• Përmes poezive të këtij vëllimi mëson shumë për ngjarjet historike, udhëheqësit e luftërave në shekuj, dëshmorët, personalitetet dhe njerëzit e shquar të krahinës, për besimin në Zot dhe dashurinë për vendin, për natyrën e bukur

Bujar Karoshi

Libri “Poezi të shpirtit tim” i autorit Destan Rama vjen me një shtrirje të gjerë kohore dhe territoriale të trevave të Grykës së Madhe, Bulqizës e më gjerë. Në këtë vëllim ka poezi me fakte, të dëshmuara nga dokumente historike, nga kërkimet arkeologjike apo nga gojëdhënat popullore, në të gjithë territorin e këtyre trevave, si: Qyteza e Krajkës, e Sofraçanit, e Kokërdhokut, e Fushë Gurrës, Qyteti i Valikardhës etj.
Me interes lexohen poezitë që i kushtohen periudhës së Skënderbeut, betejave të tij, si edhe heronjve të rënë në këtë luftë. Vend të rëndësishëm zënë poezitë kushtuar themelimit të Qeverisë së Malit (Nëntë malet e Dibrës), domosdoshmërisë së krijimit të saj, luftës heroike kundër Hajredin Pashës në Fushën e Gjoricës, (Drini i Zi), heronjve të saj, si edhe udhëheqësit të malit, Sheh Mustafë Zerqanit.
Qëndresa heroike e popullit të këtyre trevave, si edhe e gjithë Dibrës, kundër pushtuesit mizor serb, përbëjnë një epope të lavdishme, bashkë me heronjtë e saj.
Të gjithë jemi të lidhur shpirtërisht me shenjtorët dhe vendet e shenjta, ndaj poezitë e shkruara për ata, përbëjnë një kureshtje më vete.
Epopeja e lavdishme e luftës antifashiste Nacionalçlirimtare zbulohet nëpërmjet poezive dhe heronjve të saj,të rënë në këtë luftë.
Nëpërmjet poezive, në libër, do të njihemi me përpjekjet e pareshtura të popullit të këtyre trevave për arsimin shqip. Populli i ktheu shtëpitë e tij në shkolla. Ajo zanafillën e saj e ka tek oda, atje të verbrit i erdhën sytë.
Destan Rama duket se frymëzimin për të shkruar poezi e merr nga vendlindja, nga fshati i tij, pasi për shumë ngjarje,ose i ka përjetuar vetë, ose i ka të dëgjuara nga rrëfimtarët popullorë. Destani jeton në fshat dhe përmes poezive duket, se e do shumë atë. aty ai u lind, u rrit, u edukua dhe u shkollua.
Bukuritë e dheut ndodhen në vendlindje dhe aty ai duket se njeh çdo gurë dhe çdo rrugicë, ndjen flladin, ajrin e freskët, aromën e luleve shumëngjyrëshe; shijon e i gëzohet çdo bukurie natyrore. Ai kënaqet me bukuritë dhe madhështitë e maleve, të fushave pjellore, me blegërimën dhe këmborët e deleve që i ngjiten temlës si ushtarët në stërvitje taktike.
Zëri i ëmbël i bilbilit, vaji i qyqes, fluturimi i dallëndyshes etj., e mahnitin dhe e bëjnë të lumtur.
Të gjitha këto më sipër ndjehen në poezitë e këtij vëllimi, ashtu siç ndjehet edhe urtësia, punët e mira, dashuria dhe respekti për njerëzit e mirë dhe të njohur të krahinës.
Destani ka qenë gjithë jetës së tij një mësues, që e ka dashur punën, që ka punuar dhe u ka mësuar qindra nxënësve dijen, me përkushtim, dashuri dhe fisnikëri. Dhe kujtimet e mira të punës si mësues i ka shprehur në poezitë kushtuar shkollës së dashur, mësuesve, nxënësve dhe kolegëve.
Njeriu vlerësohet për punët që bën, nderohet për veprën që lë pas. Në poezitë e këtij vëllimi do të lexoni për jetën dhe veprën e disa intelektualëve, të cilët i dhanë jetë e gjallëri trevave të tyre, u bënë modeli i punës, i shembullit frymëzues për brezat e ardhshëm.
Destan Rama ka punuar për shumë vite mësues në shumë treva të Bulqizës. Kjo i ka dhënë mundësinë të njohë mirë ngjarjet historike, traditat, zakonet, ritet, toponiminë, personalitetet, shenjtorët, luftëtarët dhe heronjtë që dhanë jetën për liri dhe pavarësi. Mali i Duriçit është për autorin një magji më vete: mbi sipërfaqe prodhon katranin – rrëshirën e pishës me të cilën Skënderbeu prodhonte armët e luftës dhe, brenda në thellësi, mban kromin – këtë flori të nëntokës, që e bëri Bulqizën të njohur anembanë botës. Po aq magjishëm dhe plot mistere është edhe Qafa e Buallit (bollave), që është si portë hyrëse për në Mat, ura e Vashës e deri në brigjet e detit.
Përmes poezive të këtij vëllimi mëson shumë për ngjarjet historike, udhëheqësit e luftërave në shekuj, dëshmorët, personalitetet dhe njerëzit e shquar të krahinës, për besimin në Zot dhe dashurinë për vendin, për natyrën e bukur. Më shumë se sa një vepër letrare poetike, duket se autori kërkon përmes këtij vëllimi të ushqejë te lexuesi dhe, sidomos të rinjtë, dashurinë për vendlindjen. Në këto kohëra kur të rinjtë e kanë mendjen për të eksploruar vendet e botës, për të punuar dhe për të jetuar në dhera të huaja, ky vëllim poetik të fton në vendin tënd. Të njeh me historinë, traditën, kulturën, të tregon bukuritë dhe pasuritë e mëdha. të fton të kthehesh; të punosh dhe kontribuosh për vendlindjen tënde. Ky vëllim përcjell mesazhet e rilindësve tanë, se të punosh në vendin tënd, të luftosh për vendlindjen tënde, nuk ka gjë më të mirë e më të bukur dhe çdokënd e bën të lumtur!