83 vjet nga rënia e Heroit të Popullit Perlat Rexhepi që u bë shembull i heroizmit
Gëzim Llojdia
- Perlat Rexhepi është një nga tre Heronjtë e Shkodrës. Lindi në fshatin Vajzë të Vlorës më 25 tetor 1919 dhe u vra më 22 qershor 1942, nga fashistët. Para vdekjes ka thënë: “Populli do të armatoset e do t’i hedh në det pipinot, siç i hodhën baballarët tanë në 1920-ën në luftën e Vlorës”
Po sjellim një rrëfim të panjohur për Perlat Rexhepin, vrasjen e të cilit poeti Ali Asllani e thotë: “Pyeta Labërinë, e ku është Perlati?/ Kombi ulërinë, më shumë se i ati”
NGA RRËFIMI I SHKRIMTARIT JONUZ DINI
Të dielën e 30 tetorit 1966 shkrimtari Jonuz Dini sjell një përshkrim te gazeta letare: “Drita” kushtuar Heroit vlonjat Perlat Rexhepi. Shkrimtari J.Dini është ndarë nga jeta në vitet 80 dhe aso kohe te gazeta: “Drita” botova një shënim të vogël kushtuar botimit të librit të këtij autori nga ku aty mësova se autori nuk rronte më.
Vijojmë më tej. Në faqen 3 të së dielës së 30 tetorit po te gazeta: “Drita” gjeta këtë shkrim të autorit Jonuz Dini kushtuar trimit nga vajza e Vlorës Perlat Rexhepi.
Autori e nis rrëfimin: “Më kishte tërhequr vëmendjen disa herë ky djalosh që shihej shpesh duke shëtitur nëpër Fushë të Celës,porsa muzgu shtrinte napën e tij të murrme mbi qytetin tonë. Shtat hollë mesatar. Vishte një pardesy të bardhë që i mbulonte gati gjysmën e çizmeve të lustruar me kujdes, ecte me një hap të rëndë ushtarak. Mbante një kasketë kafe të mbylur. Fytyra e tij e mprehtë dhe pak e zbehtë,të krijonte përshtypjen e njeriut studioz. Nën ballin e gjerë shquheshin dy sytë e vegjël të shkathët,që vrojtonin mbas lenteve, çdo gjë me ngulm e kureshtje. Një ditë, në verën e vitit 1940, një shok i imi më njohu me të. Për mua qe një ngjarje ngazëlluese.Ai më shtini dorën me dashamirësi,thuajse ishim njohur prej kohe. U bëra gati t’ja shtrëngoja po ndjeva se dora im u ndrydh lehtas në pëllëmbën e tij, dhe u tund disa herë.
-Gëzohem që u njohëm-tha duke vënë buzën në gaz. Zëri i tij kishte një tingull të fortë,të rëndë të qartë. Sytë e tij më kanë mbet të ngulitur në kujtesë. Kishin një ndriçim të zgjuar e dukeshin hijerëndë. Shikimi i tij ishte i kthjelltë dhe i thellë si ujët e liqenit malor. Njeriu shihte në të pasqyrimin e një jetë të brendshme tërë aktivitetet. Cdo herë që e takova më vonë, bëhesha gati disa hapa përpara për ta përshëndetur plot respekt,kërkoja shikimin e tij e mbase e ndeshja luaja kokën vrokthi dhe:
-Mirëmbrëma- i thoshja.
Ai buzëqeshte e më përgjigjej. Për disa kohë u zhduk. E takova për të fundit herë,në një shtëpi në Dobrac. Ishte i plagosur në këmbë. Dhe ja si kishte ndodhë .Policët e kërkonin gjithandej. Po ai shpesh u kalonte nën hundë me biçikletë. Një ditë kaloi andej nga fabrika e cigareve: “Taraboshi”. Një polic e kishte diktuar. Ai qëlloi, me shpresë se do ta shembte në vend. Ngjau e kundërta. Perlai grumbulloi fuqitë dhe ashtu me plagën, që i kullonte gjak iku…
Pra nesh tregohej krejt i qetë. Fliste e qeshte si të mos kishte asgjë, veçse hera herë, kur lëvizte rrudhat e ballin. Atë cast shiheshin në fytyrën e tij shenjat e dhembjes. Por megjithatë përpiqej ta mbulonte me një buzëqeshje të qetë.
