• U formua si oficer i lartë, me gjykim të thellë, me mendime të pjekura për artin ushtarak popullor, për teorinë dhe shkencën ushtarake në përgjithësi, duke u vlerësuar nga kolegët, eprorët dhe vartësit si pjesë e korpusit të të urtëve të Ushtrisë sonë Popullore, që e përmbushën misionin e tyre në kushtet nga më komplekset e kohës. Në Labëri vlerësohet si burri që shkroi historinë me pushkë dhe me penë
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Fshati Vajzë e mençurisë, patriotizmit, trimërisë dhe lavdisë
Kur flasim për fshatin Vajzë rrëzë malit të Beunit, këtë emër të njohur dhe të shquar në historinë e Vlorës, Labërisë, Shqipërisë, është e pamundur ta përfshijmë në pak rreshta fshatin e vlerave të rralla dhe që ka nxjerrë personalitete të të gjitha fushave. Fshati Vajzë me një emër kaq të veçantë dhe unik mbarëshqiptar është ndër fshatrat labe me mjaft tradita, vlera, histori me rrënjë amantine, e spikatur në histori, por mbi të gjitha me njerëz që i kanë dhënë shumë fshatit, Vlorës historisë labe dhe që kanë vendosur edhe për fatet e zhvillimet e vendit në shumë fusha të zhvillimeve shqiptare. Ndër bijtë e saj të shquar zë vend dhe gjeneral Maliq Sadushi, krahas figurave të tilla si Ali Asllani, Sulejman Rexhepi, Perlat Rexhepi, Lavdosh Ahmetaj etj. Fshati Vajzë është vendlindja e legjendës së trimërisë vajziote Hito Zenel Hitaj (shpallur dëshmor më 11.4.2025), poetit kombëtar Ali Asllanit, e heroit dhe dëshmorit të epopesë së tre heronjve të Shkodrës Perlat Rexhepit, por edhe i dy ish-ministrave; Lavdosh Ahmetaj dhe Maliq Sadushit, që edhe pse ishte Zvendësministër i parë i Mbrojtjes, duke qenë se Mehmet Shehu ishte edhe Kryeministër për shumë vite kreu detyrën në një nivel me Ministrat e tjerë në qeverinë shqiptare. Këtu në Vajzë gjen histori nga më të vjetrat e deri tek patriotizim dhe atdhedashurinë e pashterrshme, gjen epokat me njerëz të pushkës dhe të penës dhe të pushkës, që i kanë kaluar sinoret e fshatit Vajzë, të krahinës së Labërisë, por dhe më gjerë mbarë rrafshin kombëtar. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e gjen Maliq Sadushin ende të parritur me shpirt të zjarrtë që u lidh fuqishëm me formacionet e ilegalëve të parë partizanë. Djaloshi 13 vjeçar ishte ndër më të rinjtë e organizatës së rinisë antifashiste duke qenë ndër të parët që u përfshi në radhët e saj. Në fillim të viteve 1942-1943 dhe në vijimësi lufta çlirimtare mori hov dhe Maliqin e gjejmë në formacionin e parë të çetës teritoriale të Vajzës, në luftimet e Gjormit, e më tej pjesëmarrës në të gjitha luftimet, në muajin Korrik të vitit 1943, Maliq Sadushi rreshtohet si luftëtar në batalionin partizan “Ismail Qemali” të Vlorës dhe prej 28 Nëntorit 1943, me formimin e Brigadës së Pestë, në fshatin Gumenicë rreshtohet si partizan i thjeshtë dhe më pas komandant skuadre. Baza e BrVS edhe pse kishte pesë batalione ishte batalioni “Halim Xhelo” dhe “Ismail Qemali” me një efektiv prej më se 500 vetësh. Maliqi ishte pjesëmarrës në gjithë veprimtarinë luftarake të kësaj brigade heroinë nga dita e inaugurimit më 20.1.1944 në Bramyshnjë të Tërbaçit. Maliq Sadushi dhe të tjerë vajziotë të shumtë e pasuruan historikun e fshatit Vajzë dhe ridimensionuan atë falë mençurisë, patriotizmit, trimërisë, punës, fisnikërisë, njeri tërësisht i vërtetë dhe i vlerave të larta njerëzore.
