Neki ÇAKO

Shuko Ramo Karabolli lindi më, 15 Maj 1911 në fshatin Kallarat të Vlorës. Lajmi do të bëhej i ditur me anë të një maliheri që, për krenarinë e labit kur vinte në jetë një djalë do të shtihej në pushkë. Maliheri asnjëherë nuk është lëshuar nga dora e labit dhe gjithë shqiptarëve. Gryka e tij vetëtin dhe asnjëherë nuk e zë ndryshku. Si një ogur i mirë një vit më vonë i njëjti maliher do të jepte lajmin se Ismail Qemali kishte shpallur mëvetësinë e Shqipërisë në Vlorë. Në vitin1913-1914 pushtimi grek e bëri Kallaratin të bashkohet në një të vetëm për tu mbrojtur nga andartët e pa shpirt. Numuri i tyre ishte i lartë dhe nuk ishte në propocion me banorët. Si nje thirrje për bashkim doli edhe kënga: “Kallarat 100 shtëpi/ O sot…./ O, kurrë.. më njeri!”.
Do të vinte viti 1918 kur Shukua i vogël djali i Ramo Karabollit do të fillonte në shkollë të mësonte shkrim e këndim. Ai shquhej për një shkrim të bukur dhe ishte i saktë në përgjigje. Pas përfundimit të shkollës fillore atij i duhej të vinte në ndihmë të familjes që në moshë fare të vogël. Varfëria kishte pllakosur ngado! Duhej të ndihmonte në bujqësi dhe me ato pak bagëti që kishin të siguronin produktet bazë të ushqimit. Gjatë ditës me bageti ai i binte fyellit dhe shquhej për një zë të kthjellët kur këndonte. Jeta ecte me peripecitë e saj ndërsa, Shukua po rritej. Së bashku me të po hidhte shtat edhe Xhevo Osmënaj të cilës ja kishte vënë syrin dhe donte ta kishte të vetën. Dhe ashtu u bë. Ata u martuan bashkë dhe lindën dy vajza dhe një djalë. Hurmanë, Pashakon dhe Saminë. Jeta ecte dhe Samiu djali i vetëm i Shukos do të hidhte shtat .Trupi i tij i bukur dhe flokët e verdhë ja shtonin edhe më shumë krenarinë Shukos. I gëzohej faktit se djali po rritej e do ta kishte krah. Flokët e verdhë janë karakteristikë për Kallaratasit. Ka edhe një këngë trimash për ta, e cila i personifikon edhe për ngjyrën e flokëve: “Sinan Malo çepe verdhë/ E punonte mire dyfeknë”.
Shuko Karabolli nuk e hoqi dyfekun nga supi. Pas vdekjes së të atit, atij i ngeli barra e rëndë, por nuk u përkul kurrë. U nis në Vlorë në vitin 1939 në luftë kundër breshkaxhinjeve italianë. Luftimet ishin të përgjakshme, trimëri të pa shëmbullta. Ai së bashku me fshatarët e tjerë u kthyen të dëshpëruar, pranë familjeve. Barra ishte e rëndë. Familjes duhej t’i sigurohej ushqimi. Ndaj vendosi t’i kthehet blektorisë dhe ngriti stanin e tij në vitin 1942 në pllajat e bukura të vargmalit të Pogonicës. Aty nisi dhe veprimtaria e Shukos. Ai do të priste e përcillte shumë luftëtarë, që ishin hedhur në aksion për shfarosjen e okupatorit. Shukua i priste në stan, i ushqente dhe u krijonte kushte të shplodheshin dhe mundohej t’ju jepte informata për vëndodhjen dhe numurin e pushtuesve. Ai u siguronte armatim dhe municione, por kjo nuk i mjaftonte ndaj u hodh edhe vetë në aktivitet. Kështu në vitin 1942-1943 u bashkua në luftën e Gjormit, kundër italianëve. Ai u bë pjestar i çetës së Kallaratit. Në mars tëvitit 1944 u bashkua me fshatarët e vetë në brigadën e VI “sulmuse” ku bënte pjesë edhe vëllai i tij, Ҫelo Karabolli si luftëtar i kësaj brigade. Përleshjet me naziztët gjermanë ishin të furishme ku në, 12 prill të 1944 në operacionin “Gryka e Ujkut” u bënë luftime të ashpra dhe gjemanët ngelën në turpin e tyre. Nga Kallarati shkuan shumë luftëtarë dhe u bashkuan me brigadën e parë “sulmuse”. Në grupin e tyre kishte shumë djem dhe vajza nga ky fshat. Asnjëherë nuk e lëshuan pushkën nga dora Kallaratasit. Ndërsa Shukua u rreshtua në radhët e brigadës VIII “sulmuse” në 20 prill të vitit 1944. Pasi u pëshëndetet me nënën e tij Xhikon dhe gruan Xhevon do të largohej për në brigadë. Ndërsa Samiu, djali i tij, ende i pa rritur mirë, i thoshte, më merr edhe mua me vete edhe unë dua të luftoj. Ai do të merrte maliherin që kishte shtirë në ditën e lindjes së tij. Ecnin si sokadhe e si drera, vajzat dhe djemtë e Kallaratit të veshur me gjerdanë e fishekë maleve të Kurveleshit në drejtim të Zagorisë. Gjatë rrugës u bashkuan edhe shumë të rinj të tjerë si, Hetem Qurduka , Dule Hoxha, Zenel Koshi, Ismail Çako, e shumë të tjerë të cilët ju bashkuan brigadës VIII “sulmuese”. Në Qershor të vitit 1944 brigada e VIII u përfshi në luftime të ashpra Batalioni i tretë, avancoi luftimet drejt Pogonit. Armiku mësynte me artileri. Në agim të datës tetë Qershor, luftëtarët e brigadës tetë hidhen mbi pozicionet armike. Filluan luftimet trup me trup. Armiku u tërhoq nën panik. Së bashku me pushimin e grykës së armëve, pushoi edhe zemra e Shuko Karabollit, i cili ishte plagosur nga një predhë artilerie. Së bashku me të ranë në fushën e betejës edhe mitralieri Ismail Ramo Ҫako dhe tre partizanë të tjerë të cilët sot ndrijnë në altarin e lirisë për të mos vdekur kurrë. Shtabi brigadës i dërgon këtë njoftim familjes së Shaqo Karabollit pas rënjes së tij në fushën e betejës aty, në Sopik të Zagorisë. Më datën 8 Qershor 1944 në zonën e Sopikut, Gjirokastër u zhvilluan luftime të ashpra midis partizanëve të brigadës tetë “sulmuse” dhe forcave naziste e tradhëtare. Aty ra heroikisht në luftën për liri partizani Shuko Ramo Karabolli. Betohemi se do t’ia marrim hakun atij dhe gjithë të rënëve për liri e pë Atdhe!. Me marrjen e njoftimit nëpërmjet të vëllait i cili ishte pjestar i kësaj brigade, nënë Xhikua Pasi mori lajmin për humbjen e të birit, ajo do ta vajtonte me ligjërime: “Më erdhi letra me vëllanë/ Mbahu moj Xhiko më thane/ Se Shukua të është vrarë/ Rrotull më erdhi shtëpia/ U hoq kulmi nga çatia/ Gjaku Shukos, Shqipëria!”