Nga Sakip Cami
posta kufitare e lumit tË gashit, 14 dhjetor 1958.
Ndërsa binte shi i përzier me borë, në zyrën e oficerit të rojës bie telefoni i alarmit kufitar. Komandantit Gjokë Jakut i erdhi urdhëri luftarak për të zënë Qafën e Ali Celës ku pritej të kalonin shkelësit e kufirit. Qafa e Ali Çelës është 2260 metra mbi nivelin e detit dhe me terren të vështirë malor. Menjëherë komandanti mbledh efektivin e postës dhe bashkë me katër ushtarë nisen drejt detyrës. Në ballë të borës e suferinës i pari prin komandanti Gjokë Jaku, pas tij ushtarët: Ilmi Alimani nga Dibra, Gani Domi nga Tirana, Isuf Dervishi nga Elbasani dhe Hasan Qylafi nga Tirana. Nëntoger Gjok Jaku nga Gojani i Pukës pasi kishte mbaruar Shkollën e Policisë në degën e kufirit ishte emëruar komandant i postës kufitare të Lumit të Gashit, një ndër postat më të largëta të Tropojës. Ecin e ecin, veshtërsitë janë të mëdha, detyra duhej kryer me çdo kusht. Atdheu mbi çdo gjë tjetër, kufiri i paprekshëm. Nuk ndalen, marshojnë në lartësitë e bjeshkëve. Me shumë mundime arrijnë në Qafën e Doberdolit. Përballë u shfaqet Qafa e Ali Celës. Kufitarët janë lodhur e dermuar nga bora e rruga e gjatë. Kush e ka provuar e di mirë se dëbora të këput gjunjët, të jep dremitje, pa kuptuar të thith në gjirin e saj. Dritëro Agolli në poemën “Dhjetë sy” kushtuar pesë kufitarëve dëshmorë shkruan: “…Këtu dëborën/ Shtypnin dhjetë këmbë/ Këtu shikonin/ Bjeshkët dhjetë sy/ Këtu lundronin/ Pesë gjokse shkëmbi…” Në ecje e sipër bie kufitari i parë duke mos e përballuar më tej rrugën e vështirë mes borës e suferinës.Shokët e marrin mbi supe e vazhdojnë rrugën.
Dy sy u mbyllën përgjithmonë. Tetë sy mprehin vështrimin,tetë këmbë çajnë borën.Dhe ecin, të dytit që mbante shokun mbi supe i errësohen sytë dhe bie. Bien me rradhë njëri pas tjetrit. Bora e trashë i mbuloi të pesë kufitarët. Ata ngrinë, u bënë akull, u bënë shkëmb, u bënë përmendore. U deshën shumë ditë për të gjetur trupat e kufitarëve në borë. Nga Geghyseni 30 djem të rinj morën rrugën për në bjeshkë në kërkim të trupave të ngrirë e të mbuluar nga dëbora e madhe. Qëndruan në bjeshkë derisa i gjetën. Sjellja e trupave në qytetin e Bajram Currit është pritur nga të gjithë banorët me lot në sy. Të mbledhur pranë shkollës u bë një ceremoni, ku foli komandanti i kufirit i asaj kohe, Ndreko Rino, Hero i Popullit. Nga këtu të vendosur në 5 makina ushtarake, të mbështjellë me flamuj kombëtarë u derguan në rrethet e tyre. Ata u shpallën dëshmorë të Atdheut. Për ta shkroi shtypi i kohës. Heroizmi i tyre u bë lajtmotiv i kohës.
Artistja e Merituar tropojane Fatime Sokoli thuri një këngë për përjetësimin e 5 kufitarëve dëshmorë të Tropojës. Po citojmë disa vargje të kësaj kënge:
“N’Doberdol ka mbrri furtuna / Seç na i mori këto pesë burra / S’ishin burra, por djem të ri / Nga njëzet (vjet) kurrnja përmbi / Nëntogeri njëzet e dy ….”