Ushtaraku madhor Maliq Sadushi, një jetë e ndershme në luftë dhe në punë
Maliq Sadushi lindi më 2.2.1928 në Vajzë të Vlorës. Rrjedh nga një familje me tradita të shquara atdhetare dhe patriotike si nga babai edhe nga nëna. Babai i tij dhe gjyshi nga nëna kanë marrë pjesë me armë në dorë në Luftën e madhe të Vlorës më 1920. Jeta e Maliqit ka qenë tejet e vështirë pasi në moshën 2 vjeç i vdiq nëna nëna dhe në moshën 4 vjeç edhe babai. Kështu që Maliqi i vogël u rrit jetim. Pavarësisht vështirësive të mëdha kreu shkollën fillore në fshatin e lindjes në Vajzë të Vlorës. Më 1939 detyrohet të fillojë punë për të përballuar jetën, kur ishte vetëm 11 vjeç. Në vitin 1942 organizohet me grupin e të rinjve antifashistë të krahinës së Kudhësit. Rreshtohet partizan në çetën e Vajzës në moshën 14 vjeç, më pas në batalionin partizan “Ismail Qemali”; më tej jeta partizane e çoi në një prej formacioneve të mëdha dhe më të lavdishme të LANÇ-it, pasi në nëntor 1943 rreshtohet në Brigadën e 5-të Sulmuese dhe në dhjetor 1943 pranohet anëtar partie, sipas dokumentacionit dhe autobiografisë së tij. Maliqi i rreshtuar në radhët e Brigadës së 5-të sulmuese e ndoqi armikun deri përtej kufijve shtetërorë, në tokat shqiptare deri në Sanxhak të Jugosllavisë, duke kontribuar për çlirimin e shqiptarëve jashtë “Shqipërisë Londineze” dhe popujve të ish-jugosllavisë. Lufta e burrëroi, trimëroi, mënçuroi Maliqin, që e nisi luftën që fëmijë dhe në radhët e saj së bashku me moshatarët e tij.
Në shtator 1944, emërohet zëvendëskomisar kompanie. Lufta tashmë kishte marrë përmasa të mëdha në mbarë vendin, madje një pjesë e njësive luftarake në përbërje të dy divizioneve sulmuese kishin kaluar kufijtë administrativë të Shqipërisë, për t’u ardhur në ndihmë vëllezërve kosovarë në luftën kundër forcave gjermano-çetnike. Maliqi në këtë kohë ishte luftëtar i rreshtuar në Brigadën XXV Sulmuese të Divizionit të 5-të Sulmues, të Ushtrisë Partizane Shqiptare. Është për t’u evidentuar dhe theksuar, se Maliqi në të gjitha luftimet ku mori pjesë u tregua i vendosur, luftarak dhe trim, me një aktivitet sinjifikativ luftarak, një prerje për ushtarak që gjatë luftës. Nga tregimet e bashkëmoshatarëve por mbi të gjitha nga dokumentet që flasin qartë dhe bindshëm gjejmë se, “Maliqi ishte luftëtar që në luftën e Gjormit në 31.12.1942 dhe 2.1.1943, lufta e Drashovicës më 14.9.1943 deri më 5.10.1943, Operacioni gjerman i Qershorit 1944 në Skrapar e Gramsh, luftimet në rrethinat e Tiranës, në Mullet, në shkallën e Tujanit, në Zall-Herr nga fundi i muajit Qershor-fillimi i muajit Korrik 1944, luftimet e Kukësit në shtator 1944, lufta e Gjakovës si dhe luftimet e Sanxhakut në Jugosllavi në fundin e vitit 1944-1945. V
eprimtari e tij gjithëpërfshirëse bëri që atë ta njohë trimin e luftëtarin e fshatit Vajzë jo vetëm Labëria, por mbarë Shqipëria. Kur citon aktivitetin luftarak të Maliqit dhe shokëve të tij në luftë në lulen e rinisë, jo vetëm brenda kufijve të Shqipërisë por dhe jashtë saj deri në Jugosllavi, shohim qartë shprehjen e idealizmit luftarak, ndërgjegjen kombëtare, atdhetarizmin e vrullin rinor, që e shpërfillnin vdekjen në të gjitha ditët e luftës. Pas çlirimit të vendit rreshtohet në forcat e ndjekjes për asgjësimin e bandave diversioniste deri në 5 dhjetor 1945. Më pas caktohet shef i seksionit të sigurimit të ushtrisë pranë Komandës së Përgjithshme të UNÇSH-së. Pas një kursi një vjeçar caktohet komandant batalioni në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve. Pastaj kryen kursin për filozofi dhe ekonomi politike prej vitit 1955-1956.
