Duke përkujtuar dhe nderuar ngjarjet e spikatura, luftëtarët dhe dëshmorët, iu përcjellim brezave një mesazh të qartë shembulli dhe krenarie për sakrificat dhe arritjet e Ushtrisë Partizane, por edhe mësimin, që nëse e kërkon prap situata, populli patriot do ta përsërisë sa herë të ketë nevojë Atdheu…

Ing.Maksim VINÇANI
Nënkryetar i OBVL

Në datën 22 qershor në Lozhan të Krahinës së Gorës të Bashkisë Maliq u mblodhën gorarët e oparakët në takimin e përvitshëm të festës së tyre lokale…
Kjo toka jonë ka lindur gjithmonë burra, të cilët për qëllimin kombëtar kanë lënë mënjanë qetësinë dhe detyrimet familjare, kanë shkrirë pasurinë e tyre, deri dhe jetën e kanë dhënë. Si kudo në trojet shqiptare, edhe në krahinën tonë, ato përpjekje, ato ngjarje dhe veprimtari si ato të Kapedanëve të Gorës dhe luftëtarëve të tyre, dhe sidomos periudha e Luftës Antifashiste, janë pjesë e pandarë e historisë së gjithë popullit tonë, janë pjesë e identitetit tonë kombëtar. Dhe populli ynë i ka përjetësuar këto ngjarje, luftëtarët, protagonistët dhe dëshmorët në kujtesën e tij nëpërmjet këngëve apo në tregimet gojë më gojë në dhomat apo kuvendet e burrave brez pas brezi, si nxitje për t’u marrë shembull nga pasardhësit e që të edukohen me krenarinë për herojtë e tanë dhe me dashurinë për këtë tokë, Por që këto të ruhen edhe në kohët më të largëta, nevojiten dhe veprimtari festive përkujtimore si kjo traditë e gorarëve, oparakëve, ku përkujtojmë e nderojmë 83 vjetorin e formimit të Çetës së Gorës-1 më 15 Qershor 1942 në vendin e quajtur “Lajthi e Kolanecit”.

Kjo çetë, me rreth 20 luftëtarët e parë, pati si bërthamë njësitin e armatosur të formuar rreth 3 javë më parë, më 27 maj 1942. Po ashtu, në vazhdim, ishte në përbërëje të Batalionit “Ali Kelmendi” (formuar në qershor 1943), e më pas në Brigadën e IVs (formuar në nëntor 1943). Gjithashtu në këto kohë kujtojmë dhe 82 vjetorin e çlirimit të gjithë krahinës…
Mbas vendosjese së kurorave në lapidarin kushtuar formimit të çetës dhe dëshmorëve, Administratori i Njësisë Administrative Gorë-Moglicë Z. Nazmi Qose përshëndeti banorët e pranishëm dhe të ftuarit duke ju uruar mirseardhjen.
Fjalën e rastit e mbajti Kryetari i Bashkisë Maliq Z. GëzimTopçiu…
Me të drejtë shoqëria kujton dhe përulet me respekt përpara dëshmorëve që dhanë jetën, ndaj luftëtarëve që sakrifikuan si dhe komandantëve të tyre.
Por jo më pak merita ka populli i thjeshtë, i cili dha një kontribut të jashtëzakonshëm për mbështetjen e forcave partizane, duke i furnizuar ato me ushqime, veshmbathje, strehim.
Dhe këto nuk janë “fjalë të bukura”, por një realitet, sepse me varfërinë që mbizotëronte, në fakt ato shtëpi ndanë me partizanët kafshatën e familjes, rrezikuan, bile shpesh disa e paguan me grabitje e me djegie shtëpie, me internime deri dhe me vrasje të anëtareve të familjes nga okupatori, dhe pa ato ndihma nuk do të kishte pasur Ushtri Partizane.
Historia e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri duhet të na bëjë krenarë për faktin se populli patriot shqiptar tregoi që kur është fjala për lirinë e vendit, është në gjendje të bëjë heroizëm.
Duke përkujtuar dhe nderuar ngjarjet e spikatura, luftëtarët dhe dëshmorët, iu përcjellim brezave një mesazh të qartë shembulli dhe krenarie për sakrificat dhe arritjet e Ushtrisë Partizane, por edhe mësimin, që nëse e kërkon prap situata, populli patriot do ta përsërisë sa herë të ketë nevojë Atdheu.
Gjithësesi, asnjëherë si instrument në shërbim të instalimit të ndonjë ideologjie, apo për objektiva politike, por vetëm për mbrojtjen e vendit nga pushtues të huaj…

Lavdi Dëshmorëve dhe Luftëtarëve të Krahinës së Gorës e të gjithë Qarkut të Korçës!
Lavdi Ushtrisë Partizane
Nacionalçlirimtare!
Lavdi popullit Shqiptar!