Nga Nexhbedin Basha
Gazetar & Poet

Kulla e familjes Basha në fshatin Shimçan mban me krenari pllakën: “Kjo shtëpi ka qenë bazë e LANÇL”, sepse gjatë korrikut dhe gushtit të vitit 1944, u kthye në bazë lufte dhe spital për partizanët e plagosur të Batalionit IV të Brigadës V Sulmuese, me komandant Sali Koculin, komisar Myslim Canin dhe zëvendës komisar Bejdo Isufin.
Në mbledhjen e parë operative te Guri i Vijës, Shimçan, u vendos:

  • Në shtëpinë e Muli Bashës të vendosej infermieria dhe baza partizane, si dhe një dhomë për mësimin e gjuhës shqipe kundër analfabetizmit.
  • Në shtëpinë e Shaban Torbës, mbledhjet e shtabit të batalionit.
  • Në shtëpinë e Fasli Torbës, depoja e armatimit.
  • Në shtëpinë e Selman Torbës, depoja e ushqimeve.
  • Në shtëpinë e Beqir Torbës, dhoma e fjetjes së anëtarëve të shtabit.
    Në kullën tonë, e gjithë familja u vu në shërbim të luftës.
    Babai Muliu shërbente si roje dhe korrier partizan. Në vitin 1994, për kontributin e tij, mori titullin “Veteran i LANÇL”.
    Nënë Tushja, vajzat Meletja dhe Rexhia, partizanë të tjerë dhe infermierja Liri përkujdeseshin për plagët dhe ushqimin e luftëtarëve.
    Kjo dëshmohet më së miri jo vetëm nga pllaka përkujtimore, që gjendet në atë kullë, por përveç dëshmive të banorëve të zonës kjo ngjarrje e arkiviar në Muzeun e Rrethit Dibër ku sipas vërtetimit të lëshuar nga Drejtori i Muzeut Dibër Gafur Zoto thuhet: “Shtëpia e z.Muli Basha nga fshati Shimçan Dibër, ka qenë bazë e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Në të janë mbajtur e trajtuar partizanët të plagosur. Të dhëna për të ka në dosjen VIII/1 që ruhet në fondet e muzeut”. Një gjë të tillë e dëshmojnë edhe Rexhep Stojku, i cili deklaron se:”Nga shtëpia jonë që ishte bazë lufte, partizanët e Baralionit IV-tër të Brigadës V-të Sulmuese dërgoheshin për kurim te shtëpia e Muli Bashës, që ishte kthyer në spital për partizanët e plagosur”.
    Një gjë të till dëshmon edhe Shaban Torba, Veteran i Luftës dhe Kryetar i Këshillit të LANÇL:
    “Shtëpia e Muli Bashës ka qenë bazë e LANÇL dhe spital për partizanët e plagosur. Familja Basha vuri kokën në rrezik për shërbimin ndaj Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ndaj edhe mban sot atë pllakë kujtimi.”

Amanetin, se tret dheu…
Tek hedh këto radhë m’u kujtuan fjalët e gjyshe Tushes, e cila më thoshte:
“Unë një ditë do iki nga kjo botë, por një gjë s’më len të qetë. Kemi vënë kokën në rrezik për luftën, ndaj mos harroni…”
Nëse lexon mesazhin e saj, kupton se kjo shtëpi që mbart një pllakë përkujtimore meriton më shumë.
Meriton të përjetësohet në muze për të lënë gjurmë mbi vitet e luftës 1944 kundër pushtuesit nazifashist, për çlirimin e vendit dhe për të evidentuar kontributin e familjes Basha, e cila ktheu shtëpinë e saj në spital për partizanët e plagosur të Batalionit IV të Brigadës V Sulmuese, duke vënë jetën në rrezik në shërbim të Atdheut dhe duke e bërë fshatin Shimçan një destinacion për t’u vizituar.

Familja Basha: — Tre breza misionarësh të paqes
Në jetën e çdo ushtaraku ka disa çaste që nuk i shlyen as koha, as largësia. Për ne, motoja “Kombi, Nderi, Atdheu!” nuk ishte thjesht një fjalë e bukur e shkruar në flamurë dhe dokumente zyrtare, por një besë që e mbanim në zemër, siç mbahet amaneti i të parëve. Ndihesha i bekuar që më ishte besuar misioni i paqes, një detyrë që kërkon më shumë se armë dhe disiplinë — kërkon shpirt, guxim dhe dashuri për jetën e tjetrit.
Që nga viti 1996, qindra e mijëra ushtarë shqiptarë kanë përfaqësuar vendin tonë në misione ndërkombëtare paqeruajtëse, në krah të aleatëve të NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara. Të veshur me uniformën tonë, kemi shkelur në toka të huaja për të mbrojtur jetë, për të vendosur paqen atje ku kishte vetëm heshtje armësh e tym lufte.
Për ne si familje, kjo rrugë nuk ishte e rastësishme. Në trungun tonë janë rritur tre breza misionarësh të paqes. Nipi im, Nënkolonel Bekim Fisniku, ka kryer misione në Bosnje, Irak, Afganistan dhe Çad: këtu si komandant kontigjenti duke e ngritur flamurin ku kishte nevojë për paqe. Djali im, rreshter Besmir Basha, shërbeu në Afganistan e Kosovë, duke çuar në emër të Shqipërisë besimin dhe shpresën.
Edhe djali i vëllajt Bledar Basha, u bashkua në këtë mision në Afganistan, ku na nderoi në përmbushjen me sukses të misionit në mbështetje të paqes. E mes tyre, edhe unë, Major Nexhbedin Basha, pata nderin të jem pjesë e kontingjentit shqiptar në Herat, Afganistan, si shef personeli dhe psikolog i kontigjentit, si dhe kronikan e poet.
Një foto e përbashkët me të tre, para nisjes së njërit prej këtyre misioneve, është ndër kujtimet më të shtrenjta që ruan familja jonë. Nuk është thjesht një fotografi — është një amanet, një dëshmi se sakrifica, dashuria për atdheun dhe besimi në paqen janë vlera që trashëgohen dhe nuk zbehen kurrë.
E mbaj mend si sot udhëtimin drejt Afganistanit: një avion special na çoi deri në Dubai, e më pas me helikopter mbi shkretëtirën e pafund. Nga ajri, gjithçka dukej tokë e djegur, pluhur dhe gurë. Por mes asaj pamjeje të zymtë, në zemrat tona rrihte e njëjta ndjenjë: ne ishim aty për të shpëtuar jetë, për të ruajtur paqen dhe për të nderuar Shqipërinë tonë.
Ky ishte misioni ynë. Dhe këtë rrugë do ta vazhdojnë edhe brezat që vijnë pas nesh.

Epilog poetik
Kulla që rri zgjuar…
Kulla e fildishtë rri zgjuar,
Gjumi i është trazuar, trazuar,
Përplasje shikimesh si në ëndërr,
Kuturu enigmash praruar.
Unë dola prej bahçes sime,
Si të isha një shegë e egër,
Jeta në kullë, një film me metrazh,
Si zog shtegtar më mungojnë këngët.
Në udhën e dijes eca menduar,
Në autostradë, dy drejtëza paralele,
Te kryqëzimi, në semafor ngeca…
Nën lëkurë shfaqen sinjale të befta.
Sakaq përhumbem në ëndrra menduar,
Shikimi yt mbeti një imazh,
Se sytë e tu rrinë zgjuar, zgjuar,
Sytë e tu, një maraz.