• Për një kohë të gjatë, kreu me sukses të plotë, detyrën e Kryetarit të Degës për Durrësin, ku u tregua i pa lodhur dhe përherë i përkushtuar. Dega e OBVL – së në Durrës, nën drejtimin e tij u dallua për organizimin e shumë veprimtarive dhe shtimin e radhëve të saj. Edhe tani në moshë të shtyrë, Genc Ballanca vazhdon të interesohet pareshtur për mbarëvajtjen e shoqatës…
Kryesia e OBVLP i shpreh urimet më të përzemërta për jetëgjatësi dhe lumtruri të pamatë në gjirin e familjes së tij të mrekullueshme veteranit Genc Ballanca në ditëlindjen e tij të 97-të.
I lindur në 7 Mars të vitit 1929. Genc Ballanca ishte djali i një familje të njohur për atdhetari me origjinë nga Dibra e Madhe. Babai i tij Xhevdet Ballanca, ka qenë oficer, që kishte studiuar në Akademitë Ushtarake të Romës e Stambollit, dhe gjithë aftësitë e tij i vuri në shërbim të popullit dhe Atdheut. Duke qenë antifashist, ai përkrahu dhe u lidh me figura të shquara të historisë tonë si Abaz Kupi, Nako Spiru, Iliaz Reka etj. Ai i priti me armë në dorë pushtuesi italianë më 7 Prill të vitit 1939 dhe vazhdoi luftën me forcat nacionaliste. Janë këto vlera, për të cilat ky atdhetar i shquar është dekoruar me rastin e 45 vjetorit të ndarjes nga jeta, nga Presidenti i Republikës, për veprimtari patriotike dhe është shpallur “Qytetar Nderi” i Durrësit me vendimin e datës 20.03.2011. Gjyshi i Gencit, Baftjari është ai që vrau një ditë pazari Mehmet Pashën. Nëna e tij vinte nga familja e njohur atdhetare e Dollive në Kavajë dhe me Xhevdetin patën tetë fëmijë të mrekullueshëm.
I rritur në një mjedis të tillë, edhe Genci, sido që mjaft i ri dhe ende pa e përfunduar plotësisht shkollën e mesme por me ide të qarta për lirinë, u rreshtua me shokët partizanë; fillimisht në Grupin e II – të të Çetës së Pezës, ku më pas, falë guximit dhe trimërisë së treguar në luftime ju ngarkua detyra e Përgjegjësit të Rinisë të batalionit, dhe në vazhdim, porsa u formua Brigada e IV – të Sulmuese, ju besua detyra e zëvendës intendentit të saj.
I mençur dhe me inisiativë, ai kudo që u caktua i kreu detyrat e ngarkuara me nder. U shqua në luftimet e zhvilluara deri në largimin e plotë të armikut dhe pas çlirimit të vendit u emërua në Komandën e Përgjithshme, ku pa nga afër përpjekjet e pareshtura për rritjen, fuqizimin dhe modernizimin e ushtrisë tonë. Por në vitin 1948, duke parë nevojën që kishte për të familja e tij, ai vendos të kthehet në qytetin e Durrësit ku kryen detyra të ndryshme dhe të rëndësishme në ndërmarrje të sapokrijuara.
Kudo që punoi u dallua për marrëdhënie korrekte me vartësit dhe shokët, për përkushtim e thjeshtësi, gjë që edhe pasi doli në pension i dha të drejtën të nderohet e respektohet nga të gjithë. Këtë e tregojnë mësë miri edhe dekoratat e shumta që i janë akorduar ndër vite.
Duke i mbetur besnik idealeve të pastra, duke mos u pajtuar për asnjë çast me krimet e kryera nga Partia – shtet dhe duke parë se në çfarë mjerimi e varfërie po e çonin Shqipërinë slloganet demagogjike, ai si kuadër me vizion perëndimor, përkrahu nga të parët lëvizjen demokratike, dhe së bashku me shokë të tjerë, si gjeneral Ernest Jakova, Zenel Bardhi, Idriz Hoxha, Eqerem Kuka, Osman Xhindoli etj. u bashkuan me organizatën e Bashkuar të Veteranëve të LANÇ – OBVL dhe për një kohë të gjatë, kreu me sukses të plotë, detyrën e Kryetarit të Degës për Durrësin, ku u tregua i pa lodhur dhe përherë i përkushtuar. Dega e OBVL – së në Durrës, nën drejtimin e tij u dallua për organizimin e shumë veprimtarive dhe shtimin e radhëve të saj. Edhe tani në moshë të shtyrë, Genc Ballanca vazhdon të interesohet pareshtur për mbarëvajtjen e shoqatës. Kryesia e OBVL i uron atij jetë të gjatë dhe të lumtur me familjen e tij të shtrenjtë.