Prof.asoc.dr. Bernard ZOTAJ
Mjeshtër i Madh

• Kujtimi i dëshmorëve nuk është vetëm detyrë morale, por është edhe një mënyrë për të ruajtur identitetin tonë kombëtar dhe për të edukuar brezat e ardhshëm me ndjenjën e dashurisë për atdheun

Zyra e Degës së Dëshmorëve në Pogradec është tashmë një shembull i vërtetë i përkushtimit dhe respektit ndaj atyre që dhanë jetën për atdheun. Kjo zyre gjendet në ambjentet e godinës së bashkisë Pogradec. Falë përpjekjeve të vazhdueshme të kryetarit të degës, Eqber (Berti) Çami, ky ambient është transformuar në një hapësirë dinjitoze, me vlera të thella historike e atdhetare, që reflekton ndershmërinë e kujtesës dhe vlerësimin ndaj figurave që kanë shkruar me gjak historinë e këtij vendi.
Ky transformim nuk do të ishte i mundur pa ndihmën dhe kontributin bujar të dashamirësve të Organizatës së Dëshmorëve. Ndër ta, veçojmë Flamur Kaziu, nipi i dëshmorit Mustafa Gjinishi, dhe Jorgo Qirko, pasardhës veterani, të cilët dhuruan një kompjuter me printer, si dhe disa korniza me foto me ngjyra të dëshmorëve të Bashkisë Pogradec dhe të drejtuesve të kësaj dege ndër vite. Këto elementë nuk janë vetëm pajisje apo dekorime, por bartin një simbolikë të thellë, duke sjellë më pranë brezave të rinj figurat e atyre që sakrifikuan gjithçka për lirinë.
Kontributi i tyre është një pasuri e çmuar për këtë zyrë. U dhuruan libra e shkrime për dëshmorët e Pogradecit, duke pasuruar më tej përmbajtjen historike dhe edukative të ambientit.
Falë këtyre përpjekjeve dhe bashkëpunimeve, zyra ka marrë një pamje të re, duke u shndërruar në një vend të këndshëm, mikpritës dhe frymëzues për këdo që e viziton. Ajo nuk është më thjesht një hapësirë institucionale, por një vend ku ndihen gjurmët e historisë, respekti për të kaluarën dhe fryma e sakrificës.
Kjo përvojë suksesi duhet të shërbejë si një nxitje për individë të tjerë, për komunitetin dhe institucionet që të kontribuojnë në ruajtjen e kujtesës historike dhe në nderimin e figurave të lavdishme të kombit.
Sepse kujtimi i dëshmorëve nuk është vetëm detyrë morale, por është edhe një mënyrë për të ruajtur identitetin tonë kombëtar dhe për të edukuar brezat e ardhshëm me ndjenjën e dashurisë për atdheun.