Nga Sefer PASHA

Në rreshtin e parë të protestës kundër Gjykatës së Hagës në mbrojtje të komandantëve të UÇK -së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, mes qindra dhe mijëra vetëve, ishin dhe invalidët e betejave me serbët. Ata ishin shumë dhe nuk munda që t’i numëroja. Kur po fliste Alfred Moisiu munda të bëj një foto me një nga këta invalidë, i cili qe ulur në një stol dhe mezi mbahej mbi proteza. Fola me të. Nga tregimet e tij u trishtova. Ai më solli në sheshin “Skënderbej” betejat me serbët në Junik, Koshare, Gjakovë, Pashtrik dhe Reçak. Para se të gjymtohej nga predhat e serbëve invalidi kishte qenë një lis i gjatë. Ishte martuar me një grua gjithashtu të bukur si vetja. Pas tragjedisë ai dhe e shoqja e vuanin masakrimin. Invalidi nuk ishte më ai i pashmi i Prishtinës, që kur kalonte të gjithë kthenin kokën. Tek e dëgjoja rrëfimin e tij mu kujtua heroi Kanan Mazja, të cilin në Luftën e Vlorës të vitit 1920 italjanët e plagosën dhe një plumb ja ndau më dysh nofullat e gojës. Pas operacjonit Kanan Mazja kurrë nuk i bashkoi të dyja nofullat. Dhe populli i Vlorës kur e pa të gjymtuar i këndoi: -/Kanan Mazja nga Shkoza//Me një nofull copa – copa//Kanan tu prish bukuria//Le të rrojë Shqipëria//Shqipëra le të rrojë//Çka se mbeta unë pa gojë/.
E dëgjoja invalidin mes thirrjeve kundër padrejtësisë në gjykatën e Hagës dhe belbëzoja me vete se nuk kisha hasur motiv më ngjethës se sa ky i këtyre minutave mes këtij sheshi, që gjëmon nga brohoritjet për luftën e UÇK -së. Në ato çaste mua më ngjante sikur këndohej kënga e Kanan Mazes dhe e invalidit nga Prishtina. Njëra në Vlorë për trimin pa nofulla dhe tjetri në Reçak me këmbët të sharruara nga mitralozi i serbve. Në mes të brohoritjve të mëdha mua më kërkuan që të bëja një fotografi me djalin e Hashim Thaçit dhe u largova. Por kur u ktheva invalidin nuk e gjeta më. E kishin marë se ndjente dhimbje nga plagët e plumbave të serbve. U brengosa. Unë do të shkruaja një reportazh, ku në qendër do të ishte kënga e Kanan Mazes dhe ajo e pashkruara për invalidin e Reçakut në sheshin “Skënderbej”. Po unë nuk i shënova dot as emrin i thashë vetes me sytë nga tribuna ku po fliste Ali Ahmeti. Ku ta gjeja mes mijëra njerëzve heroin e reportazhit tim? Në asnjë skicë të thjeshtë letrare nuk më kishte ndodhur një “aksident” kaq i çuditshëm. Më humbi emri i personazhit kryesor. Fabula nuk më duhej më. Dhe nisa të vrapojë pas invalidëve që ishin të shumtë. Dhe nuk munda që ta gjeja dot. Por më shpëtoj fotoja që kisha bër më të. Foton do ta shpërndaja. Ku i dihet? Mbase do t’i bjer mikut tim dhe pastaj do të shkruajmë, jo një reportazh, por ndofta një roman.