DAUT HOXHA
Historia e një kombi dhe një populli vjen nga thellësia e shekujve, së bashku me ngjarjet dhe momentet kulmore të saj. Në këtë hapësirë kohore këto ngjarje dhe momente mund të përshpejtohen apo të ngadalësohen nga individë dhe personalitete të veçanta apo në grup.
Në plejadën e këtij kontingjenti që i dha shtysë zhvillimit do të renditej Skënder Muço, mendimtar, legjislator dhe organizator i veprimit demokratik për zhvillimin në shumë plane.
Ai lindi në ato vite ku sapo nisi e ardhmja e shtetit modern shqiptar. Kjo jehonë do ta shoqëronte gjithë jetën e tij të pastër prej intelektuali demokrat me vizion të qartë iluminist europian falë kulturës së pasur e të gjerë të tij.
Ai lindi në një familje me tradita patriotike dhe arsimdashëse, ashtu si e gjithë krahina e Dukatit, ku bën pjesë dhe fshati i tij Tragjasi.
I ati, Dauti, luftëtar i pavarësisë dhe daja, Alem Tragjasi, pjesëmarrës në ngjarjet madhore si ajo e 28 Nëntorit 1912 dhe më pas në Luftën e Vlorës 1920, lanë gjurmë të pashlyera tek Skënderi i vogël dhe në gjithë rininë e tij. Më vonë koha zulmëmadhe do të bëhej prologu dhe epilogu i jetës dhe i gjithë veprimtarisë së tij!
U arsimua nga fillorja deri në universitet në Itali, falë kujdesit të dajës Alem. Atje shumë shpejt do të bjerë në kontakt me idetë demokratike, iluministe dhe patriotike të rrethit universitar dhe të mërgimtarëve politikë.
“Skënder Muço, – shkruan Halim Xhelo Tërbaçi, – punon shumë në Itali për çështjen shqiptare”. Ai bashkëpunon me organet e shtypit të kohës, ku shpreh me zjarr idetë dhe vlerat e tij patriotike dhe demokratike.
Koha e studimeve në Itali për Skënder Muçon nuk ishte vetëm pjesë e kualifikimit dhe të laurimit të Jurisprudencës, por njëherazi si moment akumulimi i ideve dhe dhe lëvizjeve progresiste. Ai gjatë kësaj kohe merr takim me gjithë spektrin politik në emigracion, si nga e djathta dhe nga e majta. Do të veçonim këtu Mit’hat Frashërin, Zoi Fundon, Mustafa Gjinishin, Sejfulla Malëshovën, Musine Kokalarin, Halim Xhelon, Ymer Dishnicën, Omer Nishanin e të tjerë.
Kjo njohje i dha mundësi të bashkëpunojë me një sërë organesh shtypi që botuan këtë personalitet, si “Liria Kombëtare”, “Sazani”, “Kombi” etj. Ky bashkëpunim dhe kjo veprimtari politiko-shoqërore e çoi atë drejt qëmtimit të vlerave të Alternativës ndryshe, duke i vlerësuar ato në gjithë planet. Pikërisht kjo mendësi veprimi bëri që ai të përqafojë dhe të bëjë të tijat idetë e socializmit demokratik europian që gjetën gjatë Luftës Antifashiste zbatim dhe afishim të Alternativës Socialdemokrate në Shqipëri.
Ishte bashkëpunimi me Musine Kokalarin, Mustafa Gjinishin, juristin Abaz Omari e të tjerë që, siç shkruan Musine Kokalari në “Ditarin” e saj … “u mblodhën në një shtëpi tiranase në rrugën e Elbasanit … Atë e organizoi Skënder Muço, ishin mbledhur aty rreth 60 burra, fjalën e mbajti Skënder Muço, ai foli për luftën dhe dëshirën për bashkim me Frontin, dhe po aty deklaroi formimin e Partisë Socialdemokrate … Kjo ka ngjarë në ditët e para të Tetorit të vitit 1943 …”
Pra, e thënë me gjuhën e historisë, Partia Socialdemokrate është themeluar më 3 Tetor 1943. Ideatorët e kësaj Alternative janë: Musine Kokalari, Skënder Muço, Sejfulla Malëshova, Mustafa Gjinishi e të tjerë.
