PROFESIONALIZMI I DOKTOR ISMAIL FETËS KA QENË KULMOR

PROF. DR. HAJRI SHEHU

Doktor Ismail Feta është kirurgu i Spitalit Ushtarak (sot Spitali Universitar i Traumës) që në 40 vjet punë ka bërë 30 000 operacione. Sikur edhe, thjesht pritje zyrtare të ishin, janë vërtet shumë. Dhe doktori nuk mjaftohej vetëm me operimin. Do ta ndiqte pacientin derisa ta përcillte në këmbë të veta e t’i uronte udhembarën: Çdo pasdite, rruga e doktorit ishte shtëpi-spital për të parë të operuarin. Dhe të operuarit kanë qenë 30 000.Doktori ishte mjeshtër i operacioneve të stomakut, mëlçisë etj. Ishte specializuar në Shën Petërburg të Rusisë e më pas, më 1971-1972, në Kinë – për kirurgjinë e mëlçisë së zezë. Në Kinë ka kryesuar tërë grupin e kirurgëve shqiptarë. Me vlerësimet më të larta flasin të gjithë ish-kolegët e tij: Kirurg i shkëlqyer, i rrallë. Gishtërinjtë e tij, – ka thënë ish-drejtori i Spitalit të Përgjithshëm Ushtarak, prof. Veli Toto, – dukeshin sikur vallëzonin në barkun e hapur të pacientit. (Gazeta “Koha jonë”, 1 nëntor 2003, f. 21). Një tjetër koleg i tij, prof. Spiro Dede thotë: Unë jam i lumtur që kam punuar me një koleg të këtyre përmasave.
Profesionalizmi i doktor Ismail Fetës ka qenë kulmor. Në vitet ’70, – mbaj mend, – ka shkruar gazeta “Bashkimi”: Doktor Ismail Feta bën operacionin e 140-të botëror. Rasti ka qenë ky: Një vajzë rreth 10-vjeçe bie nga mani. Tri të katërtat e mëlçisë ishin dëmtuar. Gjendja e vajzës ishte shumë e rëndë. E fut në sallë të operacionit vetë kirurgu, dr. Ismaili. Operacioni del me sukses. Duart e doktor Ismailit e shpëtuan vajzën. Kështu është shkruar atëherë në gazetën “Bashkimi”. Mrekullia është se vajza vogëlushe është bërë mjeke. Mrekullia e parë qe e doktor Ismail Fetës. Kirurgu i talentuar ka qenë edhe shef i pavijonit të kirurgjisë. Ka qenë edhe drejtor i Shëndetësisë së ushtrisë. Dhe ka shkëlqyer edhe atje. Me dijen dhe fjalën e tij. Por duart e tij qenë të lindura për kirurgji.
Tregon i biri, Bashkimi: Pasi i operojnë dikujt djalin e djali del nga spitali, burri troket në derën e mjekëve e u thotë: Kush ma ka operuar djalin se dua ta falënderoj? I thonë: Ekipi. Ai kujtoi se mjeku e kishte emrin Ekip. Po, ku mund ta gjej doktor Ekipin? Doktor “Ekipi”, – i thonë është ky këtu – doktor Ismail Feta. I punës e i thjeshtë me pacientët. I thjeshtë e jorrahagjoks me të afërmit e pacientëve. Po të mos më marrin si jonormal, – tha burri, – dal e thërras rrugëve të Tiranës: Rroftë doktor Ismail Feta! Doktorin e adhuronin pacientët. Do të operohej një burrë, – tregon përsëri Bashkimi. Dyshohej për sëmundje jo të mirë. Dhe pacienti ngulmonte: Edhe po vdiqa, s’ka gjë; vetëm të më operojë doktor Ismaili.
Doktor Ismailin e kam mik. Dhe nga anët e mia thonë: Zgjidhe mikun më të mirë se vetja! Prandaj e kam zgjedhur. Dhe në vitin 1976, doktor Ismaili ka qenë në shtëpinë time, në katundin Vleshë për një kthim buke, siç quhet andej. Dhoma e epërme u kthye në dhomë vizitash mjekësore. E kishin marrë vesh njerëzit dhe donin t’i vizitonte doktor Ismaili. Doktori ishte kirurg stomaku, mëlçie etj. Këtë e dinin. Dhe prandaj vinin – për stomak. Dhe pastaj, pas disa ditësh a muajsh, thëniet e tyre ishin: Qishkur më ka vizitue doktor Ismaili e më ka dhanë ilaçet, s’më dhemb ma stomaki, – thoshte njëri a tjetri. Tërë dijen e vet, teknikën e vet e dorën e vet doktor Ismaili ua dha edhe mjekëve të tjerë nga tërë Shqipëria, që specializoheshin për kirurgji në sallën e tij të operacionit e në pavijonin e tij. Unë njoh kirurgun e Gjirokastrës, Roland Karalliun. Nga kirurgu i madh, Ismail Feta e mori tërë mjeshtërinë operatore. Rolandi ka bërë mbi 12 000 operacione në vitet e tij të punës në spitalin e madh të Gjirokastrës, që mban emrin “Omer Nishani”. Doktor
Ismaili ishte shpirt njeriu, shumë zemërdhembshur. Gjithmonë fjalëbutë. Po të rrudhte vetullat doktori, pra vetëm kaq, duhet ta merrje vesh se kishe bërë gabim të rëndë.
Doktor Ismail Feta ka lindur në katundin Zagrad, Peshkopi. Është katundi më i epërm, andej nga nxjerr dielli syrin. Ende i parritur, u rreshtua partizan në Brigadën XVIII Sulmuese. Në ceremoninë varrimore, më 15 korrik, 2002, pas bataresë së pushkëve për të nderuar kujtimin e doktor Ismail Fetës, Artisti i Popullit, Sulejman Pitarka tha gjithë krenari: “Me krisma e nise (jetën), me krisma e bitise, o Ismail Feta.” Pas Çlirimit, pas Shkollës së Bashkuar të Oficerëve, Tiranë, ndjek shkollën e mesme mjekësore në Lubjanë (1947-1951). Studimet i përfundon në Kiev, Ukrainë. Më 1952-1959 kryen studimet e larta për mjekësi në Akademinë Ushtarake Mjekësore “Kirov” në Leningrad (sot Shën Petërburg). Më 1958-1959 specializohet për kirurgjinë e stomakut, patologjitë e mëlçisë, të zorrëve etj. Më 1971-1972 bën, siç u përmend, një specializim tjetër në Kinë.
Me betimin e Hipokratit në mendje dhe në zemër, doktor Ismail Feta bëri 30 000 operacione. Ky është mjeku. Ky është njeriu. Njeriu njerëzor.
Doktor Ismail Feta është Qytetar Nderi i qarkut të Dibrës. Titullin Qytetar Nderi mund t’ia jepte edhe Tirana. Kombi – titullin: Nderi i Kombit. Për punën dhe përkushtimin në shërbim të Kombit.