TATJANA PARLLAKU ÇARKAXHIU

KRYETARE E OBVLP*

Përkujtojmë sot me nderim të thellë ata që luftuan me zjarrin e rinisë kundër pushtuesve fashistë e nazistë, ata që dhanë gjithçka për lirinë e atdheut dhe që, edhe pse po shuhen dita-ditës, ne i mbrojmë e i ruajmë si thesare të çmuara të kombit tonë, duke u kujdesur për jetën dhe veprën e tyre.

Është pikërisht Skënder Murrja ai që me përkushtim të madh e vazhdon këtë mision fisnik. Ai është pasues i një familjeje të nderuar e të çmuar, që ka dhënë kontribute të mëdha në historinë e kombit tonë. Një nga pinjollët e kësaj familjeje, Arif Markja, ra dëshmor në vitin 1944 në Junik të Gjakovës, duke dhënë jetën në luftë kundër bishës naziste. Sot, eshtrat e tij prehen me nder në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, këtu në Tiranë.

Prandaj ne krenohemi me Skënderin, i cili sot punon me përkushtim për të mbajtur gjallë kujtimin, veprën dhe idealet e atyre që dhanë jetën për lirinë e atdheut. Ai dhe shumë pasardhës të tjerë të veteranëve, me shembullin e tyre, frymëzojnë brezat e rinj të rriten me dashurinë për vendin, për paqen dhe për njeriun.

Në këtë ditë të përurimit të librit kushtuar jetës dhe veprës së Skënder Murres, ne shprehim krenarinë tonë që ai është pjesë e Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. E falënderojmë për kontributin, përkushtimin dhe ndihmën e tij të çmuar në mbarëvajtjen e punëve të organizatës, në shërbim të veteranëve dhe pasardhësve të tyre — atyre që sakrifikuan gjithçka për lirinë dhe për ditët e lumtura që ne gëzojmë sot.

Ne gjithashtu e vlerësojmë me mirënjohje të thellë Skënderin si krenari e organizatës sonë. Me këtë rast, falënderojmë Skënderin dhe mbarë familjen Murrja për këtë veprimtari të rëndësishme dhe premtojmë se ndihma dhe përkrahja jonë për të gjithë veteranët, pasardhësit e tyre dhe familjet e dëshmorëve, nuk do të shuhet..

* Fjala në promovimin e librit “PO KTHEHEM NË HOTESH”TË AUTORIT SHKËNDER MURRJA