Dhjetra personalitete akademike e të letrave dhe drejtues të OBVLP vlerësojnë librin monografik “PO KTHEHEM NË HOTESH”
- FESTIME MJESHTRI – KRYETARE E BASHKISË BULQIZË: Ky botim është pasqyrë e jetës së një mësuesi të përkushtuar që nuk u nda asnjë ditë nga shkolla duke dhënë mësim dhe duke drejtuar me përgjegjësi institucionet arsimore të Matit e Dibrës…
- TATJANA PARLLAKU ÇARKAXHIU: “OBVLP krenohet me Skënderin, i cili punon me përkushtim për të mbajtur gjallë kujtimin, veprën dhe idealet e atyre që dhanë jetën për lirinë e atdheut. Ai dhe shumë pasardhës të tjerë të veteranëve, me shembullin e tyre, frymëzojnë brezat e rinj të rriten me dashurinë për vendin, për paqen dhe për njeriun”….
Libri i autorit Skënder Murrja “PO KTHEM NË HOTESH” që u promovua më 12 tetor 2025 në Akademinë e Shkencave në Tiranë, me praninë e qindra pjesëmarrësve nga vendlindja e autorit dhe nga miq e shokë të shumtë të tij me banim në Tiranë, Peshkopi e Durrës, u vlerësua për mesazhet që përcjell mësuesi veteran me kontribut të pandërprerë në edukimin mijëra nxënësve në disa shkolla të Qarkut të Dibrës.
Fillimisht u ndoq me interes të veçantë dokumentari (I përgatitur nga unë H.R) që pasqyronte me mjeshtri e art shembullin e një mësuesi që me pasionin për dije dhe dashurinë për nxënësit punoi një jetë tërë. Ishin këto dije të thella e të qëndrueshme që ai i mishëroi dhe përçoi me përkushtim e dashuri, të cilat do t’u shërbenin qindra e mijëra nxënësve të tij, nga Derjani i Matit, Luznia, Muhurri, Çidhna, Katër Grykët e Bulqiza, si arma më e fuqishme për jetën.
Dyzetëedy vite kontribut pa ndërprerje, si mësues dhe drejtor i disa shkollave në tre rrethet e Qarkut Dibër, të finalizuara në këtë libër, u vlerësuan maksimalisht dhe nga kryetarja e Bashkisë Bulqizë, Znj. Festime Mjeshtri. Ajo e vlerësoi këtë botim si pasqyrë të jetës së një mësuesi të përkushtuar, që nuk u nda asnjë ditë nga shkolla duke dhënë mësim dhe duke drejtuar me përgjegjësi institucionet arsimore të Matit e Dibrës.
Luljeta Prençi, Drejtore e Gjimnazit “Ibrahim Rugova” Kamëz, e vlerësoi librin “Po kthehem në Hotesh” një prozë memorialistike që për nga zhanri, është një autobiografi e ndërthurur me kujtime dhe pasazhe të tjera që i kalojnë kufijtë e një autobiografie të mirëfilltë. Kjo sipas saj për faktin se në këtë këtë libër është një jetë, bilanci i së cilës e bën krenar këdo; një jetë përkushtuese dhe që afirmon personalitetin e individit përmes punës.
Kryetarja e Org. Bashkuar të Veteranëve të LANÇ e Pasardhësve, Znj. Tatjana Parllaku – Çarkaxhiu, ndër të tjera në fjalën e saj tha se OBVLP krenohet me Skënderin, i cili punon me përkushtim për të mbajtur gjallë kujtimin, veprën dhe idealet e atyre që dhanë jetën për lirinë e atdheut. Pikërisht për këtë kontribut madhor ajo dhe Nënkryetari i kësaj organizate Z. Muharrem Gjoka – Mjeshtër i Madh, i akorduan mësuesit veteran Skënder Murrja “ÇERTIFIKATË MIRËNJOHJE”.
Demir Osmani që ka pasur fatin të jenë së bashku me Skënder Murren , nxënës në gjimnaz, në Institut, mësues në Mat e Dibër, ndër të tjera evidentoi faktin që “Skënderi i dha arsimit në Dibër rininë, pjekurinë, burrërinë dhe i mori mirënjohjen, dashurinë dhe respektin e shumë brezave”.
Në të njejtën linjë e vlerësoi mësuesin veteran Skënder Murrja edhe bashkënxnësi e bashkëstudenti i tij në gjinnazin e Durrësit e në Institutin Pëdagogjik të Shkodrës, Bashkim Lami, i cili në cilësinë e kryetarit të Shoqatës Atdhetare ‘BULQIZA” i dha atij “ÇERTIFIKATË MIRËNJOHJE”.
Faik Xhani, ndër të tjera e vlerësoi Skënder Murren si veprimtar shoqëror për kohën që ishte sekretar i Komitetit të Rinisë Luzni e në ushtri, anëtar i Plenumit të Rinisë Dibër dhe kryetar i Sindikatës së Arsimit Bulqizë.
Prof. dr. Arif Murrja – pedagog në Universitetin Bujqësor Kamëz u ndal te një aspekt i veçantë: vendlindja në librin e Skënder Murres.….Sepse, me këtë libër ai na kujton se vendlindja nuk shuhet kurrë nga zemra e njeriut. Ajo mbetet udhërrëfyese shpirtërore që na udhëheq në çdo hap të jetës. “Libri ‘Po kthehem në Hotesh’- monografi, është një udhëtim i shpirtit drejt vendlindjes. Që në hyrje autori na ndal te emri i Hoteshit dhe etimologjia e tij. Ai na kujton se vendlindja nuk është thjeshtë hapësirë gjeografike, por një trashëgimi kulturore dhe shpirtërore, që duhet ruajtur me kujdes”, -tha ndër të tjera Prof. dr. Arif Murrja.
Më të larmishëm e bëri këtë event edhe këngëtarja e talentuar Vera Laçi me interpretimin virtuoz të disa këngëve popullore dibrane, për të cilat u duartrokit fuqishëm nga pjesëmarrësit.
Figurën e mësuesit Skënder Murrja e lartësojnë shumë cilësi, por ato që shfaqen më dukshëm, janë sinqeriteti dhe bujaria, mikpritja dhe dashuria që ushqen për të gjithë njerëzit.
Skënder Murrja është dhe një veprimtar i palodhur shoqëror. Ai, bashkë me shumë shokë të vjetër mësues të Dibrës dhe jo vetëm, edhe si anëtar i kryesisë së OBVLP, bën një punë të mirë atdhetare për njohjen dhe vlerësimin e Luftës e të heroizmit shqiptar në shekuj për çlirimin dhe mbrojtjen e vendit nga pushtuesit.