Si e eliminoi diktatori Presidentin e parë shqiptar të pas Luftës së Dytë Botërore. Misteret e vdekjes së Omer Nishanit
HALIL RAMA *MJESHTËR I MADH
Historia e vendit tonë është shumë e ngarkuar me ngjarje të ndryshme. Atë e shkruajnë jo vetëm studiues e historianë të mirëfilltë, por kushdo që ka për të treguar ngjarje që mbartin vlera historike. Njëri nga këta shkrues të historisë tonë kombëtare është edhe intelektuali i përmasave shumëdimensionale, Tomson Nishani, i cili me botimin e librit “Jeta e një Presidenti” (kushtuar Omer Nishanit), synon t’i shërbejë historisë së kombit. Këtë mision, Tomson Nishani (botuesi i disa librave si dhe i artikujve të shumtë të natyrës profesionale dhe propagandistike për kopshtarinë e vendit tonë, por edhe të natyrës historikoshoqërore) e përmbush më së miri edhe me këtë libër, duke folur për jetën e një presidenti, për të cilin dokumentet e publikuara nuk janë të shumtë.
I ndarë nga jeta para 10 vitesh, autori i këtij libri na la si “testament” biografinë e ish-Presidentit të Republikës së Shqipërisë, dr. Omer Nishani, i cili jetoi vetëm tetë vjet, (nga viti 1946-1954), pas çlirimit të vendit tonë nga okupatorët nazifashistë. Por që ndonëse e gjithë jeta e tij ishte vënë në funksion për të ideuar diçka të dobishme për Shqipërinë, në ceremoninë e varrimit të tij, pasi e kishin detyruar të dorëhiqej, qeveria komuniste e asaj kohe nuk pranoi të thërriste as bashkëshorten dhe asnjë nga njerëzit e vëllait të tij.
DOKUMENTI I PASHFLETUAR
Autori i këtij libri bën të ditur se për aktivitetin e dr.Omer Nishanit, në Arkivin Qendror të Shtetit, ka një dokumentacion të pasur, por që akoma nuk është shfletuar. Ai u lind më 5 shkurt të vitit 1887, në qytetin e Gjirokastrës, në lagjen e njohur si “Palorto”. Shtëpia e prindërve të tij ishte dykatëshe, e thjeshtë, me disa dhoma, me një kopsht të vogël dhe përpara me një shesh të kalldrëmtë. Pasi mori mësimet e para në qytetin e lindjes, Omeri u nis në Stamboll dhe atje pasi mbaroi shkollën e mesme, fillon studimet për mjekësi.
“Jeta e këtij intelektuali ka pasur prirje demokratike, nacionaliste me krah perëndimor, për një vend shqiptar të kulturuar dhe për një shoqëri të civilizuar. Ishte antimonarkist dhe antinazifashist. Në jetën e tij peshonin interesat e atdheut, prandaj ai emigroi dhe më pas u dënua me burgim dhe me vdekje, kështu që nuk mundi të vazhdonte ushtrimin e profesionit të mjekut, i specializuar jashtë vendit”, – shprehet autori i këtij libri në parathënien e tij.
Pasi ka hulumtuar nëpër arkivat e kohës, ai shprehet: “Dr.Omer Nishani, për vite me radhë jetoi jashtë Shqipërisë, në kushtet e një emigracioni të ashpër, ku asnjëherë dhe asnjë pjesë e jetës së tij nuk njohu paqe e qetësi. Kundër preferencave që i bënte qeveria fashiste e asaj kohe, ai zgjodhi udhën e vështirë të luftës me armë në dorë, kundër pushtuesve të huaj nazifashistë”.
Në shtabin e luftës partizane, dr.Omer Nishani tërhiqte vëmendjen me veshjen e tij. Një kostum ceremonial, me kravatë dhe me “kapele republike”, rrallë herë veç me këmishë të bardhë dhe në duar një pardesy të zakonshme. Ai vinte nga një karrierë e madhe politike, ku kohën më të madhe të emigracionit e kishte kaluar nëpër vendet më të civilizuara të Europës, në Zvicër dhe Austri.
