Rekuiem për stacionin e
vjetër të trenit
Matanë kësaj rruge, është stacioni i trenit
(Ai është mbyllur, ka kaq vjet)
Janë shkrirë lokomotivat dhe vagonët e vjetër
Miqte e mi mashiniste, kanë shkuar në kurbet.
Lokomotiva e mëngjesit ka bërë vetëvrasje
Ajo që na zgjonte çdo ditë,në shtatë pa pesë
Unë doja ca kohë që të hapja qerpikët
Pastaj vishesha shpejt, pa përtesë.
Ateherë ish vështirë, të më mbante shtëpia
(Udhëtimet për mua qenë jetë)
Më pëlqenin lokomotivat, vagonët, shpejtesia
Dhe faturinot e bukura, me sytë mbi biletë.
Më vonë frynë ca erëra dhe stuhi marrëzish
(Ne na pushton shpejt marrëzia )
Sirena e mëngjesit u kalb, zuri ndryshk
Dhe bashkë me të dhe udhëtimet e mia.
Tashmë në peron shoh një turmë endacakësh
Që shajnë njëri tjetrin me shprehje banale
Dritëhijet e tyre lëvizin dritareve
Në trajta dhe formë surreale.
Përtej kësaj rruge, është stacioni i vjetër i trenit
Me mure gri, si një mesjetë
Po pret kaq kohë që të ringjallet
Siç presin të vdekurit, nga fryma e shenjtë!
Skulpturë e papërfunduar
Trendafilat mbi flokë s’lëshojnë ende aroma
Por sytë e saj janë të ftohtë si acar
Ajo i ngjan një skulpture të papërfunduar akoma
Braktisur nga mjeshtri, pak kohë më parë
I shmang gjithë njerëzit që ka pranë
Mbështjellë me pyetje dhe kërshëri
Ajo jeton jetën e saj
Dhe s’le në të, të hyjë njeri.
Megjithatë, kjo s’do të thotë
Se ajo s’pret ndonjë trokitje
Kjo mund të ngjasë dikur patjetër
Ndonjë mëngjes, apo mbasdite.
Dikush papritur do trokasë
Tek porta e saj plot ëmbëlsi
Mund të jetë ndonjë çapkën sykaltër
Ose ndonjë djalë me flokë të zinj.
Ajo do të dalë në prag patjetër
Nën dhëmb diçka do mërmërisë
Gjithmonë me sy pak mosbesues
Por kurrë të veshur prej besdisë.
Trëndafilat mbi flokë ngjajnë të parritur akoma
I tremb dhe erë më e lehtë
Ato s’lëshojnë ende aroma
Por kjo do ndodhë shumë shpejt, shumë shpejt.
Kafe e lënë në mes
Kafe e lënë në mes, në një tryezë të vetmuar
Dhe një bisht cigareje, e ngjyer në rozë,
Ajo që e ka pirë, ka qenë patjetër një grua
Me sy të hutuar, nervozë.
Dikush do ta ketë fyer nga tryeza përballë
Me fjalë që nuk thuhen me gojë
Mes nesh ka kaq njerëz me tru të përdalë
Që unë s’kam dëshirë ti kujtoj.
Një lëmsh i’u ka mbledhur në fyt pakuptuar
Një çast do ketë ndier dhe pak frikë
Filxhani i kafesë i është derdhur në duar
Dhe ajo ka nxituar të ikë.
S’ka dashur ta zgjasë me atë të tip të mallkuar
(Më mirë larg prej njerëzve të tillë )
U ka mbyllur në dhomë si gjithmonë e vetmuar
Me fytyrën e verdhë si dyll.
Në darkë pa dëshirë, do të shtrihet në shtrat
Me hap të dërrmuar, të thyer
E di se pa gjumë do ti shkoj gjithë kjo natë
Me sy drejt tavanit mbërthyer.
Kafe e papirë në një tryeze të vetmuar
Përzier me vrer dhe mërzi
Këtu pak më parë u fye keqas një grua
Ndaj asaj i vjen turp, të më shohë drejt në sy!.
Metaforë malli për dallëndyshen e shtëpisë sime
Ende s’ kam ndonjë lajm, nga mikja ime e vjetshme
(Dallëndyshja e bukur me krahët e gjata)
Ne rrinim çdo ditë, tre muajt e verës
Dhe na ndante veç nata.
Me ardhjen e vjeshtës, u përgatit për të shkuar
(Atje ku shtegton soji i tyre )
S’ia harroj dot fytyrën, me mjegull mbuluar
Dhe lotin e tharë posht qerpikëve.
