Tregim nga Sulejman MATO
E keni vënë dhe ju re? Njerëzit sa vjen e bëhen më të ftohtë në marrëdhëniet midis tyre.
I shoh në rrugë dhe, ndërkohë që kërkoj të shkëmbej me ta një buzëqeshje, më kthejnë një gjysmëbuzëqeshje kortezie dhe askush s’ ndalon nga vrapimi i pakuptimtë drejt fundit.
“Mjaft me hallet tona,- sikur thonë,- ç’na duhen hallet e të tjerëve”. Por njeriu për të cilin dëshiroj të flas nuk është nga këta lloj njerëzish karakter prishur, ndonëse gruaja i ka vdekur prej kohësh e fëmijët e kanë braktisur, nuk i janë tharë ndjenjat. Mbahet heroikisht, i lidhur fort me të djeshmen krenare. Sytë e tij të kaltër, nën vetullat që nuk mbahen mend qyshkur i janë thinjur, së bashku me flokët të cilat të kujtojnë një rini bionde, rrezatojnë përherë dashuri , shpirti i tij i paplakur rrezaton mirësi dhe një humanizëm primitiv. I shkurtër dhe dinamik, plakushi për të cilin kam dëshirë t’ju tregoj diçka, ka një ecje sikur shtyn erën me gjoks, sikur në vrapim e sipër në turravrapin e fundmë kërkon të presë shiritin e jetës.
Emrin nuk ia di, s’ia kam mësuar. Sa herë rastisim të takohemi ai do të më bëjë gjithmonë të njëjtat pyetje dhe unë do të kujtohem t’i kthej të njëjtat përgjigje:
-Çuni mirë?
-Mirë.
-Po vajza, mirë?
-Mirë.
Po ju të gjithë mirë, me vëllezër me motra, mirë?
Mirë. Mirë.
Pastaj ia nis unë nga e para:
-Po ju fëmijët, mirë?
-Mirë.
-Djemtë, vajzat, mirë?
-Mirë..
-Djali i vogël në Londër është rregulluar me letra?
-Jo. Akoma, – thotë ai sikur të ishte faji i tij.
Fillimisht, kur takoheshim, vija re që “mir-a” e tij ishte tepër entuziaste, por sa më tepër kalon koha aq më tepër zbret ca shkallë nga ajo “mir-a” e tij e parë, entuziaste.
-Po vajza në Gjermani, mirë?
-Mirë – thotë ai me një gëzim të shtirur, ndërkohë që vajza e tij ka 16 vjet që i ka lënë pendët, së bashku me të shoqin. Ikën në kohën e ambasadave, janë rregulluar , por plakushin e gjorë e kanë harruar fare.
Epo. 16 vjet në një vend të huaj nuk janë pak. Kanë lindur dhe rritur fëmijë të cilët nuk dinë asnjë fjalë shqip.
-Po djali t’u kthye nga Zvicra? – pyet ai. Këtu gabon, në këtë pikë babushi me vetulla të thinjura ka gabuar disa herë , pasi djali im ka 16 vjet që është kthyer nga Zvicra, dhe ne, gjatë kësaj kohe jemi takuar qindra herë. Herën e fundit ai më tregoi për djalin e madh që kishte marrë letrat në Kanada.
-Eh! More bir, – pëshpërit ai me një ndjenjë sëkëlldie, – mirë, mirë i kemi.
-Do të ishte më mirë që njërin djalë ta kishe këtu, sidomos atë të voglin,- i them unë për të provuar si do të reagojë.
-Joo!Ç’ ne këtu? – i shkëlqejnë sytë me tmerr. – Ptu! Larg qoftë. Të marr në qafë fëmijët tani në pleqëri. Të shohin jetën e tyre. Të kenë jetën e tyre, pa unë e hëngra çairin
Sado optimiste të dukeshin, fjalët e tij rridhnin si lot nga zemra e plakur. Çairi i tij në mos ishte ngrënë plotësisht ishte andej nga fundi.
