• Gjinovefa Kadriu, e cila është ndër më të “raskapiturat” në rrugëtimin e pandalshëm në mbrojtje të vlerave dhe simboleve të Luftës ANÇ, në veçanti në Tiranë, sot mban edhe detyrën e Kryetares të OKDA, dega e Kryeqytetit
Nga Bashkim Koçi
Njerëzit patriotë e të sakrifikuar për fatet e vëndit janë si shenjtët. Është bekim për pasardhësit dhe mënyra më e mirë e nderimit për ta, nëse imitojmë rrugëtimin e tyre ashtu siç nuk janë të paktë ata në trojet tona që, në të gjithë veprimtarinë e tyre, na shfaqen ashtu si gjyshërit e etrit në luftërat që kanë bërë për liri e pavarësi.
Në çka po them kam parasysh një njeri konkret, një njeri i cili me shpirt e zëmër është e lidhur me historinë tonë të së shkuarës e që, e gjitha, fillim e mbarim, është dhe mbetet pjesë e njerëzve të gjakut të saj. E kjo është Gjinovefa Kadriu, një shoqe që nuk ja gjen shoqen në çka ajo ka bërë e bën për të nderuar dy shënjtët, veteranët e LANÇ dhe gjakun e Dëshmorëve të Atdheut. Di që ecuria e veprimeve fillon në familje e madje është familja, vatra atërore ajo ku lind dhe kalitet virtyti. Gjinovefa Kadriu, e cila është ndër më të “raskapiturat” në rrugëtimin e pandalshëm në mbrojtje të vlerave dhe simboleve të Luftës ANÇ, në veçanti në Tiranë, sot mban edhe detyrën e Kryetares të OKDA, dega e Kryeqytetit.
Të veprosh është të krijosh, dhe të krijosh është e vetmja kënaqësi reale dhe efektive që njeriu mund të shijojë në këtë botë. Vefit (Ginovefës) kënaqësinë për të mbetur “rrugëve”, janë veteranët, ish partizanët e paktë që janë ende gjallë, ku ngjarjet dhe historitë e tyre të Luftës i sjellin si të lexojë një libër ku sikur njihet e përjeton atë çka bëri gjyshi i saj Kostë Lala, një ndër burrat që ndihmuan Ismail Qemalin në udhëtimin historik për të kaluar lumin e Vjosës, e që më 28 Nëntor të vitit 1912 të ngrinte Flamurin e Pavarësisë në Vlorë. Vefi këtë ngjarje e mban gjallë me punën që bën, duke e konsideruar edhe si një simbol krenarie për brezat e së shkuarës dhe këta të sotmit.
Një njeri i vendosur nuk ka kurrë një mendim të dyshimtë. Kjo edhe për faktin se kujtimet nuk vdesin, ata trashëgohen. Dhe kjo çka them e gjen të shkruar në historinë familjare të këtij fisi me emër në tërë Labërinë. Janë histori të vërteta lufte, e jo fantazira romanesh. Dy xhaxhallarët e saj, Llazar e Filip Lala, u bënë pjesë e formacioneve partizane në Luftën ANÇ dhe luftuan deri në çastin kur u njoftua shporrja e pushtuesit nga trojet e pushtuara. Vefi i ka në gjak nderimin për të parët e saj dhe nuk është ndalur për të mbetur veprimtare me zemër nga mosha e herëshme e rinisë e deri më sot. Dhe e farkëtuar në mjedise ku historia tregohet dhe ilustrohet me fakte, Vefi ka mësuar një gjë që e mban si të jetë busull orjentues për ta përciellë tek brezi i ri. Sepse të mos dish se çfarë ka ndodhur më parë me historinë e vëndit tënd, të qytetit tënd apo edhe me rrënjët e familjes tënde, është si të mbetesh gjithmonë fëmijë.
Historia e luftrave, siç është edhe Lufta ANÇ, janë histori dhimbjesh. Janë të tilla sepse ato mbajnë brenda vetes histori jetësh të vrara, janë bij dhe bija që iu pre jeta në mes kur ende nuk e kishin filluar jetën. Gjinovefa Kadriu, duke qenë në krye të Degës së OKDA të Tiranës, i duhet të jetë brenda jetës së dëshmorëve, të njohë dhe të eksplorojë ëndërrat e tyre kur ata ishin të rinj, për t’ua treguar si në një film të “xhiruar” prej vërteti. Vefi di si “të sillet” me dëshmorët, di si t’i trajtojë një e nga një e jo në lista evidencash. Ajo në të gjithë këtë punë, të cilën e përballon në grup me shumë dashuri, ka parasysh se respekti ndaj të rënëve vlen më shumë se emri i mirë, knsiderat ndaj tyre më shumë se fama dhe nderi që meritojnë është baraz me lavdinë e tyre. Gjinovefa Kadriu ka aftësinë që misionin dhe pasionin për të vlerësuar Luftën ANÇ dhe Dëshmorët e Lirisë ta ketë motivin e saj për t’i paraprirë dëshirës së zjarrtë, e cila është ndër më të mëdhatë në veprimtaritë njerëzore.