Aktualisht OBVLP ka degët e saj në 12 qarqet e vendit, me struktura efektive progresiste
• Në Kuvendin e fundit (26 korrik 2024) OBVLP, zgjodhi kryetare Znj. TATJANA PARLLAKU -ÇARKAXHIU, e cila, me qëndrimet publike në disa akademi përkujtimore, si dhe në disa veprimtari promovuese të librave të autorëve, anëtarë të OB VLP, me artikulimet brilante në vlerësim të LANÇ e të historisë së organizatës tonë, ka fituar jo vetëm respektin, por edhe autoritetin e duhur në masën e gjerë të veteranëve e pasardhësve si dhe në mjediset akademike, shkencore e letrare
Nga Halil RAMA – Mjeshtër i Madh*
Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar dhe pasardhësve (OBVLP), më 18 korrik 2026 mbush 32 vjet nga krijimi i saj. Në më shumë se tri dekada aktivitet intensiv, OBVLP u dëshmua para shqiptarëve si Organizata që vlerëson lart kontributin e shquar të popullit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore, që dënon krimet e komunizmit, që mbështeti fort Luftën e drejtë të UÇK dhe në tërësi çështjen mbarëkombëtare shqiptare.
64 PERSONALITETE, ISH-DREJTUES TË LANÇ, TË USHTRISË SHQIPTARE E STRUKTURAVE TJERA QEVERITARE, NISMËTARË TË KRIJIMIT TË OBVLP
Rënia e Murit të Berlinit në nëntor 1989 dhe ndryshimet demokratike në Evropën Lindore u reflektuan edhe në Shqipëri me përmbysjen e diktaturës komuniste, duke sjellë ndryshimin e sistemit shoqëror dhe kalimin në demokracinë e bazuar në pluralizmin partiak dhe sigurimin e lirisë së njeriut.
Por, drejtuesit e shtetit të ri mbetën politikanët me prejardhje nga diktatura komuniste, më e egra në Evropën Lindore dhe rrjedhimisht qeverisja e re nuk mund të ishte plotësisht demokratike. Në këto kushte veteranët e luftës që nuk kishin marrë pjesë në krimet e PPSH dhe Enver Hoxhës, u mblodhën para 32 viteve (korrik 1994) dhe krijuan Organizatën e Bashkuar të Veteranëve të Luftës (OBVL), që kishte për qëllim të mbështeste proceset demokratike dhe shtetin ligjor dhe t’i bashkonte veteranët e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të popullit shqiptar në një organizatë të vetme, për të ruajtur më mirë traditat e luftës dhe të drejtat e tyre.
Kësisoj, e krijuar para 32 vitesh me nismën e një grupi prej 64 personalitetesh, gjeneralësh dhe luftëtarësh, figura politike të respektuara, por fatkeqësisht të dënuar nga regjimi komunist, Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës së Popullit Shqiptar (OBVL) do të bëhej promotore e mbrojtjes së vlerave tona kombëtare. Në këtë grup bënin pjesë figura politike të respektuara që kishin qenë drejtues të reparteve partizane, mnistra e zv/ministra, siç ishin: Dr. Ymer Dishnica, gjeneral Rrahman Parllaku, gjeneral Nexhip Vinçani; Sadik Bekteshi (gjeneral lejtnant – Hero i Popullit), gjeneral Muhamet Prodani, Skënder Malindi, Edip Ohri, Kiço Ngjela, Manol Konomi, Fadil Paçrami, Maqo Çomo, dhe Ernest Jakova; luftëtaret e shquara, drejtuese në luftë e aktiviste të OBVL: Selfixhe Broja(Ciu), Zenepe Golemi (Ashiku), Liri Belishova, Vera Ngjela (Pojani) e disa të tjera, por fatkeqësisht të dënuara nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës.
Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës së Popullit Shqiptar (OBVL) është një organizatë shoqërore atdhetare. Ajo u formua që të vlerësojë realisht historinë e luftës së lavdishme Nacional Çlirimtare, që të shmangë shtrembërimet e periudhës së regjimit totalitar, mohimet dhe politizimet e bëra si rezultat i regjimit diktatorial të E.Hoxhës, por edhe me qëllim të caktuar nga individë që kërkonin lavdi dhe pushtet të pamerituar. Në kurthin e tyre ranë me dëshirë dhe me servilizëm historianë të ndryshëm që e shtrembëruan historinë e LANÇ.
