• Për 45 vjet, si edukator i mijëra nxënësve ai ka dhënë shembullin më të mirë në shkollat ku punoi, duke krijuar modelin e mësuesit e drejtuesit që duhet të ndjekin brezat

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

Sa herë vjen 7- Marsi, gjithkush kujton me nderim dhe respekt të veçantë mësuesit e tyre, veçanërisht ata të viteve të fëmijërisë që ju mësuan shkronjat e veprimet e para aritmetike, por dhe zgjidhjen e ushtrimeve e teoremave të algjebrës, gjeometrisë e fizikës. Për këto të fundit, që njihen si lëndë të shkencave ekzakte, unë si dhe dhjetra bashkmoshatarët e mi nga Muhurri: Liman Berisha, Shefqet Mikli, Haki Xhani, Shefqet Xhani, Shefqet Tanushi, Aqif Mikli, Femi Balla, Demir Rama, Marie Balliu, Flutura Kurti, Maliq Lleshi, Basri Zhuzhi, Ibrahim Doda e dhjetra të tjerë, edhe pas 46 vitesh i shprehim mirënjohje e admirim të veçantë mësuesit tonë të dashur Mentor Domazeti.
Ai ka lindur në fshatin Brezhdan të Dibrës më 30 maj 1948. Po këtu mbaroi shkollën 7-vjeçare në vitin 1962. Më tej vazhdoi studimet në gjimnazin e Durrësit nga ku u dipomua në vitin 1965.
I etur për arsimin e dije, Mentor Domazeti nuk do të mjaftohej vetëm me një diplomë gjimnazisti, por do të vazhdonte studimet e larta për matematikë-fizikë në Institutin (sot Universiteti) “Luigj Gurakuqi”, Shkodër. Pas diplomimit me rezultate të shkëlqyera do të provonte emocionet e mësimdhënësit në shkollën e fshatit të vendlindjes ku shërbeu me zell e përkushtim të rrallë në harkun kohor të pesë viteve (1967-1972. Ligjet e asaj kohe do t’ja ndërprisnin përkohësisht karierën e mësuesit për të vijuar kryerjen e shërbimit të detyruar ushtarak.
Rikthehet sërish në arsim, këtë radhë një orë larg vendlindjes si mësues i matematikë-fizikës në shkollën 8-vjeçare “Nexhat Agolli” Muhurr (pas disa vitesh e Mesme e Bashkuar), ku shërbeu për rreth dy dekada, (nga janai 1975 deri në qershor 1993).
Këtu u mësoi lëndët e skkencave ekzakte mijëra nxënësve muhurrakë, qindra prej të cilëve mbaruan shkollat e larta në degë të ndryshme dhe sot shërbejnë si mësues, inxhinierë, mjekë, ushtarakë etj, në të gjithë vendin. Dhe jo vetëm nxënësit por dhe prindërit e tyre muhurrakë, me të cilët krijoi marrëdhënie afrimiteti e respekti të ndërsjelltë, edhe sot e ndërojnë e respektojnë Mentor Domazetin si mësuesin shembullor që ia rriti prestigjin shkollës së Muhurrit. Kjo për faktin se asnjëherë nuk u konfontua me ta, përkundrazi kaloi me ta plot 18 vite në harmoni dhe paqe. Më 1994 mësues Mentori emërohet Drejtor i Shkollës në Katund të Ri të Luznisë, ku për dy vite, me përkushtim, vizion bshkkohor e talent të rrallë bëri që ajo të renditej ndër shkollat më të mira të rrethit të Dibrës.
Katër vitet në vijim 1996-2000, Mentor Domazeti punon po në mënyrë shembullore si punonjës i arsimit në komunën Tomin. Kariera e tij si mësues e drejtues përfundon në vitin 2012 pas 12 vitesh (2000-2012) përkushtimi e talenti të rrallë si mësues i matematikës në Shkollën 9 – vjeçare “Demir Gashi” të qytetit të Peshkopisë.
Breza të tërë nxënësish nga Brezhdani, Muhurri, Katundi i ri e Peshkopia e nderojnë, respektojnë dhe shprehin admirim për Mentor Domazetin, si ezelent në mësimdhënie e sjellje shembullore në komunutetet e tyre.
Këtë 7 Marsi, Ditën Mëuesit, është një moment i rëndësishëm që ne ish nxënësit e tij të shprehim respektin, nderimin dhe vlerësimin për kontributin që ka dhënë mësuesi Mentor Domazeti në edukimin dhe arsimin e brezave dhe në zhvillimin e shoqërisë sonë. Pasi edhe sot, në moshën 76 vjeçare (në pension) Ai nuk nguron t’u gjendet pranë, jo vetëm nipërve e mbesave, por edhe kujtdo nxënësi për t’ia lehtësuar mësimin e lëdëve të matematikës e fizikës. Nisur nga përvoja e tij dhe veçanërisht nivelin në të cilin ndodhen sot shkollat në zona të tëra të shpopullurara, Mentor Domazeti apelon që roli i mësuesit mbetet kyç në vënien e shoqërisë sonë në binarët e zhvillimit dhe prosperitetit.
Gjithsesi ai ndjehet krenar që si gjithë mësuesit e brezit të tij, me kontributin real, sakrificat e panumërta dhe angazhimin e përkushtimin ndër vite i ka dhënë vulën proceseve nëpër të cilat ka kaluar shkolla shqiptare në 50 vitete fundit. Pikërisht për këto merita të padiskutueshme Mentor Domozeti vlerësohet si mësuesi i dinjitetshëm, si veteran shembullor i arsimit. Për 45 vjet, tij si edukator i mijëra nxënësve ai ka dhënë shembullin më të mirë në shkollat ku punoi, duke krijuar modelin e mësuesit e drejtuesit që duhet të ndjekin brezat.
Këtë 7 Mars, nga zemra i uroj mësuesit tim Mentor Domazeti: “Gëzuar, ditën e nderimit të madh të veprës suaj të ndritur. Mirënjohja, dashuria e respekti do ta shoqërojnë përjetësisht punën dhe misionin tuaj fisnik”.