…Shkrimtari Jonuz Dini duke vijuar përshkrimin e tij thotë: “Isha në burg. Po zbardhte dita e 22 qershorit. Më doli gjumi herët nga cimkat dhe vapa. Kuvendoja me Naim Gjylbegun i cili zgjohej zakonisht pa zbardhur drita dhe thithte duhan. Bisedën na e prenë krismat e pushkëve që vinin nga larg, nga thellësia e qytetit. Dolëm jashtë, në atë sheshin e vogël të burgut. Mbas nesh ja behën Ndoc Mazi, Ahmet Haxhija, Ruzhdi Tyli, Reshit Rusi, Fahri Ceni etj. Burgu filloi të gumëzhijë si koshere bletësh. Ai shesh i zbuluar u mbush me të burgosur sa nuk kishe ku të hidhje mollën.
-Ç’janë këto pushkë bre Ndoc?, -pyeti Doda, një mirditas.
-Populli lufton kundër fashistëve i gjegji Minuku, i bindur për sa thoshte. Dhe kështu, pyetjet e përgjigjet vazhduan. Asnjë nuk dinte gjë. Flitnin me hamendje. Po pushkët nuk pushuan. Disa herë u dëgjuan edhe shungullimet e bombave. Një aeroplan kaloi mbi ne dhe shkoj andej nga bëhej lufta. Neve na vlonte gjaku. Ishim grumbulluar te dera e burgut e shikonim qiellin e copëtuar nga hekurat si zemra jonë nga ankthi.
Shkrimtari J.Dini rrëfen kështu më tej: Pasdreke Jonuzi, gardiani i burgut na solli fshehurazi një letër. Një shok shkruante me hare e pikëllim: “Një vit mbas sulmit të pabesë të nazistëve kundër Bashkimit Sovjetik edhe në Shkodërlocja foli plumbi. Komunistët: Perlat Rexhepi, Branko Kadija dhe Jordan Misja luftuan kundër një ushtrie të madhe të motorizuar, tre kundër treqindëvet. Perlati u bë shembull i heroizmit. Edhe pse u dogj shtëpia dhe flakët filluan t’ia përcëllojnë trupin ai qëndroi dhe luftoi deri sa u fik. Ndërsa një shok lexonte,zemrat tona mbusheshin me frymëzim revolucionar. Sytë e Ndocit, Naimit Ahmetit e sa e sa të tjerëve, që do të ndiqnin shembullin e Perlatit) vetëtinin nga urrejtja si vetëtimat ndër netët e errtë të vjeshtës.
“PYETA LABËRINË, E KU ËSHTË PERLATI?/
KOMBI ULËRINË MË SHUMË SE I MATI”
Perlat Rexhepi është një nga tre Heronjtë e Shkodrës. Lindi në fshatin Vajzë të Vlorës më 25 tetor 1919 dhe u vra më 22 qershor 1942, nga fashistët.
Para vdekjes ka thënë: “Populli do të armatoset e do t’i hedh në det pipinot, siç i hodhën baballarët tanë në 1920 në luftën e Vlorës.”