NGA SHTABI I LUFTËS
Në përshtypjet që kishte për Omer Nishanin, zonja e dr.Ymer Dishnicës, shprehet se kur gjendej shpesh në shtabin partizan, midis drejtuesve të lartë, përveç kostumit që mbante veshur, të binte në sy mënyra e sjelljes së tij që ishte tepër shembullore. Që në fjalët e para kuptoje se kishe të bëje me një burrë shumë të kulturuar, që i donte dhe respektonte njerëzit. Dr.Omer Nishani mbetet një figurë tepër e njohur në prag të çlirimit të vendit nga nazifashistët. Në Kongresin e Përmetit në vitin 1944, ai do të shprehej se “Historia ka treguar se kemi dashur një Shqipëri më vete, të pavarur dhe të kundërt me nazifashistët dhe bashkëpunëtorët e tyre”. Në një fjalim tjetër, ai vlerëson fitoret e aleatëve kundër aleancës nazifashiste, sidomos zbarkimin e aleatëve perëndimorë në Normandi të Francës. Dr.Omer Nishani, sipas bindjeve të tij, në këtë fjalim të mbajtur në Berat, shpreh hapur mendimin se tashmë jemi qeveri demokratike.
Si forcë shoqërore lëvizëse, dr.Omer Nishani, në një takim tjetër me gruan antifashiste shqiptare, e vlerëson atë për kontributin e çmuar që dha në Luftën nacionalçlirimtare. Ai vlerëson gjithashtu forcën e vajzave dhe grave shqiptare, si thyese apo shkatërruese të zakoneve të vjetra shekullore të trashëguara nga qeverisjet e mëparshme.
Në vitin 1945 është botuar një broshurë me fjalimet, kryesisht të dr.Omer Nishanit, ku përmbajtja e atyre referimeve ka natyrë progresiste, të moderuar dhe shumë emancipuese.
KUSH ISHTE OMER NISHANI
Omer Nishani ka lindur më 1887. Ka qenë diplomuar për mjekësi në Turqi. Më 1914 ka shërbyer mjek në batalionin e Gjirokastrës, vit kur edhe dërgohet nga qeveria në Vjenë për t’u praktikuar si mjek ndër klinikat e atjeshme. Kthehet nga atje në vitin 1915 ku për tre vitet në vijim deri më 1918 shërbeu si doktor i bashkisë së Ballshit në varësi të Prefekturës së Beratit. Në vitet 1920 –‘24 ka ushtruar profesionin e mjekut në spitalet e Tiranës dhe të Durrësit, por largohet nga vendi pas dështimit të qeverisë të Fan Nolit në dhjetor 1924. Në fillim të vitit 1924 burgoset për dy jave për shkak të pjesëmarrjes në atentatin ndaj Mbretit Ahmet Zogu në parlament. Në dhjetor 1924 largohet nga Shqipëria për në Itali e më pas në Austri.
Në Vjenë më 1925 ka qenë bashkëthemelues i Komitetit Nacional Revolucionar (KONARE).
Omer Nishani, më 1926 ka qenë drejtor i gazetës “Liria Kombëtare” në Gjenevë. Emri i tij shënohej në krye të gazetës deri më 22 korrik 1932, më pas nuk shkruhej se kush e drejtonte. Në harkun kohor të gjashtë viteve (1933-1939) dr. Omer Nishani ishte emigrant politik në Zante të Greqisë. Kthehet në atdhe pas pushtimit fashist të vendit.
Më 1940 u zgjodh anëtar të Këshillit të shtetit, funksion të cilin e mbajti deri më 13 janar 1944, ndonëse që në gusht 1943 kishte kaluar me radhët e Frontit dhe në Konferencën e Labinotit (1943) zgjidhet anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar.
