Nga prof. Naun Kule

Një nga librat historik-dokumentar të studiuesit Ismet Balaj  është: “Kulla e Currit Plot me Histori” .Ky libër i kushtohet burrave dhe burrneshave të një kulle, asaj të Currajve në Fushë-Arrëz të rrethit Pukë. Është  një libër  me 840 faqe  me referenca të shumta dhe mbi 400 dokumenta arkivore, hartuar me informacionet e mbledhura gjatë më se 40 vjet nga autori  i përkushtuar ndër vite gojë me gojë e derë më derë në  të dy rrethet Pukë e Mirditë, shfletuar ndër faqet e mëse 200 librave, ku mbi 20 dokumenta i përkasin vetëm njërit prej protoganistëve të librit, Pashk Currit si edhe bazuar në një krijimtari  shumë të pasur të folkut.          Bëmat e banorëve të kësaj kulle janë veprime luftarakë prej vitëve `81- të shekullit XVIII dhe deri më 1945, pra afro dy shekuj e gjysëm. Kjo histori  , ende lëvrin në gjakun dhe në genin e disa brezave njerëzorë i cili mbartet dhe gjakon ndër pasardhësit  e shumtë  të shtuar  sot në 46 shtëpi e familje Curraj, disa  të shpërndarë në Shqipëri, në Europë dhe në SHBA.

Kësisojë, kur e mbyll  faqen e fundit të librit, bindesh se puna e admirueshme  shumëvjeçare, hulumtuese dhe studimore e autorit Ismet Balaj, meriton shumë më tepër se lëvdatat e kolegëve, edhe posaçërisht vemendjen e instirutcioneve përkatëse shtetërore, vlerësimin e brezave dhe përhirimin e intelektualëve bashkëkohore.

Kjo edhe  sepse, në përmasat historike, shoqërore dhe politike të asaj kulle, është një pjesë e historisë shqiptare, është historia e njohur e gjithë shqiptarëve ,të cilët, kanë mbijetuar pikërisht në sajë të simbolikës së kullës, kalasë a kështjellës, të mësyrë herëpashere nga veriu, nga jugu, lindja, a nga deti. Luftëtarët popullorë  të  Currajve patën motiv kryesor të jetës së tyre:” Nuk due grada, as flori, por due flamurin kuq e zi” që  thoshte Nikollë Curri, këngë krijuar dhe kënduar nga rapsodi pukjanë Prendush Gega(Artist I Merituar)  i fundit të shekullit XIX dhe i çerekut të parë të shekullit të njezetë.

    Në llojin e vet, libri është letërsi dokumentare, e cila, siç dihet, ka dy shanse; të shkruhet bukur  a po të shkruhet saktë…?

      Dihet se e bukura , jo gjithnjë është e saktë. Ashtu  si edhe e sakta, e vërteta, jo gjithnjë është e bukur për t`u pranuar nga të gjithë. Pra autori i një libri të tillë, doemos do të  lëvizë mes këtyre këtyre dy kërkesave gjithnjë me pyetjen pezull, ta shkruaj bukur, duke shmangur ose sheqerosur  të vërtetën, a po të them të vërtetën siç ishte. Vështirësia qëndron në gjetjen e një kombinimi të arsyeshëm midis këtyre dy  mënyrave të paraqitjes së realitetit.

     Në shumicën e rasteve gjithë përgjigjet e këtij dyzimi konceptual vijnë dhe reduktohen në një, në kompromisin e dy shkencave aq të afërta e të ngjashme sa dhe të ndryshme për nga objekti studimet, siç janë letërsia dhe historia.

     Pikërisht ky kompromis, i gërshetuar në një raport të drejtë dhe të barazpeshuar mes letërsisë dhe historisë, do të na rezultonte në një krijim të bukur për t`u lexuar dhe po aq I dobishëm në vlerat informative. Pra autori, kryefund mbetet besnik i zgjedhjes që ka bërë, por edhe i përkujdesjes jo vetëm për çka do të na rrëfejë, si edhe për mënyrën se si do të na rrëfejë, pra mjeshtria artistike dhe stili me të cilin do të na e thotë. “Dokumenti historik është  i ftohtë “, shkruan studiuesi Nasho Jorgaqi në librin “Poetika e dokumentit”.