Poeti Ali Asllani që e kishte mik të ngushtë dhe ishte rritur në shtypin etij shkruan: “Pyeta Labërinë, e ku është Perlati?/ Kombi ulërinë, më shumë se i ati,/ Pyeta djalërinë, ç’e bëtë shokun, mikun?/ Nder për Shqipërinë, vdekje për armikun./ Tani tinë dhe unë, e dimë për Perlatin,/ Djep kishte Beun, varr ka Rozofatin!…”
Publicisti Agim Jazaj ka shkruar: “Rexhep Sulejmëni, i ati i perlat Rexhepit, ishte një ndër figurat më të shquara, pjesëtar aktiv në “Luftën e Vlorës”, më 1920. Si shumë patriot vlonjatë, mori pjesë e luftoi si burrat në revolucionin “Demokratiko-Borgjez”, që udhëhiqte Noli.Pas këtyre ngjarjeve, detyrohet të marrë arratinë me gjithë familjen dhe vendoset tek miqtë e tij, në ishullin e Korfuzit, për t’i shpëtuar persekutimit të regjimit zagollian, si kundërshtar politik.Perlati ishte vetëm 5 vjeç. Në moshën 6 vjeç, filloi shkollën fillore, ku mësonte midis nxënësve grek, në gjuhë të huaj, me mësues grek e italian. Perlati fliste, shkruante dhe komunikonte me mësuesit grek e italian, pa asnjë pengesë e dallim, madje dhe mbi të tjerët. Pas shumë përpjekjesh të të atit, Perlati vazhdoi rrugën e dijes në shkollën “Tregtare” të Vlorës, në klasat përgatitore, siç quhej, semimaturë, ku vazhdoi dy vjet e më pas studimet e plota për 6 vjet.Edhe aty ra në sy veprimtaria e tij atdhetare dhe e përjashtojnë nga shkolla. Më pas ati i tij e mundësoi shkollimin e tij për gjeometër, në shkollën “Teknike”, ku studionte dhe libra jashtë shkollore, si romanin: “Nëna” i Maksim Gorkit, “Puna me mëditje: dhe “Manifest” PKSH, si dhe gazeta e revista të huaja, të botuara jashtë vendit nga Halim Xhelua. Ai lexonte Naimin, Çajupin, “Historinë e Skënderbeut”, si dhe poetin me famë Ali Asllani, gjigantin e poezisë, edhe ky bir i fshati të Vajzës!Pushtimi i Shqipërisë më 7 Prill 1939, solli dhe mbylljen e shkollave, dhe përndjekjen e Perlatit, i cili për t’i shpëtuar, vendoset në vendin më të afërt, në Mali i Zi, pa asnjë ndihmë ekonomike fal, bujarisë së shqiptarëve aty, qëndroi në shtëpitë e tyre 3-4 muaj, me shpenzimet e tyre.Perlat Rexhepi, ndodhej gjithnjë prezentë midis njerëzve të punës dhe aksioneve. Dyshimet e drejtuesve bën të largonin Perlatin nga qyteti i Vlorës për në zonën e Sevasterit, gjoja për të projektuar rrugën e re, që fillonte nga Peshkëpia, Gorishti e Dushkaraku, për të dalë në Memaliaj, gjatë buzës së Vjosës. Perlatin me shokët e tij, edhe aty i kishin thirrur e paralajmëruar nga kuestura. Kjo arsye bëri të transferohej më pas në Shkodër.Zyra e gjeometrit nga Vlora, në Shkodër e bashkoi me shumë njerëz të mirë, në punë dhe jashtë sajë. Shumë shpejtë u bë i njohur jo vetëm si specialist, por dhe si njeri me njohuri të thella. Në Shkodër Perlatin e donin dhe respektonin, jo si jabanxhi, por dhe si i ardhur nga Vlora.Perlati, së bashku me Jordan Misjen, strehohej në shtëpinë e këtij të fundit. Shokët e këshillonin, të ruhej, nuk i flisnin as në emër, po me pseudonim “Tarzani”.Ai fliste shumë rrjedhshëm në dialektin shkodran. Komiteti Qarkor kishte vendosur të kryenin një aksion për djegien e kuesturës fashiste. Këtë aksion e mori me shumë dëshirë përsipër Perlat me njësitin gueril. Në kohën kur Perlati i fliste rojës, shokët e tij hodhën lëndën ndezëse dhe i vunë flakën kuesturës. Në moment kuestura mori zjarr. Fashistët u tmerruan dhe u alarmuan, ndërsa guerrilasit u larguan me shpejtësi, pa pësuar asnjë gërvishtje.
SHTËPIA KU LINDI QEMAL STAFA
Qemali 21 vjeç dhe Perlati 23 vjeç.. I bashkoi Shqipëria, i vrau pushtuesi.
