Nga Mevlud BUCI
Si shqiponja e kufirit ai ruan në kujtesë nderimin për shumë shokë e intelektualë të shquar si Dine Kaca, Shuaip Methasani, Bajram Stojku, Mehmet Vladi e plot të tjerë. Ky veteran i kufirit ka ditur ta nderojë popullin, brezat, familjen e shoqërinë
Dy vjet më parë, në Akademinë e Shkencave u promovua libri monografikpër Mark Ndrec Vladin e Lurës.
Prof. dr. akademik Shaban Sinani vlerëson se: “Figura e Mark Ndrecë Vladit, me historinë e origjinës, të lidhjeve familjare, të vështirësive të rritjes e të formimit, të pjesëmarrjes në luftën çlirimtare si antifashist, të përgjegjësive që mori në një prej kohërave më të vështira – në vitet e mëkëmbjes së pushtetit që doli nga lufta dhe të mbrojtjes së tij prej ndërhyrjeve nga jashtë e nga brenda, ka qenë më se e mjaftueshme për një monografi”.
Kjo monografi, nuk do ta kishte parë dritën e botimin pa kontributin e drejtëpëdrejtë të pinjollit të denjë të kësaj familje, Lenin Mark Ndrec Vladi. Të shkruash për këtë veteran të kufirit të kombit është sikur të futesh në një galeri me minerale, ku nuk din se kë të çmosh a të marrësh më parë.
Para 40 e kusur vitesh shkova bashkë me Rrahim Pepën, (kryeveterinerin e Kalasë së Dodës) nga Kalaja te Porta e Korabit. Atje, midis barinjve mësova për komandant Lenin Vladin (sot kolonel në pension), që e vlerësonin si njeriun, intelektualin dhe birin besnik të piramidave kufitare. Asokohe ai ishte vërtetë ushtarak model, fisnik, i thjeshtë, i urtë, vigjilent dhe kurdoherë i lidhur me popullin e trevës së Kalasë, Radomirën e Ploshtanin.
Pas 45 viteve, kur lexova librin “Mark Ndrec Vladi i Lurës” të autorit të shquar Preng Vorfi, më buroi nga zemra t’i shkruaj pak radhë gazetës “Veterani”.
Fëmijëria, shkollimi, puna e vështirësitë, pesha e detyrës të Lenin Vladit, dëshmojnë atë që thonë Kararet e Dheut: “Bëm baba të të ngjajë!”.
Lenin Vladi, bashkë me dy vëllezërit, Ndrecën e Dedën u rritën jetimë, nën kujdesin e nënë Dilës e të fisit të shquar Vladi të Lurës.
Lenini, në çdo stad të jetës demonstroi virtytet e të atit Mark Ndreca, i cili qysh në Lurë, Katër Grykë, Selishtë e kudo shfaqi fisnikëri, burrëri e nderim për popullin.
Shkrimtari i shquar Preng Vorfi shkruan: “Lenin Vladi, kurrë nuk do të harrojë vështirësitë e mëdha që ka kaluar me efektivat kufitare në Venisht, Radomirë e Ploshtan, nga terreni i vështirë, dimrat e zgjatur, agjentët atmosferikë të rënduar, probleme që kërkonin zgjidhje”(fq. 120 e librit).
Po. Ky është Lenin Vladi, tipik i Bajrakut që mbron kullën, fisin, vllazninë, shokët dhe miqësinë. Bir Lure e nip Mirdite, intelektual mendjendritur me një familje të respektuar dhe me fëmijë që nderojnë Lurën e kombin.
Si shqiponja e kufirit ai ruan në kujtesë nderimin për shumë shokë e intelektualë të shquar si Dine Kaca, Shuaip Methasani, Bajram Stojku, Mehmet Vladi e plot të tjerë.
Ky veteran i kufirit ka ditur ta nderojë popullin, brezat, familjen e shoqërinë. Ndaj dhe nderohet e respektohet edhe sot në pension si veteran që rrezaton dhe përçon kudo e ngado mirësi dhe vlera. Bashkëshortja, fëmijët, nipërit e mbesat, farefisi dhe Lura mbarë krenohen me Lenin Vladin. Ai ecën në gjurmët e të parëve, në gjurmët e të atit, nënë Dilës , në gjurmët e fisit e të Lurës kreshnike.