Po aty u vendos botimi i një organi të PSDSH, detyrë që iu ngarkua Musine Kokalarit e Skënder Muços; organi “Zëri i Lirisë” doli në kushtet e ilegalitetit dhe u arrit të botohen vetëm 6 numra. Gjithsesi këto pak numra të botuar në hapësirë kohe të ndryshme mjaftuan për një platformë bindëse në shërbim të çlirimit të vendit dhe të çështjes shqiptare, ku Skënder Muço është njohës i mirë i saj dhe diti të orientojë PSD drejt vlerësimit të gjetjes së aleatëve dhe aleancave në shërbim të saj. Kjo Alternativë e udhëhequr nga Musine Kokalari dhe Skënder Muço e gjeti veten tek Aleanca Antifashiste Demokratike, nën drejtimin e Anglo-Amerikanëve e B. Sovjetik.
Kjo gjetje e Skënder Muços dhe Musine Kokalarit ra ndesh me një pjesë të nacionalizmit që e atashuan veten tek “Aleanca e Boshtit Berlin-Romë-Tokio”.
E gjithë kjo veprimtari në kuadrin e Alternativës SD nuk mund të veçohet nga bashkëpunimi me Mustafa Gjinishin, Gjergj Kokoshin, Shefqet Bejën, Murat Myftar Tërbaçin, Qazim Kokoshin, Ymer Dishnicën etj.
Pas studimeve kthehet në atdhe. Ai tashmë vjen i kompletuar si intelektual në fushën e Jurisprudencës dhe të një veprimtarie me përvojë në fushën e menaxhimit ndryshe.
Si avokat dhe qytetar ai dallohet për bindjet e tij republikane dhe i takon brezave të mendimtarëve të viteve ’30. Gjatë kësaj kohe ka një veprimtari të dendur publicistike të shkruar dhe boton tek “Bota e Re” e “Kombi”. Takimi dhe njohja me gazetarin republikan Merxhani dhe të riun Petro Marko i japin nxitje dhe furi shkrimeve të tij; kjo gjë u afishua në lëvizjen e Vlorës të vitit 1932 ku do të arrestohet dhe, me gjithë mbrojtjen brilante të shokëve dhe vetes së tij, dënohet me vdekje. Vendimi nuk u ekzekutua falë lëvizjeve popullore dhe “Peticionit” të popullit të Vlorës drejtuar Nënës Mbretëreshë që do t’ia falë jetën dhe vuan një dënim me heqje lirie 3 vjet.
Edhe pasi doli nga burgu veprimtaria e tij nuk rreshti. Ai ishte për ndryshimin e sistemit politik monarkik. Koha e zgjedhjeve pluraliste e vendosi Skënder Muçon në krahun demokratik republikan. Zgjedhjet bashkiake komunale të vitit 1936 ndryshuan qeverisjen vendore, ku fitoi krahu reformator, duke sjellë ide demokratike me mendësi qytetare. I gjithë ky ndryshim u ndërpre nga pushtimi fashist i vendit më 7 Prill 1939.
Si gjithmonë, doli në pah vlera kombëtare dhe në ballë ishin intelektualët veprimtarë brenda dhe jashtë vendit.
Në këto momente dallohen disa cilësi të veçanta të tij si orator, legjislator, njohës i së drejtës ndërkombëtare, çka bëri që jo vetëm ta orientojë drejt e mirë veten, por u bë motorri i një lëvizjeje të organizuar antifashiste.
