Komisari im, Begator Kozeli
Vasil Premçi
Në vitet e rinisë, rrethanat e jetës më nxorrën në një shteg të palakmuar: vazhdimin e Shkollës së Bashkuar Ushtarake, ndonëse e them qysh në krye të herës, nuk ishte shkolla më e pëlqyeshme për mua. Sot që rëndis këtë radhë kujtimesh për ato vite të para gjysmë shekulli, kisha shkuar shpesh-herë në mendje figurën e oficerit. Në vizionin tim, ata oficerë që dolën nga lufta nacionalçlirimtare dhe vazhduan studimet në akademitë e vendeve ish-socialiste, bënin një figurë të hijshme kur shfaqeshin në qytetet tona. Uniformat e tyre ishin prej një stofi të shtrenjtë ngjyrë ulliri, por edhe kishin mësuar të ecnin me gjymtyrët dhe trupin plot harmoni dhe hijeshi. Apo nuk u ndriçonin edhe yjet e gradave në spaleta! Nuk më hiqet nga mendja një fotografi e vjehrrit tim, të sapo kthyer nga këto studime me uniformën e tij prej stofi të shtrenjtë.
Pas prishjes me Traktatin e Varshavës, apo gjatë lulëzimit të miqësisë Shqipëri–Kinë, mbisunduan uniformat prej doku, që dukeshin sikur sapo ishin nxjerrë nga lavatriçja. Mbi të gjitha, uniformat ushtarake nuk mbanin më gradat, aq sa shpeshherë, kur kalonin oficerët në ambientet publike, dëgjoheshin zëra që pëshpërisnin: “Janë bërë si këmbët e dhisë! Nuk duket cili është oficeri dhe cili ushtari!”
Bash në këtë periudhë, pra në shtator të vitit 1973, nisa studimet në Shkollën e Bashkuar Ushtarake, në Tiranë. Ishte një zgjedhje kundër dëshirës time, por në kushtet ekonomike të familjes sime, me katër vëllezër dhe një motër, ajo ishte e vetmja alternativë, njësoj si një të urituri që i vënë përpara një pjatë supe të mbytur me kripë, të cilën ai duhet ta hajë ose ndryshe do të mbetet me gisht në gojë. Janë të paharrueshme emocionet e ditëve të para në ambientet e asaj shkolle!
Ndonëse ishte mesi i muajit shtator, dukej sikur ditët e verës kishin lëshuar rrënjë dhe nuk donin të largoheshin. Papritur mbrëmjen e parë brënda atyre mureve, nisi të bjerë një shi i butë, pikat e të cilit nën dritat e neoneve të sheshit të rreshtimit, dukeshin si një re mushkonjash. Mos edhe natyra po lotonte së bashku me ne?
Në fjetoren në të cilën qëndronin studentët ushtarakë të sapo ardhur, dikush nga oficerët kujdestarë mbërriti me shpejtësi në mes të fjetores dhe lajmëroi me zë të lartë:
— Do të rreshtoheni para fjetores në sheshin e rreshtimit sepse do t’ju përshëndesë Drejtori i Drejtorisë Politike, shoku Hito Çako!
Të gjithë ne rishtarët dolëm përpara fjetores në sheshin e madh të shkollës, në pritje të eprorit të lartë. Papritur, përballë nesh u shfaq silueta e një ushtaraku trupshkurtër dhe të ngjeshur me kapelen e rrasur deri mbi ballë. Edhe ai po lagej nga shiu. Edhe nga fytyra e tij zbrisnin rreketë e shiut, por ai as që donte t’ia dinte. Me një zë të lartë, sikur të kishte përballë mijëra njerëz, nisi fjalën e mirëseardhjes:
— Lexoj në sytë e disa prej jush një mërzi dhe trishtim, shkakun e të cilit e kuptoj. Ju ndiheni të fyer sepse kujtoni shumë nga shoqet dhe shokët e klasës së shkollës së mesme që do të ulen në bankat e fakulteteve dhe pas disa vitesh do të dalin inxhinierë, profesorë dhe doktorë apo ku di unë çfarë tjetër. Kurse ju do të dilni oficerë, apo jo! E pra, ta dini një herë e mirë dhe mbajeni mend për të gjithë jetën! Ju do të jeni oficerë, komandantë dhe komisarë, që në rast lufte do t’i komandoni këta inxhinierë, profesorë dhe doktorë, sepse çështja e mbrojtjes së atdheut është një çështje e të gjithë popullit! Mirë se erdhët në gjirin e ushtrisë tonë popullore! Pastaj ai u kthye nga shoqëruesit dhe u drejtua nga ndërtesa e komandës së shkollës.
Shpejt u ambientuam me jetën ushtarake, orarin, leksionet dhe stërvitjet e përditshme.Tashmë kishim hyrë në brazdat e zbatimit të kërkesave të rregullores.
Një mbrëmje, afër përfundimit të orarit të studimit, u hap qetësisht dera e kabinetit të togës së vitit të parë të xhenios. Studenti i parë që vuri re hyrjen e një oficeri me trup mesatar dhe me një fytyrë simpatike dha komandën:
— Çohu! Gatitu! Qendër ndero! Shoku komisar i shkollës, efektivi i togës së xhenios vijon orarin e studimit!
