Më 27 janar 2025, ndërroi jetë akademik Minir Dushi, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK) që nga themelimi i saj më 1975. Ai ishte pjesëmarrës aktiv në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. I rreshtuar me partizanët e Gjakovës, që kur ishte fëmi luftoi me pushkë në dorë kundër okupatorit nazi-fashist. Ishte pjesmarrës në Konferencën e Bujanit me detyrë në urën e Valbonës për të siguruar mirëmbajtjen e Konferencës.
Akademik Minir Dushi lindi në Gjakovë në vitin 1929. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme teknike e mbaroi në Nish (1950).
Studioi në Fakultetin e Xehetarisë në Beograd, ku u diplomua më 1958, ndërsa doktoroi po në Universitetin e Beogradit në vitin 1965.
Pas fakultetit punoi një kohë në horizontet e minierës së Trepçës, teksa më pas ushtroi funksione të ndryshme udhëheqëse në këtë kombinat.
Akademik Minir Dushi ishte njëri nga themeluesit dhe drejtues i disa institucioneve mësimore dhe shkencore të Kosovës, siç ishin Shkolla e Lartë Teknike në Mitrovicë (1961-1966), Instituti i Plumbit dhe i Zinkut i Kombinatit “Trepça” (1966-1973), Fakulteti i Xehetarisë dhe i Metalurgjisë në Prishtinë (1970) e më vonë në Mitrovicë (1975-1979).
Në vitin 1969 u zgjodh profesor inordinar i Fakultetit Teknik të Prishtinës, ndërsa në vitin 1975 profesor ordinar i Fakultetit Xehtaro-Metalurgjik në Mitrovicë, ku ushtroi edhe detyrën e dekanit për dy mandate. Me themelimin e Universitetit të Prishtinës (1970) u zgjodh zëvendësrektor i parë, kurse në vitin 1981 u bë rektor i këtij universiteti (1981-1983). Anëtar korrespondent i ASHAK-ut u zgjodh që nga themelimi i Akademisë në vitin 1975, kurse në vitin 1978 u zgjodh anëtar i rregullt. Në vitin 1986 u bë anëtar i Kryesisë së KSA të Kosovës.
Opusi shkencor i akademik Minir Dushit arrin mbi 180 njësi bibliografike. Nga fusha e xehetarisë ka botuar 8 vepra e afro 70 punime shkencore dhe profesionale. Ka të botuara 18 libra shkencorë, nga të cilët 4 tekste universitare, si dhe 14 vepra të tjera të veçanta të botuara nga ASHAK-u dhe Universiteti i Prishtinës.
Akademik Minir Dushi është nderuar me një sërë çmimesh, dekoratash dhe mirënjohjesh.
Ishte veteran i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe ishte shpallur edhe veteran i arsimit të Kosovës.
Në 25-vjetorin e Universitetit të Prishtinës, Senati i këtij universiteti i dha titullin “Profesor emeritus”, kurse Këshilli Shkencor-Mësimor i Fakultetit Xehtaro-Metalurgjik në vitin 1996 e shpalli “Dekan nderi”.
Në respekt të jetës dhe veprës së akademik Minir Dushit, më datë 28 janar 2025 u bënë homazhe në Shtëpinë e Kulturës “Rexhep Mitrovica”.
Më 29 janar (e mërkurë) në orën 10:00, në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës u mbajt mbledhje komemorative dhe më pas, po në mjediset e Akademisë, u zhvilluan homazhe, deri në orën 11:30.
Në orën 11:30 kortezhi u nis për në Gjakovë.
Në Gjakovë, në Shtëpinë e Kulturës “Asim Vokshi”, nga ora 14:00-15:00 u mbajt të mbledhje komemorative. Akademik Minir Dushit iu dha lamtumira e fundit me te gjiha nderimet që meritonte për t’u prehur i qetë në varrezat e vendlindjes së tij, në Gjakovë.
Bashkim HISARI