Muharrem GJOKA
Mjeshtër i Madh & Nënkryetar i OBVL

Çdo 5 maj, Shqipëria, si të gjithë kombet e qytetëruar nderon dëshmorët e saj.
5 Maji është një ditë kujtese dhe nderimi për Qemal Stafën dhe mijëra të rinj e të reja që dhanë jetën për kauzën e Lirisë. Vrasja në 5 Maj 1942 e Qemal Stafès, ish sekretari politik i të rinjve komunistë, në nderim të veprës së tij, është caktuar të jetë Dita e Dëshmorëve.
Respekti dhe nderimi për dëshmorët është shenjë e pjekurisë dhe fuqisë së një kombi. Respekti për të kaluarën është një investim për të ardhmen.
Çdo 5 maj përulemi me respekt para dëshmorëve që ranë për pavarësinë e Shqipërisë.
Para patriotëve që kanë dhënë jetën për mbrojtjen e integritetit territorial, trojeve, lirisë e pavarësisë së atdheut.
Para 28 mijë dëshmorëve partizanë që dhanë jetën për çlirimin e Shqipërisë. Përulem para kujtimit të luftëtarëve partizanë të huaj që ranë për çlirimin e Shqipërisë. Çdo 5 maj përulemi para dëshmorëve të Shqipërisë që dhanë jetën duke luftuar për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Para oficerëve e policëve dëshmorë të rënë në krye të detyrës, të cilët i kujtojmë e nderojmë bashkë me fëmijët dhe familjet e tyre. Para vajzave e djemve të Shqipërisë që kanë dhënë jetën gjatë misioneve paqeruajtëse të NATO-s, në mbrojtje të lirisë së popujve të tjerë dhe të mbrojtjes së paqes e sigurisë nga terroristët.
Para dëshmorëve të kohës sonë që kanë rënë në krye të detyrës për mbrojtjen e jetës së qytetarëve nga krimi dhe mbrojtjen e pronës publike nga fatkeqësitë natyrore.
Çdo kohë ka dëshmorët e saj dhe ne i nderojmë ata duke punuar çdo ditë për idealet e tyre, për Shqipërinë.
Dëshmorët nuk janë më fizikisht. Por me ne janë idealet dhe vepra e tyre. Nuk janë më nënat e dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, por janë mbesat, nipat e stërnipat e tyre. Janë fëmijët e oficerëve dhe policëve të rënë në krye të detyrës. Janë fëmijët, nënat, motrat e vëllezërit e vajzave e djemve të rënë për lirinë e kombeve të tjera, të rënë në luftën kundër terrorizmit e krimit, në luftën për mbrojtjen e qytetarëve dhe pronës publike.
Në 5 maj i gjithë Atdheu mban frymën në respekt të pafund për të rënët për atdheun, martirët e kombit që sakrifikuan jetën e tyre e në emër të Shqipërisë.
Lufta për çlirimin e atdheut gjaku i derdhur, jetët e flijuara dhe sakrificat sublime për lirinë e tij, janë gdhendur si dëshmia monumentale e një populli që ka luftuar në mënyrë të paepur me pushtuesit gjatë gjithë historisë së tij.
Nderimi ndaj dëshmorëve, është nderim për historinë e popullit, por është edhe një referencë krenarie, që na frymëzon për ta mbajtur të shenjtë amanetin e tyre, Shqipërinë e lirë, shtëpinë tonë të përbashkët!
Lavdi përjetë dëshmorëve të atdheut!