Sikur e ndjente që me mua
S’do shihej më, në këtë jetë
Prandaj u nis që pa aguar
Nën qiejt e ndezur nga rrufetë.
I dridhej gjoksi prej trishtimit
Këtë ma tha një miku im
Ka shumë nga ne, që i vret ndarja
Dhe i shndrron befas në trishtim.
Ende nuk kam lajme nga mikja ime e vjetshme
(Ka mbetur shkretë shtëpizë e saj )
Unë besoj shumë tek malli i zogjve
Prandaj drejt qiellit sytë i mbaj !
Baladë vjeshte
Ti ike atë ditë bashkë me lejlekët
(Ende s’kam mësuar ç’ të ka ngjarë)
Nuk më le as kohë, të t’përshëndesja
Ose të të thoja udhë të mbarë.
Dhe të të pëshpërisja lehtë në vesh
Fjalë që veç për ty kisha krijuar
Ne to kisha vënë ca diej të vegjël
Nga ata qe ndrijnë ne të aguar.
Ato ty të ngrohnin herë pas here
Sa herë që kish erë dhe acar
Mua s’më pëlqejnë aspak magjitë
Po për ty u bëra magjistar.
Tashmë që ti po shkon nën qiej të vrejtur
Ajri nga vetmia mund të plasë
Edhe unë i dashuroj lejlekët
Po nuk bëj si ti , ti ndjek. nga pas.
Ti ike atë ditë bashkë së bashku me verën
Gjethet nëpër degë ende s’qenë tharë
Unë e di, që ti nuk e do vjeshtën
Por të paktë të prisje shiun e pare.
Vetëm pashë tragetin tek largohej
Mbushur plot me pengje dhe udhëtarë
Lejlekët i kthen në pranvere
Ta bëjnë të qesh ajrin e ngrirë
Nuk do ish keq sikur të vije
Do ish shumë mirë, do ish shumë mire.
Ullinj në jug
Me njëri tjetrin përqafuar
Dhe pakëz mjegull lartë në maj
Stuhia e fundit sa ka shkuar
Duke lënë pas dhunën e saj.
Askush s’më thotë se kur janë mbjellur
(Në këtë fshat s’ka më njeri)
Ca zëra thonë se kanë mbirë vetë
Bashkë me shkëmbinjtë të bëhen nji.
I’u janë kërrusur degët shekullore
Një pjesë e trungjeve i’u janë çarë
Netëve një erë me ta fërkohet
Dhe i’a merr këngës me të qarë.
Megjithatë çdo mars blerojnë
I mbushin degët plot përplot
Me çdo udhëtar llafe ndërrojnë
Dhe shpesh nga sytë, fshijnë ndonjë lot.
Në mënd i’u vijnë kaq data e ngjarje
Heronj të lashtë dhe të rinj
Kush pati fatin t’iu rri afër
Dhe s’mori pak përjetësi.
Një lëng i trashë iu rrjedh nga trungjet
Me grimca diejsh edhe resh
(Të vetmet pemë që s’dijnë të vdesin
Por mbjellin pak epikë mes nesh!
E çmendura e qytetit N.
Ajo vazhdon, të flasë me veten akoma
(Unë s’e dëgjoj, sepse jam larg)
Shikoj vetëm ajrin, që nxjerr ca flluska të vogla
Dhe zhurmën e tingujve përqark.
Gjithmonë del këtu që me rrezen e pare
(Dhe zhduket më pas çdo mbasdite)
Ka shumë si ajo në këtë qytet kaq të madh
Ndaj njerëzve s’iu bën aq përshtypje.
Dikush që se njeh, për një çast ndalon hapat
Më pas ikën shpejt, me nxitim
Nën fytyrën e saj, ngurtësuar nga ankthet
Shikon vetëm hije dhe tym.
S’pranon me asnjë të ndërrrojë ndonjë fjalë
(Çdo kureshtar e nervozon )
Para saj honi i jetës, hap gojën ngadalë
Dhe pret ta thithë, shpejt, apo vonë
Shpesh herë nga mërzia, i vjen të thërrasë
Me klithma dhe nota prej vaji
Nuk di pse më ngjan me Kasandrën e lashtë
Që loz mes nesh dramën e saj.
Ajo shfaqet çdo ditë, që me rrezen e parë
(Dhe zhduket në çdo perëndim)
Duke u tallur pa fund me fatin e mbrapshtë
Këtë botë , me emrin përçmim!