ORGANIZIMI
Organizata e Bashkuar e Veteranëve të LANÇ u shtri rrufeshëm në gjithë Shqipërinë. U krijuan dhe u konsoliduan degët tona në rrethet si vijon: Në Tiranë me kryetar z.Muhamar Spahiu, Korçë, me kryetar Z.Haxhi Runi, Elbasan me kryetar z.Sami Vinçani, Durrës, me kryetar z.Idriz Hoxha, Shkodër me kryetar z.Muharrem Bushati, Lushnjë me kryetar.z.Iliaz Ahmeti, Krujë me kryetar z.Fadil Veseli; Lezhë me kryetar z.Loro Gjeçi, Tropojë me kryetar z.Hamit Neziri; Fier me kryetar z.Nazif Ago, Mat me kryetar z.Ismail Muharremi, si dhe në të gjitha rrethet e vendit. Vlen të përmendet kontributi i veteranëve Fluturak Vinçani (Korçë), Genc Ballanca (Durrës), Osman Xhindoli (Shijak), Jorgji Terca (Tiranë), Xhemal Meçi (Pukë), Agim Dylgjeri(Elbasan), Ali Demushi(Shkodër) etj.Në Kuvendin e fundit (26 korrik 2024) OBVL, zgjodhi kryetare Znj. TATJANA PARLLAKU -ÇARKAXHIU, e cila, me qëndrimet publike në akademitë përkujtimore kushtuar gjeneralit legjendë Rrahman Parllaku – Hero i Popullit dhe Nderi i Kombit, gjeneral Dali Ndreut – Nderi i Kombit, legjendës së aviacionit shqiptar Edip Ohri, si dhe në disa veprimtari promovuese të librave të autorëve, anëtarë të OBVLP, si Halil Rama, Skënder Murrja, Arben Alliu e Beshir Cala, me artikulimet brilante në vlerësim të LANÇ e të historisë së organizatës tonë, ka fitur jo vetëm respektin, por edhe autoritetin e duhur në masën e gjerë të veteranëve e paasradhësve si dhe në mjediset akademike e letrare. Po ashtu, ky Kuvend bëri një ndryshim në Statutin e OBVL, duke e quajtur: Organizata e Bashkuar e veteranëve të LANÇ dhe paasrdhësve (OBVLP).
Aktualisht OBVLP ka degët e saj në 12 qarqet e vendit, me struktura efektive progresiste. Tre vitet e fundit OBVLP ka riorganizuar degët e saj në qarqet kryesore, si Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër e Dibër, në drejtimin e të cilave janë zgjedhur personalitete të njohura publike, si ish – oficeri shembullor HASAN SHEHU (Tiranë); publicist dhe shkrimtari i mirënjohur SHPENDI TOPOLLAJ (Durrës), studjuesi ALI DEMUSHI me karrierë të gjatë si officer shembullor (Shkodër); MAKSIM VINÇANI (Elbasan) , MUHAREM KAMANI (Përmet); mësuesi veteran, shkrimtari dhe publicist Mevlud Buci (Dibër) etj.
KATËR PERSONALITETE TË OBVL-së “NDERI I KOMBIT”
Pikërisht për rolin që ka luajtur, si mbrojtëse dhe promovuese e vlerave më të mira kombëtare shqiptare, Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftrave për Liri e Pavarësi të Popullit Shqiptar (OBVL) është ndër organizatat më të vlerësuara nga institucionet shtetërore, me katër personalitete “Nderi i Kombit”. Me këtë titull të lartë të akorduar nga ish-presidentët Nishani e Meta janë vlerësuar dy kryetarët e parë të OBVL: Dr. Ymer Dishnica e gjeneral Rrahman Parllaku, si dhe gjeneralët Nexhip Vinçani e Veli Dedi.
Ish – kryetari i OBVL, gjeneral Rrahman Parllaku, është dekoruar me titullin “SIMBOLI I QYTETIT TË TIRANËS” , si dhe me titujt “QYTETAR NDERI” i Qarkut Kukës, “Qytetar Nderi” i Bashkisë Shijak dhe i ish – komunës Kurvelesh.