Nga viti 1958-1961 kryen Studimet e Larta në Moskë në “Akademinë Ushtarake Frunxe”. Në korrik 1962 emërohet komandant i Brigadës në Laç, e më pas Komandant i Brigadës së Këmbësorisë në Kukës. Prej 1968-1969 kryen Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm në Tiranë. Prej 1969-1973 caktohet shef shtabi Korpusi. Prej vitit 1973-1974 caktohet pedagog në Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu”.
Prej vitit 1974-1982 ka kryer detyrën e Zvendës Ministrit të Parë të Mbrojtjes Popullore dhe njëkohësisht deputet i Kuvendit Popullor për Vlorën dhe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Në mestetorin e vitit 1982 shkarkohet nga të gjitha detyrat shtetërore dhe nxirret në lirim padrejësisht për dyshime si pjesëtar i “Komplotit” të Mehmet Shehut e Kadri Hazbiut. Maliq Sadushi ishte vetëm 54 vjeç kur u nxorr në lirim, një vit para se të mbushte moshën normale të daljes në pensión, pasi ushtarakët pensionoheshin në atë periudhë në moshën 55 vjeçare.
Ushtaraku model me performancë dhe integritet të lartë intelektual
Pas përfundimit të LANÇ-it, Maliq Sadushi vijoi shërbimin në ushtri si oficer, me detyra të ndryshme si, komandant batalioni në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve Tiranë, me studime të larta ushtarake në Akademinë Ushtarake “Frunze” në Moskë, në Brigadën e 5-të Këmbësorisë në Gjirokastër, Shef shtabi brigade në Vlorë, komandant brigade në Laç, shef shtabi Divizioni në Shkodër, Shef shtabi Korpusi përsëri në Shkodër, student dhe pedagog në Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu”, i goditur në vitin 1973 kur u shkarkua padrejtësisht nga detyra e shefit të shtabit të korpusit, i rivlerësuar dhe emëruar me plotë të drejtë Zëvendësministër i Parë i Mbrojtjes, detyrë që e kreu deri sa Maliq Sadushin më 15.10.1982, e zuri “Fshesa e dytë e hekurt” ndaj kuadrove të larta të Ushtrisë Popullore. Por më saktë dhe qartësisht flasim urdhërat e emërimeve dhe shkarkimeve, më qartë flet dokumentacioni shtetëror. Në gjurmët arkivore të dokumentacionit për Gjeneralmajor Maliq Sadushin, në dosjen e tij ka dhjetra urdhëra që fillojnë në 1945 si Zv/komandant kompanie, komisar kompanie, Instruktor rinie, Shef seksioni sigurie, shef stërvitje batalioni, komandant batalioni special, me studime në Bashkim Sovjetik në Moskë në Akademinë Ushtarake “Frunxe”, shef shtabi në Br20K, komandant Brigade, shef shtabi Korpusi, “Pedagog”, në Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu”, Zv/Ministër i Parë”, në Ministrin e Mbrojtjes, e deri më 1982 kur ka mbyllur karrierën 37 vjeçare ushtarake. K