…Lufta nuk ishte një valë baticë e ngatërruar me një valë.Ishin fatkeqësisht disa vjet. Ishte kohe për vdekje. Vdekja duke fshehur vdekjen nga vdekja Gdhije në muzg,niseshe dhe përfundoje në muzg.Tokat e vëna nën sundim ishin gjithmonë,gri.Dhe qytetet,rrugët,sokakët,pylli,livadhi,mali dhe krejt njerëzia ishin vënë nën sundim gri. Topa, tanke, mortaja, pushkë,fishekë ,fashistë,nazistë ishin gjithmonë gri.Edhe dasmat e mëdha ishin gri.Edhe tregjet gri.Lumenjtë,liqenet dhe deti,sigurisht mbeteshin gri. Nën pushtim dhe nën terror dominonte ngjyra gri. Dhe një ngjyrë tjetër,përshkonte,qytetet shqiptare në luftën e dytë.Ngjyra e kuqe e gjakut të djelmoshave shqiptarë .Një nga ëndrrat e heronjve të luftës së dytë, të kenë atdheun e tyre pa pushtonjes. 21-Qemali dhe 23 vjeç Perlati. Lufta përfshiu disa breza. Dy djem shqiptarë i njëjti fat. Luftuan për atdheun deri në pikën e fundit i vrau pushtuesi. Qemal Stafa dhe Perlat Rexhepi.Dhe kanë pasur shumë ëndërra.Dhe jetën, lumturinë, lirinë, të qeshurat e fëmijëve,qytetin e tyre atdheun.Sigurisht që i donin pa kufi. Dhe shprehja, që sot gjen vend ndër luftërat e botës : nëse duhet vdes ,vdes për kombin tënd .Dhe në gjithë luftërat pushtuesi, asnjëherë nuk kërkoi falje. As në kohët e hershme. As në kohët e sotme.
Po ku gjendej aso kohe, shtëpia ku lindi Qemali? Po sot ku gjendet shtëpia e një heroi njëzet e një vjeçar, të Luftës së Dytë Botërore?
Kartela e Drkk. Lista e monumenteve rrethi i Elbasanit 2017, sjell këto të dhëna:
– Banesa e Qemal Stafës është një monument i trashëgimisë kulturore në rrethin e Elbasanit në qarkun e Elbasanit Shqipëri.
Ky monument është i llojit “Arkitekturë / Urbanistike”, i miratuar me numër “1886 më 10.06.1973”.
Banesa e Qemal Stafës: Lloji:Arkitekturë/urbanistikë.
Vendodhja: Elbasan Shqipëri.
Kordinatat: 41o06’40’’V20O05’06’’L.
Ndërtuar:Shek.XX.
Organi Drejtues: DRKK Durrës.
Monument kulture në Shqipëri:Emri zyrtar: Monument i trashëgimisë kulturore, nën mbrojtje.
Kriteret: I.Përcaktuar 10.06.1973.
Nr i referencës: El012.
QEMALI U VRA NGA PUSHTUESI, PO KUSH E TRADHTOI
VALLË HEROIN 21 VJEÇAR?
Aso kohë dihej se Qemali u vra nga pushtuesi, po kush e tradhtoi vallë heroin 21- vjeçar? Pse të gjithë pjesëtarët ku gjendej edhe heroi në atë shtëpi shpëtuan, ndërsa heroi vdiq ,i vrarë nga pushtuesi italian?
Aso kohe, pranverë e vitit 1942.
Po thureshin ëndrra. Pritej që, liria të kishte punë me armët dhe më tej me sakrifica të mëdha.
Do të nisej në jug, ku gjente aromë deti.
Qyteti që do të shkonte quhej Vlorë, sapo të fekste dita. Mirëpo, karabinierët rrethuan shtypin dhe vranë djaloshin shqiptar. Një 21 -vjeçar vritej me tre plumba mizorisht te varri i Bamit. Dhe po të ndjekësh tekstin e këngës thuhet qartazi.
Kush e tradhtoi 21 -vjeçarin, heroin e madh të një populli?
Ç’e ndoqën nga mbrapa spiunët e djallit .Kush ishin spiunët dhe përse emrat e tyre nuk u vendosën në shtyllën e turpit për tradhëtinë ndaj shqiptarëve? Ja dhe teksti i këngës: Afër një spitali/ç’u vra Qemal Stafa/një trim nga të malit./Ç’e ndoqën nga mbrapa spiunët e djallit/luftoi me patllake/gjersa i doli xhani./Nëna e tij plakë/shkon e qan tek varri/ngrehu Qemal i thotë/ç’bën tek varri Bamit./Dje më erdhi karta/nga trimat e malit ngrehu të keqen nëna/të duan partizanët./Kam marrë tre plagë/plumba italiani/të më merret haka/gjakun mos ma falni./Popullit shëndenë/u vra si luani/nënë lamtumirë
/i thotë Qemali…….