Ai ishte në ballin e lëvizjes popullore e studentore dhe njëherazi ideator për “Bashkim Kombëtar” pa dallim feje, ideje e krahine.
Pikërisht kjo veprimtari e gjerë politike e ushtarake ra në sy të fashistëve dhe nazistëve, që menjëherë reaguan ndaj tij dhe familjes Muço, çka e detyruan Skënder Muçon të hidhej në ilegalitet. Këtu ai dallohet në organizimin e rezistencës antifashiste së pari në Mallakastër e më pas në Tragjas e Hekal. Ai ishte organizator i shumë betejave dhe aksioneve (si beteja e Gjormit, Dhjetor 1942) ku u vra koloneli italian Clemente, lufta në Dukat, në qafën e Dushkut, në Vojzë e Selenicë etj.
Gjatë viteve 1942 – 1943 ai kryen veprimtari të shumta patriotike me idenë e bashkimit të mbarë popullit shqiptar në Luftën Antifashiste, ai merr pjesë në Konferencën e Pezës dhe të Mukjes. Ka qenë nismëtar i shumë takimeve në rrethin e Vlorës me Frontin Nacionalçlirimtar si misionar i bashkimit; në gjithë këtë veprimtari ai ka afishuar mendimin socialdemokrat si alternativë progresiste. Në këtë kuadër, ai bashkë me Musine Kokalarin, Mustafa Gjinishin, Ymer Dishnicën bëri të vetën direktivën e Internacionales Socialiste të organizimit të “Frontit Popullor” dhe të gjithë anëtarëve të Aleancës Antifashiste Demokratike, Aglo-Amerikanëve e B.Sovjetik.
Këtu ai do të kundërshtonte, ashtu si dhe Musine Kokalari, traktatitn “Dalmazzo – Këlcyra” si një moment antikombëtar që do të pengojë bashkimin e popullit shqiptar në luftë për çlirim. Ai është kundër bashkimit të trojeve shqiptare nën ndikimin e traktatit “Boshti Berlin, Romë, Tokio”. Motoja e tij ishte “Aleanca Demokratike Antifashiste”. Si jurist dhe si njohës i të drejtës ndërkombëtare ai ishte largpamës dhe enkas propagandonte “Kartën e Atlantikut” dhe Deklaratën e 12 Dhjetorit 1942 të bërë në emër të “Aleancës Antifashiste Demokratike” nga Iden, Ministër i Jashtëm i Qeverisë Britanike.
Pra, që në fillimet e para të Luftës Antifashiste, tek ai lindi mendimi demokratik europian, pjesë e të cilit jemi.
Njohja e të drejtës ndërkombëtare, për atë si politikan dhe mendimtar, bëri të mundur orientimin për një politikë të drejtë të njohjes e të zgjidhjes së çështjes shqiptare në mbështetje të marrëveshjeve ndërkombëtare si ajo e Teheranit, Jaltës e Poznanit.
Skënder Muço u bë koordinator me Misionet Aleate dhe në bisedime me ata afishoi pikëpamjet socialdemokrate dhe detyrat rreth së ardhmes së bashkimit të kombit tonë, mbështetur në marrëveshjet e Aleancës Demokratike Antifashiste, pjesë e së cilës ishte dhe lufta jonë antifashiste.
Ai ra në fushën e nderit, atje ku e thirri zëri i atdheut. Kapet më 7 gusht 1944 nga gjermanët, kur po shkonte në Vlorë. U ekzekutua tri ditë më vonë në fshatin Bubullimë të Lushnjës. Koha po vërteton gjithë veprimtarinë e av. Skënder Muços, këtij mendimtari socialdemokrat dhe patriot, në gjithë planet e saj. Vepra e tij është apel për të sotmen dhe të ardhmen e kombit dhe vendit tonë, për demokracinë e brishtë shqiptare dhe njëherazi ngushtimin e tranzicionit për zhvillim e prosperitet të popullit shqiptar.