a mbajtur gradat “Nëntoger” deri në “Gjeneralmajor”, si shërbëtor i devotshëm i shtetit, si dhe është vlerësuar me dhjetra urdhëra, medalje e dekorata të luftës dhe të punës. Performanca intelektuale e Maliq Sadushit ishte nder për Vajzën, e Labërinë, ishte krenari, kur shkëlqente në të gjitha shkollat dhe akademitë më prestigjioze të kohës, edhe në Moskë. Nderimi, respekti dhe mirënjohja është për detyrat e shumta me rëndësi e përgjegjësi të madhe në ngritjen e Ushtrisë Popullore. Në studimet e larta ushtarake nuk ishte thjeshtë një student, por hulumtues i thellë i artit ushtarak, një ushtarak me njohuri të spikatura teorike e profesionale, përfshi Kursin e Lartë Operativ në AU si shtabmadhor, si profesionist i dijeve ushtarake. Maliq Sadushi u formua si oficer i lartë, me gjykim të thellë, me mendime të pjekura për artin ushtarak popullor, për teorinë dhe shkencën ushtarake në përgjithësi, duke u vlerësuar nga kolegët, eprorët dhe vartësit si pjesë e korpusit të të urtëve të Ushtrisë sonë Popullore, që e përmbushën misionin e tyre në kushtet nga më komplekset e kohës. Në Labëri vlerësohet si burri që shkroi historinë me pushkë dhe me penë, pasi ka shkruar: Historiku i Vajzës (grup autorësh), si dhe librat: “Perlat Rexhepi” (2000), “Fshati ynë i mirë”, (2002), “Nga brigjet e Jonit në malet e Sanxhakut”, (2004), “Ata që nuk harrohen” (2005), “Mehmet Shehu, siç e kam njohur: kujtime” (2008). Ka qenë nismëtar për shpalljen e 12 dëshmorëve të rinj të finalizuar më 5.5.2025, si dhe nismëtar për ngritjen e bustit të poetit kombëtar Ali Asllani në Vajzë të Vlorës, dy amanete të përmbushur nga bijtë e bijat e fshatit Vajzë. Vëmëndja ndaj Vajzës është sot amenet i të parëve dhe këtë amanet në breza e vijojnë Nertili, Irfani, Sokoli, Mitati, Lushi, Arjani, Shkëlqimi, Nexhipi, Gazi, Çlirimi, Levzati, Xhevairi, Bedriu, Dritani, Admiri, Ziniu, kolonel Avni Bilbili, e qindra djem e vajza të tjerë të këtij fshati me rrënjë mëmëdhetare. Maliq Sadushi ishte dhe ngeli deri në fund të jetës bir i denjë i Labërisë, vlerë e urtësisë dhe mençurisë labe, që i njihte mirë zakonet e traditat, ishte atdhetar dhe luftëtar i përkushtuar i zhvillimit dhe vlerësimit figurave të shquara historike krahinore dhe kombëtare të zinin vendin e merituar. Ai ishte në çdo kohë pranë banorëve dhe fshatrave të Labërisë, kontribuoi për zhvillimin e tyre duke trokitur në dyert më të mëdha të shtetit, duke e dashur me zemër vendlindjen kërkonte përparimin e ekonomisë së kooperativave dhe ngritjen e mirëqenies së ekonomisë fshatare, kudo në Labëri. Në kujtesën e brezave Maliq Sadushi njihet si ushtaraku i lartë simbol i urtësisë, mençurisë dhe vlerave, që kontribuoi fuqishëm në ngritjen e Forcave të Armatosura shqiptare.