Erdhi në jetë në qytetin e Elbasanit , i biri i Hasan Ahmetit dhe Sabries së Veli Dylgjerit. Më tej bëhet me një grup shokësh Zef Malaj,V.Shanto,Gj.Lukën, T.Jakova , themelues të grupit komunist të Shkodrës, ai nxënësi i kolegjit Kasverian te etërve jezuit.
NJË ESSE E SHKRIMTARIT MUSA VYSHKA
Në 25 vjetorin e rënies.1967. Atje në qytetin e Elbasanit. Shkrimtari M.Vyshka ka thurur një ese më stilin e tij të bukur. Le të shkëputemi nga kjo frazë së paku.
…. Është pesë maji, shkruan autori, dhe im atë kujdestari i shtëpisë muze të Qemalit ka shumë punë. Nëpër shkallët e ngurta që të shpien te dhoma ku lindi ai,trokasin me ngadalë këmbët e ushtarëve, vullnetarëve, nxënësve tanë.’ Këtu ka lindur Qemal Stafa, heroi i popullit tonë dhe imë atë që mund ta ketë thënë qindra herë këtë frazë,do të ndjejë përsëri një emocion të ri. Erdhi pranvera, shkruan në vitin 1967 te gazeta: “Drita”, shkrimtari M.Vyshka:dhe zambakët kanë çelur te oborri,ata janë të bardhë të bardhë..Kurse 5 maji është dita e zambakëve të kuq, që çelën pas të njëzetmijëve. Prej ngjyrës së kuqe të gjakut u zbardh kaq e bukur dita jonë,Prej ngjyrës së kuqe të gjakut të Qemalit,që lindi këtu në mëhallën time. Hyj në dhomën ku lindi ai. a djepi i tij. Aty u përkund dhe qau, shkruan autori. Nëna e përkulur sipër djepit të heroit,pa ëndrra t ‘bukura. Iu duku sikur ky fëmijë do të bëhej ndonjë dijetar i madh, me siguri do të bëhej. Si të gjitha nënat e botës edhe ajo u mundua ta përfytyroj të birin në ndonjë klasë duke dhënë mësim, apo kushedi se ku. Por ai u bë më i madh se mund të ëndërrojë një nënë. Ai u bë i pavdekshëm. Prapa derës ku u rrit ai të mbuluar me strehë rrinin ulur lapsat dhe gështenja pjekësit. Vetëm kjo dhomë ka dëgjuar britmat e tij fëminore. Në dhomat tjera janë plaçka, rrobat,f letoret, ato janë plakur, por e mbajnë veten me kurajo. Duhet të qëndrojnë patjetër. Ato i duhen kësaj toke, i duhen këtij brezi. Dhe brezave që vijnë, i duhen sepse janë të Qemalit. Më kujtohet mirë njohja me këtë shtëpi thotë M.Vyshka. “Atëherë isha i vogël dhe sapo kisha hyrë në shkollë. Kisha dëgjuar për heronj, për partizanë, por nuk përfytyroja dot asgjë. Shkolla jonë ishte vetëm disa metra larg shtëpisë ku lindi Qemali. Ahere këtu banonin disa familje, banonte dhe një moshatari i im. Ai ishte një fëmijë i urtë dhe i drejtë, por megjithatë askush nuk i besoi kur na tha se te dhoma ku flinte ai, kishte lindur Qemal Stafa. Ne filluam të qeshnim sepse nuk na besohej. Kjo ishte diçka pamundur. Dilte krejt në kundërshtim me përfytyrimet tona. Heronjtë duhej të lindin nëpër shtëpia të rralla, jo aty ku banon një fëmijë sa ne. Pastaj ajo shtëpi ishte vjetër e vogël. Dhe kjo zgjati shumë, ai u betua për këtë por ne nuk besuam. Që atëhere lagja mori një dritë të re. Mbasi ishte drita e re që lëshonin sytë e tij .Ai ishte vetëm njëzet e një vjeç kur ra. Dhe ishte aq i madh një njëzetenjë vjeçar, aq i lavdishëm. Kështu do të mbetet gjithnjë, njëzet e një vjeç….
(Marrë nga Gazeta Destinacioni, 5 maj 2025)