Ndërkohë, me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” janë dekoruar ish-themeluesit dhe drejtuesit ndër vite të kësaj organizate: Ish-nënkryetari dhe kryetari i saj, kolonel Myfit Guxholli, ish-sekretari i Përgjithshëm Edip Ohri dhe anëtarët e kryesisë: Liri Belishova e Hamit Keçi. Po ashtu, me propozimin e OBVLP ju është akorduar “Dekorata e Artë e Shqiponjës” komandantit të Çetës së parë Partizane të Gollobordës, patriotit të madh me rrezatim mbarëkombëtar Ahmet Cami, si dhe ish-kuadrit të Brigadës së 18, Ismail Bara.
Në 10 vitet e fundit janë dekoruar me titullin “Mjeshtër i Madh” drejtuesit aktualë të OBVL: Sekretari i Përgjithshëm, akademik Halil Rama, nënkryetari Muharrem Gjoka dhe kryetari i Degës së OBVL Pukë, studiuesi dhe shkrimtari i mirënjohur Xhemal Meçi.
TRI RRUGË NË TIRANË ME EMRAT E PERSONALITETEVE TË OBVL
Gjerdanit të artë të vlerësimeve për personalitetet e OBVL-së iu shtua dy vitet e fundit edhe emërtimi i tri rrugëve të Tiranës me emrat e gjeneral Rrahman Parllakut, Liri Belishovës dhe Edip Ohrit. Kështu, në konsiderim të propozimit të Kryesisë së OBVL, Këshilli i Bashkisë Tiranë, me Vendimin nr. 55, datë 1.6.2020 ka vendosur që rruga te Tregu Agroushqimor (pranë shkollës jopublike “Sarina” të emërtohet Rruga “Edip Ohri”, ndërsa me vendimin nr. 137, datë 05.10.2020 ka vendosur që segmenti rrugor që bashkon rrugën “Ali Demi” me rrugën “Petro Nini Luarasi” të emërtohet rruga “Gjeneral Rrahman Parllaku”, si dhe rruga që nis nga rreth rrotullimi i “Astir”-it të emërtohet rruga “Liri Belishova”.
Kësisoj, përjetësohen tre personalitete të organizatës tonë, me kontribute madhore gjatë Luftës së Dytë Botërore, në krijimin dhe konsolidimin e Ushtrisë e të Shtetit Shqiptar si dhe për themelimin e drejtimin me përkushtim të rrallë të OBVL-së.
ANËTARE E FEDERATAVE EUROPIANE DHE BOTËRORE TË VETERANËVE
Me një aktivitet intensiv në mbrojtjen dhe promovimin e këtyre vlerave, dr. Dishnica dhe gjeneral Parllaku arritën ta bëjnë OBVL-në anëtare të Federatave Evropiane dhe Botërore të Veteranëve. Me pjesëmarrjen në aktivitetet e këtyre Federatave, jo vetëm në Evropë, por edhe në Malajzi, në Johanesburg, Marok etj, OBVL-ja ka bërë të njohur kontributin e popullit shqiptar në Luftën e II-të Botërore dhe në luftërat për liri të popullit tonë në Kosovë, Maqedoni e deri dhe kontributin që jep sot në mbrojtje të paqes në kuadrin e NATO-s. Nisur nga ky aktivitet intensive dhe vlerat që mbron e promovon, OBVL vlerësohet për orientim e drejtë, për veprimtarinë e gjallë të saj, për vetëdijen dhe besimin e veteranëve dhe pasardhësve, anëtarë të organizatës, jo vetëm në luftë, por edhe në demokraci.
OBVL, veteranët dhe pasardhësit e tyre, anëtarë të kësaj organizate ndjehen më krenarë se kurrë me historinë e saj të suksesshme 32 vjeçare dhe angazhohen për të ecur në shembullin e themeluesve, që organizata jonë të vazhdojë të funksionojë si mbrojtëse e flaktë e vlerave të lirisë.
Mbrojtja, propagandimi, ruajtja, mbajtja gjallë e vlerave të historisë sonë kombëtare, e veçanërisht atyre të LANÇ-it, dhe transmetimi i tyre te brezat pasardhës është dhe mbetet qëllimi themelor i OBVLsë.
Në këtë 32-vjetor OBVL vjen e konsoliduar, e bashkuar dhe me energji e vendosmëri për të lëvruar më tej, pasuruar më shumë historinë reale të LANÇ dhe për të dhënë kontributin e saj real për konsolidimin e demokracisë e të shtetit ligjor, për një Shqipëri anëatre e denjë e NATO-s që ecën vendosmërisht drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
*Sekretar i Përgjithshëm i OBVL