SHPENDI TOPOLLAJ

Për veprën disaplanëshe të Kadri Tarellit, nënkryetar i OBVL Durrës, kam folur gjatë. Edhe libri i autores të shquar Vilhelme Vranari kushtuar atij, thuajse i ka thënë të gjitha. Ndaj për sot e gjeta të arsyeshme të përqendrohem vetëm te njëri nga tregimet e përfshira te libri i tij “Filxhani me buzë të kafshuar” me titullin “Kapelja i solli drutë”. Ngjarja në dukje është e thjeshtë. Autori na përshkruan një nga kokëçarjet e panumërta të kohës që lamë pas. Por atë thjeshtësi, ai ka ditur ta veshë me shumë art, çka jo vetëm tregon se Kadriu tani ka arritur një shkallë mjaft të lartë të të shkruarit të tregimit, por edhe se fare mirë ky krijim mund të renditet me dinjitet në antologjinë e prozës tonë të shkurtër. Anëtari Akademisë Franceze Alain Robbe Grillet ka thënë se “Shkrimtari i vërtetë nuk ka asgjë për të thënë. Gjëja që ka rëndësi është mënyra në të cilën e thotë”. Pikërisht mënyra sesi Kadriu ka ditur të na e thotë atë që do, e bën këtë tregim mjaft tërheqës dhe interesant. Kini parasysh tregimet e Anton Pavlloviç Çehovit. Ato rrokin tema shpesh edhe të rëndomta, marrë nga jeta e përditëshme, por të gjithë e dine se ato nuk të shqiten kollaj nga mendja për gjithë jetën. Personazhi kryesor është Samiu, një mësues fshati që atë ditë, para se të shkojë në shkollë të japë mësim, i futi krahët asaj pardesysë që vishte rrallë, por që tani i rrinte disi ngushtë dhe pasi vuri në kokë një kapelë me strehë dhe mori në dorë një dosje të zezë, u nis të shkojë vetë andej nga Fusha e druve, se po bënte shumë ftohtë dhe nuk kishin me se të ngrohen. Ca më shumë që i ka ardhur edhe e ëma dhe gruaja dy herë që ka shkuar, nuk ka mundur të bindë dikë që ti sillnin triskën e druve të muajit. Kadriu flet për mësuesin Sami, por lexuesi nuk e ka të vështirë ta kuptojë, se mësuesi është vetë autori i tregimit. Madje, lexuesi duke nënqeshur disi hidhur, kupton se ai personazhi është edhe ai vetë. Se kujt nuk i ka ndodhur të shkojë e të baltoset dimrave me një kartmonedhë në dorë, duke iu lutur karrocierëve që ngisnin ca kuaj gërdallë, që u numëroheshin brinjët dhe u dilte shkumë nga goja, nga vrapi që detyroheshin të bënin, pas goditjeve të një kamzhiku të pamëshirë. Marrja e druve, si shumë të tjera, ishte një torturë e vërtetë. Bëri si bëri dhe e takoi përjegjësin, por pa sukses. Kishte lënë pa shkuar në mësim ato dy orët e para, ndaj nuk e la me kaq, por ashtu si me drojë shkon në zyrën e drejtorit. Ky sapo e pa, urdhëroi atë përgjegjën që rastësisht u gjend aty, që me një herë tia çonin drutë në shtëpi qytetarit. Ai bëri ca naze, por kur mësuesi u kthye në darkë, u gëzua kur pa se dhoma ishte ngrohur. Po puna nuk mbeti këtu, pasi tani nisi komedia; u mor vesh se Drejtori e kishte marrë për oficer nga ata të Degës së Brendshme që zakonisht rrinin civilë. Pas pyetjes së nënës se mos i kishte gënjyer, ja sesi e përshkruan situatën autori: “Samiu filloi të qeshë me zë të lartë.
Qeshte dhe shikonte, herë nënën e herë gruan, që s`po kuptonin asgjë, se nga i vinte gjithë ky gaz, kaq pa pritur e pa kujtuar. U ngrit në këmbë dhe qetë – qetë përqafoi nënën e pastaj gruan. U bë serioz në fytyrë: Drutë nuk i solla unë! – foli dhe u kthye nga dera, ku kish varur kapelen. E mori në dorë, i fërkoi strehën dhe e puthi, si gjë të çmuar e delikate. U zgjat, mori dhe dosjen, e fërkoi dhe atë butë – butë dhe duke qeshur tha: – Drutë i solli kapelja dhe kjo dosje”. Në gjithë këtë histori, ku mesa duket ai ka pasur parasysh atë sentencën që të ndahemi me të shkuarën duke qeshur, Kadriu ka operuar mjeshtërisht me planet psiklogjike.
Personazhet janë portretizuar bindshëm dhe e kalojnë veten, duke u bërë përfaqësues të një realiteti të trishtuar, ku i dituri e dinjitozi, detyrohet të luajë të urtin, naivin e të nënshtruarin para injorantit, për të zgjidhur hallin që ka, dhe ky i fundit, qoftë nëpunës shteti apo edhe një copë karrocier, i jep vetes rëndësi e krekoset sikur i ka atij shpirtin në dorë. Për përgjegjësin a drejtorin, nderi u bëhet vetëm miqve dhe shokëve me poste të larta drejtuese. Dhe e gjithë kjo, pra ky mentalitet, na jepet nëpërmjet një ironie e sarkazme me humor sa të hollë, aq edhe therës.
Dhe nuk ke sesi të shkruash tjetërsoj, kur telashe ke jo vetëm se mungojnë drutë, por edhe se nuk ka qumësh, vezë, mish, vajguri e sa e sa të tjera. Ja, ai shkon te “Katër Rrugët”, tek ai oborri ku ka lënë biçikletën, por gomat kanë rënë dhe ai në gjithë atë rrugë për të mbërritur me vonesë në shkollë, e merr atë përdore. Gjithçka ndofta do të kalonte pa u vënë re, sikur shofer Zenuni, teksa punëtorët po shkarkonin drutë, të mos e kishte pyetur nënën e Samiut që u kishte nxjerrë nga një gotë raki: – Nëne! Çfarë pune bën djali yt…? Dhe ajo nuk ka arsye pse të mos i thotë të vërtetën: – Mësues, në një fshat andej nga Shijaku. Por ai, sikur ta kishte pickuar miza e kalit, shpërtheu i habitur dhe i zemëruar: – Si the, si the… mësues? Nuk është oficer? Unë e theksova qysh në krye, se Kadri Tarelli ka shkruar një tregim sa të thjeshtë, aq dhe të arrirë, si estetikisht, ashtu edhe për freskimin e kujtesës tonë me ato që kanë ngjarë. Por nuk duhet harruar se Marsel Prusti që një javë më parë kishte 154 vjetorin e lindjes, vërente se “Në gjërat e thjeshta mund të ketë po aq bukuri sa në gjërat më të çmuara”.