Ndërkohë që më zgjati dorën, konstatova se sytë e kaltër nuk nuk mund të shprehin dot trishtime të mëdha.
Një ditë tjetër u takuam rastësisht në trotuar.
-Hë? – më tha ai sa më pa. – Djalin këtu?
-Këtu.
- Po vajzën këtu?
- Këtu. Këtu.
- Të qenka kthyer nga Zvicra?
- Po , – i thashë unë, pa i dhënë rëndësi sklerozës së tij.
-Po ti, mirë, djemtë, nipçet, vajzën, mirë?
-Mirë, mirë. – M’u duk sikur vetëm për një çast ëndërroi të lozte rolin e heroit, domethënë të një babushi të lumtur, pasi çdo gjë tjetër, duke filluar nga sytë, humbja e kujtesës dhe ditët e kaluara plotësisht në vetmi, tregonin për diçka tjetër, shumë të rëndë.
-Të merr malli, sigurisht? – i thashë.
-Ç’pyet? Po ç’të bëj. Ç’të bëj!
-Të marrin në telefon?
-Jo ç’ ne. Ku kam lekë unë për t’i prishur me telefona.
Nuk më kishte dëgjuar mirë ose do t’i kishte nisur shurdhimi i veshëve.
Duke e vërejtur me kujdes më shkoi mendja përsëri te sytë kaltëroshë dhe në atë çast u binda përfundimisht se vetëm sytë e zinj janë të aftë për të shprehur një dhembje të madhe, të këtij lloji. Sytë e kaltër janë të mallkuar të mos e shprehin dot botën e madhe të dhembjes.
Më shtrëngoi putrën e dorës fort dhe iku me ngut si të kishte një hall e s’dinte kujt t’ia tregonte . S’ dinte kujt t’i zbrazej dhe ja, më gjente mua si një njeri i ngeshëm, mbase më ngatërron me ndonjë njeri të njohur? Sigurisht më ngatërron. Apo ka marrë vesh që unë shkruaj dhe ka thënë: këtij njeriu do t’i rrëfej gjithçka. Botë e keqe!
Ju thashë, emrin jo vetëm nuk ia dija, por as u përpoqa t’ia mësoja kurrë.
Një ditë tjetër u takuam përpara pastiçerisë “Laguna”. Ka qenë 30 dhjetor, një ditë para Vitit të Ri, mes rrëmujës së qytetarëve që nxitonin për përgatitjet e funditvitit, vetëm ai kishte një ecje të ngeshme dhe pa drejtim. Ky ka qenë dhe takimi ynë i fundit.
Si gjithmonë ishte ai i pari që niste me pyetje standarde:
Po hë? Ç’kemiFëmijët mirë?
-Mirë.
-Vajza mirë?
-Mirë.
-Djali është kthyer nga Zvicra?
-Ka kohë.- Nxitova ta ndihmoj për të mos i lënë shteg arteriosklerozës së tij.-Po ti si i ke andej?
-Mirë. – tha ai. – Ishte një “mirë” e përvuajtur, e zgjatur dhe e sëkëlldisur, një “mirë” si e vrarë me shtizat e heshtjes së gjatë dhe si e masakruar me pickimet e një indiference të pakufishme..Pastaj diçka shtoi si nëpër dhëmbë: “Mirë, mirë, por prapa diellit”.
Desha t’i thosha diçka ngushëlluese , më tepër për t’ i dhënë kurajë asaj fytyre të plakur dhe disi të përhumbur. I kishte humbur krejt shpresat, ndonëse sytë e kaltër i shkëlqenin si xham . Atë mëngjes kishte vendosur dhe ai të gjallonte nëpër rrugë trimërisht, duke mos dashur t’i dorëzohet vdekjes para kohe e cila kishte disa ditë që kishte trokitur në apartamentin e tij të vetmuar.
Ditët e tjera nuk e pashë më. Më ka mbetur në mend fytyra e tij. Nuk ia mësova emrin. As ku banonte….