Në kongresin e Përmetit të majit 1944, Omer Nishani u zgjodh kryetar i Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar. Njëkohësisht në Komitetin Antifashist Nacional Çlirimtar që kryesohej nga Enver Hoxha në tetor 1944, Omer Nishani mori postin e ministrit të Punëve të Jashtme, detyrë që e ushtroi deri më 9 shkurt 1946.
Në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, u zgjodh deputet i Gjirokastrës. Më 12 janar 1946, pasi Shqipëria ishte shpallur republikë, Nishani u zgjodh President i Presidiumit të Kuvendit Popullor, funksion që e mbajti deri më 31 korrik 1953. Ai u zgjodh sërish deputet i Gjirokastrës në Kuvendin Popullor, të dalë nga zgjedhjet e datës 28 maj 1950.
Omer Nishani ka vdekur në 25 maj 1954. Sipas një dosje të Ministrisë së Brendshme, autopsia e kryer vërteton se Nishani ishte vetëvrarë, ndonëse sipas një dëshmie qe vrarë nga djali i një ish-eksponenti kryesor të qeverisë së asaj kohe. Qeveria shqiptare e asaj kohe, ceremoninë e varrimit e përqendroi në vetvete. Nuk pranoi të thërriste as bashkëshorten e dr.Omer Nishanit dhe asnjë nga njerëzit e vëllait të tij. Më 27 maj 1954, gazetat e përditshme “Zëri i Popullit” dhe “Bashkimi” njoftonin shumë shkurt vdekjen e Nishanit në moshën 67-vjeçare “pas një sëmundje të rëndë”. Më 13 tetor 1989, spitalit të Gjirokastrës do t’i vihej emri i tij.
DORËHEQJA E DETYRUAR
Omer Nishani ishte politikan shqiptar i pas Luftës së Dytë Botërore, ministër i Punëve të Jashtme i Shqipërisë dhe kryetar i presidiumit të Kuvendit Popullor, që në atë kohë mbante edhe postin e kryetarit të shtetit. Dr. Omer Nishanit gjatë viteve të sundimit social-komunist iu desh të përballej me të tjera vështirësi, të cilat ndikuan në vitet e fundit të jetës së tij, kur mbeti i izoluar, i trishtuar deri sa mbylli jetën. Është e vërtetë se Omer Nishani ishte i sëmurë rëndë, por është po kaq e vërtetë se para vdekjes, vrasjes apo vetëvrasjes së tij, Enver Hoxha e kishte larguar atë nga tribuna kryesore e podiumit të Kuvendit Popullor. Është po kaq e vërtetë se dy ditë pas vdekjes, vrasjes apo vetëvrasjes së Omer Nishanit do të bëheshin zgjedhjet për Kuvendin Popullor dhe Omer Nishani nuk ishte propozuar si kandidat për deputet. Është po kaq e vërtetë se Enver Hoxha e kishte detyruar më parë Omer Nishanin që të jepte dorëheqjen si kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, gjë që ai e bëri më 1 gusht 1953. Sikur të mos mjaftonin këto, “shokët e tij të luftës” kërkuan ta nxjerrin edhe jashtë shtëpisë ku banonte. Sigurimi i Shtetit kishte nisur ndërkohë edhe përgjimin sistematik të jetës së tij të ngushtë private, gjë që nuk mund të bëhej kurrsesi pa një urdhër nga lart. Në këto kushte, mundet që Omer Nishani e ka ndjerë veten të poshtëruar, të zhgënjyer dhe ka vrarë veten. Megjithëse dr. Omer Nishani ka më shumë se gjysmë shekulli që është ndarë nga jeta, veprimtaria e tij mbetet jetësore.
Në mongrafinë “Jeta e një Presidenti”, autori i saj arrin të portretizojë me mjeshtri këtë figurë shumëdimensionale, si intelektual, politolog, publicist dhe drejtues i talentuar.