisht, edhe në atë gjendje, vetëm trup pa gjymtyrë, pa këmbë, pa duar dhe pa krahë, ai buzëqeshte, komunikonte ëmbël dhe me shumë dashamirësi dhe gjithmonë përcillte mirësi dhe forcë e fuqi.
Jeta e tij e vështirë, përtej dhimbjes dhe vuajtje ishte dhe është një mësim, vinte e vjen si testament se dhe fati i keq duhet pranuar dhe jeta e egër duhet jetuar, ashtu si të vij, edhe me dhimbje e plagë, me vuajtje e vështirësi. Në gjithë jetën e tij të vështirë ai diti të qëndronte dhe qëndroi vertikal, si kulla e moçme trekatëshe e Suf Laçit, ku ai lindi dhe u rrit.
Pas nëntë vjetësh dergjie në shtrat, nëpër spitale e salla operacionesh, më 24 maj 1978, Qazim Laçi mbyll sytë përgjithmonë.
Qazim Laçi, ky njeri dhe mësues me shumë vlera, meriton fjalët më të përzgjedhura e më të ndjera. Por nëpërmjet këtij shkrimi nuk mund të ndriçohen, të përshkruhen dhe të thuhen e të tregohen të gjithë vlerat njerëzore dhe përkushtimi dhe saktificat e tij njerëzore, familjare dhe profesionale për punën, për shoqërinë, për vendlindje, vendin dhe atdheun.
Qazim Laçi, porsi qiri u dogj dhe u shkri, për dije, dritë dhe dituri.