NGA MEVLUD BUCI

Sa më shumë kalojnë vitet, aq më fort të vjen detyrimi shpirtëror për të pasqyruar provat e përkushtimit në udhën e dijes. Midis shumë veteranëve të arsimit në Dibër, shëmbellen edhe figura e Hazir Selishtës. Këtë njeri e kam njohur nga afër dhe kam ndjerë e respektuar përvojën e tij si mësimdhënës e drejtues.
Hazir Selishta u lind në vitin 1948 në Brezhdan, fshat me tradita arsimore. Babai, Hakiu, e ëma, Lumja, bijë e fisit të nderuar Nela të Brezhdanit, rritën dhe edukuan: Hazirin, Selamin, Njaziun, Dëshirën, Sabrijen dhe Elhamen.
Mësimet në shkollën e Brezhdani, dhe më pas përfundimin e Pedagogjikes në Peshkopi, Haziri i mbaron me rezultate të shkëlqyera, po kështu, me këto rezultate përfundon e dhe Institutin e Lartë Pedagogjik – Shkodër, dega Gjuhë-Letërsi.
Filimisht ai e nis punën në Ciklin e Ulët në Brezhdan, ku zbatoi metodat e mësimdhënies dhe u dallua për lidhje me komunitetin. Kjo punë rrezatoi edhe në shkollën e Sohodollit, ku dha mësim për 15 vjet.
Si njeri i veprimtarieve arsimore-kulturore, ai mori nderim nga komuniteti dhe nxënësit e tij. Këtë e thonë mjaft njerëz nga Kastrioti, Sohodolli, Brezhdani e më gjerë. Puna në vite të drejtimit, lidhja e ngushtë me nxënësit dhe me komunitetin, lanë gjurmë në jetën e tij arsimore.
Krahas punës e taktit në drejtim, Haziri iu përkushtua edhe mbledhjes së frazeologjisë dhe mençurisë popullore.
Krahas punës në Sohodolli, Haziri shërbeu për 11 vjet si mësues letërsie në shkollën e mesme të Kastriotit.
Puna si kryetar i komisionit të gjuhës dhe letërsisë për rrethin e Dibrës, mbledhja e fjalëve të rralla, do të reflektonte pasionin e tij, zotësinë, zellin në fushë të pedagogjisë.
Në vitin 1994, Haziri u emërua zv-drejtor në shkollën e Brezhdanit, që ishte shkollë 9-vjeçare dhe nga viti 2000-2012, ishte drejtor i saj, vit ky i fundit, kur del në pension.
Si cilësi etiko-morale, krahas përgatitjes profesionale të lartë, Haziri kishte komunikimin e çiltër me nxënësit, ishte i papërtuar, por edhe i rreptë në zbatimin e rregullores dhe të ligjshmërisë arsimore.
Duke qenë njeri i dashur, mirëkuptues, njeri që prin me shembullin personal, ai i gëzoi këto cilësi dhe i rriti e u dha kuptim edhe për të tjerët. Për përdorimin e metodave të reja duke studiuar literaturën më të re arsimore, dhe për rezultatet e arritura, ai u dekorua nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me Urdhrin “Naim Frashëri”-Klasi i Parë.
Puna në arsim i dha atij edhe shtytjen tjetër krijuese kur ai u takua dhe bisedoi me 65 pleq nga Kastrioti, Sohodolli, Brezhdani e në zona të tjera, duke mbledhur nektarin e cmuar të urtësisë popullore, të shprehjeve e fjalëve me peshë, që dalin nga kjo urtësi në shekuj dhe që kanë vlera të padiskutueshme.
Njohës i mirë dhe i artit, i letërsisë dhe kulturës, ky arsimtar dhe drejtues i përkushtuar e zgjeroi sferën e interesave të veta kulturologjike, duke u bërë një hulumtues i zoti. Shpesh ai citonte e citon vargje dhe më për zemër kishte vargjet e Dritëro Agollit, ku i pëlqente strofa: “I bardhë si bora të jesh/ I ndritur e i larë me florui/Prapë se prapë do të shajnë/ Se pa sharë s`ka mbetur njeri.”
Bashkë me bashkëshorten e tij Suzana, bijë e fisit Islami të Sohodollit, edukuan tre fëmijë si yje: Enkeleda (edukatore), Mefati (mjek –kardiolog), dhe Ajdi (specializuar për shkenca kompjuterike).
Haziri ka qenë bashkëpunëtor shkencor i jashtëm i Institutit të Gjuhë-Letërsisë të Akademisë së Shkencave, ka botuar në revistat pedagogjike shkrime të fushës profesionale, te “Gjuha jonë”, në gazetën lokale të Dibrës “Ushtima e maleve”.
Ka pak muaj që jeton në Tiranë.
Në bisdë me të ai të thotë: “Krahas profesionit, që është detyrë, gjithnjë njeriu, intelektuali, duhet të vrasë mendjen sipas prirjeve dhe aftësive të tij, të bëjë diçka më tepër, që të jetë më i dobishëm për veten dhe për të tjerët”.