Ishte hera e parë që e shihnim nga afër, ish-partizanin riosh, me kokën e lidhur me shaminë gjak të kuqe, të batalionit “Hakmarrja”, komisar Begator Kozelin.Ishte 47 vjeç dhe në tëmtha kishin filluar ti shfaqeshin thinja e arta, por ishte flokë dendur dh eme onde që e hijshonin fytyrën e tij me tipare të imta. Qysh në fjalët e para na dha ndjesinë se mund të bisedonim me atë si me një prind, apo një vëlla më të madh. Me pak fjalë na kumtoi qëllimin e ardhjes: “Dua të bisedojmë si prindi me djalin, si vëllai më i madh me vëllain më të vogël. Tani ju jeni anëtarët më të rinj të familjes tonë të madhe, ku mbisundon parimi i luftës së shenjtë partizane: Të gjithë për një – një për të gjithë!”
Duket se nuk ishte nga ata kuadro ushtarakë që kishte nevojë të ngrinte zerin për të fituar autoritet te vartësit, por ashtu i përqendruar dhe duke vështruar me qetësi dhe vëmendje bashkëbiseduesin, të ngjallte një respekt të veçantë. Jeta kulturore-artistike dhe veprimtaritë sportive morën një gjallëri dhe hov të paparë në Shkollën e Bashkuar Ushtarake. Pas gjithë këtyre veprimtarive nënkuptohej interesimi i drejtpërdrejtë i komisar Begator Kozelit. Sa energji dhe përkushtim dëshmonte ai në auditorët e shkollës, poligonët dhe fushat e stërvitjes, në spartakiadat sportive dhe skenat e shfaqjeve artistike! Njëherësh formësoi në memorien tonë edhe modelin e admirueshëm të kuadrit të ardhshëm të ushtrisë popullore, me vizione të qarta, njohuri të thella ushtarake dhe mbështetës i vendosur i talenteve të reja në radhët e studentëve të Shkollës së Bashkuar Ushtarake, të cilën ai e quante me krenari “Fidanishtja e gjelbër me kuadro e ushtrrisë”. Gjatë asaj periudhe botova disa reportazhe nga stërvitjet tona si dhe ndonjë tregim artistik në organin politiko-ushtarak të shkollës, “Buletini”. Këto krijime ishin cicërimat e mia të para në fushën e letërsisë. Po atë vit botova në Tipografinë ushtarake si një libër më vete edhe një novelë të gjatë.
Me rastin e 30-vjetorit të krijimit të ushtrisë popullore u shpall nga Lidhja e shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë dhe Ministria e Mbrojtjes konkursi kombëtar në fushën e letërsisë dhe arteve të bukura; juria vlerësoi me çmimin inkurajues vëllimin tim me tregime dhe novela “Hije që vdesin”.
Ku mësoi për këtë sukses komisar Begator Kozeli, në takimin e ditës së hënë me studentët ushtarakë dhe trupën mësimore, përveç detyrave dhe porosive të zakonshme, kumtoi si një ngjarje të rëndësishme për shkollën vlerësimin e vëllimit tim me tregime dhe novela. Dhe natyrisht, kërkoi të njihej me mua. Sipas rregullores, komandanti i batalionit iu përgjigj se “Vasil Premçi nuk ndodhet në sallë sepse ka radhën e pastrimit të banjave.”
Një përgjigje e cila shkaktoi edhe të qeshura. (Diçka të tillë: D.m.th, talenti i spikatur tani duhet të mësojë të pastroi edhe banjat.)
Pas njoftimit dhe mbërritjes në sallën e kinemasë, dëgjova fjalët përgëzuese të komisar Begator Kozelit:
— Ja pra, shkolla jonë ushtarake nuk nxjerr vetëm sportistë të shkëlqyer në futboll, volejboll, basketboll, qitje, mundje dhe atletikë, por edhe shkrimtarë në fushën e artit dhe të letërsisë. Çmimi juaj për vëllimin me novela dhe tregime është dallëndyshja e parë e talenteve të shkollës sonë në fushën e letërsisë.
Ai tregoi një kujdes të veçantë kur më ftoi një pasdite në një takim miqësor.
— Me siguri ju do të dëshironit të ndiqni veprimtaritë artistike dhe kulturore që organizohen nga Lidhja e shkrimtarëve si dhe ato në Pallatin e Madh të Kulturës, — më tha ai. — Do të keni mbështetjen time, — vijoi duke më zgjatur një fletë-leje të vulosur me vulën e Komandës së Shkollës së Bashkuar Ushtarake dhe të firmosur nga vetë ai. Fletë-leja ishte e përhershme deri në përfundimin e studimeve dhe më mundësonte të dilja gjatë ditëve të javës nga ora 16 deri në orën 20.
lexuesin civil, një fletë-leje e tillë mund të dukej e thjeshtë, por për një student ushtarak ajo kishte një vlerë të jashtëzakonshme.
Nëpërmjet saj, ndiqja pasionin tim për letërsinë, duke ruajtur përgjegjësitë ndaj shkollës dhe ushtrisë, dhe përjetoja njëkohësisht atmosferën e kohës dhe lidhjen e shkollës me botën e artit dhe të kulturës.
Ajo fletë-leje nuk ishte thjesht një leje administrative, por ura ime drejt botës së krijimtarisë, një shteg që më mësoi se përkushtimi dhe pasioni mund të bashkëjetojnë, edhe kur disiplinat dhe rregullat duket se kufizojnë lirinë e mendimit. Ajo më ndihmoi të kuptoja se arti dhe detyra mund të ecin dorë për dorë, dhe se çdo sukses, madje edhe më i vogli, ka vlerën e tij të veçantë në rrugën e formimit tonë si individë dhe qytetarë.
Sa herë sjell ndër mend figurën e komisarit të Shkollës së Bashkuar Ushtarake, Komisarit tim, Begator Kozelit, ashtu si në këtë vit përkujtimor, kujtoj edhe fjalët e Nënë Terezës: “Jo të gjithë mund të bëjnë gjëra të mëdha, por mund të bëjnë gjëra të vogla me dashuri të madhe”.