    Pikërisht në ftohtësinë indiferente të dokumentit, gjëndet edhe poetika  e tij, pikërisht tek  bukuria e bemave dhe e historisë që ai mbartë dhe përcjellë ndër breza. I vetmi mjet i autorit për ta shndërruar këtë indiferencë të dokumentit në ngazëllim dhe dëshirë për lëxuesin , është  fjala dhe stili, gjetjet dhe përzgjiedhjet artistike sigurisht, në masën që mban dhe mbartë vet dokumenti, heroi ose figura historike. Nëse një dokument i rëndomtë  historik, do ta ngarkonim me letërsi  a më keq, me letrarizma dhe plagjiatura gramafonash, atëherë vlerat e dokumentit, në vend që të shtoheshin,  firojnë e zhbëhen. Çelësi mbetet gjithnjë tek sensi i masës në raportin mes letërsisë dhe historisë si dy shkenca që japin e marrin  me njëra-tjetrën.

     Pas këtyre shëmbujve  dhe parashtrimeve modeste, mund të pohojmë  se studiuesi  Ismet Balaj qëndron mirë në balancën  e këtyre kërkesave metodologjike të krijimitarisë dokumentare, pasi merr përsipër  dhe përgjithësisht e realizon  mirë staturën e krijuesit artistik, me gjetje, përshkrime, peisazhe, dhe karaktere që e shoqërojnë gjatë lëxuesin, krahas historianit skrupuloz, hulumtuesit pasionant dhe vendosjes së dokumenteve historik në kohën dhe në hapsirën e nevojshme, shpesh herë si gur themeli mbi të cilët lartëson kullën e tij të krijimit, librin e vet, shumë më lart, e më e madhe dhe më jtetëgjatë se kulla fizike e Currajve.

     Në të shumtën e faqeve të librit, autori është pasionant i dashuruar tërësisht me gjithçka të mirë dhe të bukur që i ofron historia e Malësisë sonë, me njerëzit aktorë dhe autorë të kësaj historie qindravjeçare, me heronjtë  që  merr  të  na i paraqes në luftë  dhe në dasma, në burg dhe në gëzime, në lindje dhe në shkuarje, në ikjen nga kjo botë me dhimbjen e zhgënjimit  njerëzor për padrejtësitë e jetës, pa e ditur se kë të nëmë e kë të falë…

Kështu ngrihet Kulla e Currajve tek ndritë në historinë  e vet shekullore  dhe fton brezat për të mos e harruar.

Puna disa vjeçare, këmbëngulëse dhe me durim e autorit Ismet Balaj, ka ngritur një kullë të re, madje jo vetëm të Currajve, por edhe e të gjithë shqiptarëve, si pjesë e historisë kombëtare. Ka skalitur me mjeshtri  figurat qëndrore Currajve, si Pjetër, Kolë,Prengë,Zekë dhe sidomos dy prej tyre:Nikollë e Pashkë Curri,(babë e bir), por edhe të grave burrnesha si  Frange e Prenda Curri. Karakteristika e veçantë e tyre është  qëndresë, lufta  kundër të gjithë pushtuesve  turq, serbë e malazezë, austriakë, italianë dhe gjermanë (1806-1945)si edhe mbijetesa  në kushta shumë të vështira gjatë shekujve.

Kjo kullë, e shpalosur bukur dhe saktë në faqet e këtij libri ,është shumë më e volitshme, si histori e fiksuar, e lëvizshme  dhe e pranishme, për ta mbajtur  pranë si pjesë të vetës, të qenies  dhe të kujtesës sonë historike.

Nëse pasardhësit e Currajve do të bënin udhë për t`u ngjitur tek kulla e Currajve, autori ua ka shkurtuar udhën dhe lehtësuar mundin, sepse ua ka sjellë kullën e tyre aty në shtëpinë e gjithësecilit, kudoqë të jetë në Shqipëri, në Europë dhe kudo nëpër botë. Madje jo vetëm Kullën e Currajvë, por tërë Malësinë me plot pjesë të panjohura të historisë shqiptare. Në këtë mënyrë, jo vetëm një i Curraj, por çdo lëxues do ta kuptojë më mirë se (për ta mbyllur me një fjalë të urtë të autorit Ismet Balaj),

”Pëma, sado të lartë të këtë trungun dhe sado të shpërndara të jenë degët  dhe gjethet, ushqimin e marrin nga rrëjnët, nga mëma e tyre, toka”. Kështu, kudoqë të jetë, ai ka me vete shpirtin e të parëve të sendëzuar në libër, e jo vetëm kaq, por edhe  një pjesë  të historisë sonë kombëtare.