Episode të sjella me mjeshtëri dhe me magji nga dr. Neki Dredha, që i japin veprës letrare dinjitet dhe përjetësisht ngelën në histori

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

POEMË E SHKRUAR MË ATDHETARIZËM
Poema është shkruar me frymëzim nga autori i cili e njeh dhe e zotëron mjaft mirë dhe bukur filozofinë dhe kulturën e një populli trim dhe bujar të Konisë së hershme dhe të Labërisë së sotme. Të gjitha figurat luftarake, vendet historike, këngët magjepse labe, historitë e pafundme të Labërisë, janë trajtura me dashuri dhe ndjenjë të brendshme nga autori, i cili i ka studiuar dhe njohur thellë të gjitha dhe iv endos në vendin e duhur siç natyra ka vendosur si në penel magjinë e kësaj krahinë magjike, të lartësuar në shekuj, si bedenat e kalave që mban në gjirin e saj.
Autori në këngën XX na përshkruan kohë të reja dhe heronj të rinj për Labërinë. Në këtë këngë autori heroin e nxjerr nga kënga labe, e cila vjen e ngazëllyer “për trimoshat zemërshkabë”. Shikimin autori e hedhur lart në qiell dhe shikon yjet, të cilët duken sikur shuhen, por nuk kanë të shuar në qiellin e pafund dhe ndriçojnë më fuqishëm në histori.
Në poemë autori si një ushtarak i mifrëfilltë e ka hedhur shikimin tek një aleat i përhershëm dhe i sigurt i trimave që është mali. Terreni sipas ushtarakëve është njëri nga tre elementët e luftës, dhe si i tillë ai i ka qëndruar besnik labit në shekuj. Në një strofë të poemës përzihet një histori e tërë luftërash dhe betejash, sepse bijtë e Ismail Qemalit i dolën zot vatanit me flamurin e Skënderbeut. Nëpërmjet katër yjeve që rrezatojnë dritë, autori ka çarë terrin dhe bije para publikut madhështinë dhe heroizmin e Mynyr Xhindit, Ramize Gjebresë, Zaho Kokës dhe Fejzo Gjomema.

MYNYR XHINDI, YLLI QË RREZATON DRITË
Djaloshi Mynyr Arshi Xhindi e nisi rrugëtimin e tij antifashist në fshatin e lindjes Drashovicë dhe përshkroi gjithë Labërinë, në tëndat dhe stanet labe, në gërxhet ku labi me shpirt ndër dhëmbë, i qëndronte besnik traditës dhe jetës. Autori e përshkruan trimin sypatrembur në tufane, që në çdo derë të Labërisë që trokiti zgjoi Toskërinë dhe e ngriti në këmbë për luftën vigane.
Djemtë e Labërisë kur dëgjuam zhurmë baroti, si Mynyr Xhindit ju ndez gjaku, ju terr mendja dhe ngriti Toskërinë në këmbë. Për labër fjala e tij ishte mjalt, sjellja e tij ishte fisnike, sepse ishte fisnik nga gjaku. Nuk kanë të përshkruar vargjet e gdhendura në shkëmb për të, kur poeti shprehte për Mynyrin “te çdo zemër Kaonie, / ndezi zjarrin e lirisë”.
Mynyr Xhindi u zgjodh sekretar organizativ i Qarkorit të Partisë Komuniste për Vlorën. Më parë kishte qenë anëtar i Grupit Komunist të Shkodrës, si dhe shok e bashkëluftëtar në vitet e shkollimit me Qemal Stafën. Pushtimi fashist i Shqipërisë, bëri që mjaft të rinj antifashistë, idealistë e atdhetarë të kohës, të braktisnin studimet, siç bëri edhe Mynyri i cil la studimet në mes të inxhinierisë në Grenoble të Francës dhe u kthye në Atdhe. Ai u përfshi në organizmin e rezistencës antifashiste.
E nisi luftën në qytetin e Vlorës për të vijuar në fshatrat e Lumit të Vlorës, ngjalli shpresë dhe bashkoi “plumbat të shporrej armiku”.
Ai ra në luftë më 4 nëntor 1943, në zemër të krahinës së Mesaplikut, në kohën e organizimit të BrVS. Rënia e tij, ishte tragjike dhe sipas dëshmitarëve të shumtë, antifashisti Mynyr Xhindi i shfaqte qëndrimet e tij hapur në radhët e komunistëve dhe në popull për Kosovën që ishte Shqipëri. Poeti e mbyll episodin për luftëtarin se “mbi krye të flamurtarit, / ndrijnë kurora dafine”.
Ai është Dëshmor i Atdheut me vendim nr. 97, datë 22.09.1972 të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Vlorës.
E THANË GONXHEN ËNDËRRORE
Për Ramize Gjebrenë në vite është folur dhe shkruar shumë. Ramize Rustem Gjebrea ka lindur më 20 prill 1923 në Gjirokastër. Mbaroi Institutin “Nëna Mbretëreshë” në Tiranë dhe kreu studimet e larta në Itali. Më formimin e BrVS në Bramyshnje të Tërbaçit u caktua përgjegjëse e rinisë në brigadë. Ajo mbante pseudonimin “Ramona”. Ajo ishte oratore, fjalëzjarrtë, idealiste dhe antifashiste. Poeti me të drejtë e quan “ajkën e vajzërisë” U vra padrejtësisht nga gjyqi partizan në Ramicë. Brigada në ramicë u rreshtua në Kruan e Hyse. Ajo eci krenare drejt shokëve dhe shoqeve të Brigadës, por më krenare drejt skuadrës së pushkatimit, që siç shkruan poeti eci në luftën partizane me “shpirtin vrullor”. Në këtë luftë të shenjtë ajo “zgjoi ndjenjat trimërore”, dhe çdo partizane të brigadës i la si kujtim “heroizmin labëror”.
Gjuha e Ramizesë ishte frymëzuese, ishte “gjuhë borizani”. Kudo fjala e saj ishte zjarr dhe ëmbëlsi për vajzat dhe gratë që po mushnin radhët partizane në brigadat sulmuese. Dhe poeti Neki Dredha, e përshkruan portretin e kësaj luftëtarje të kohës se “te çdo zemër partizani” Ramizeja ju “mëkoi bindjen për Liri”. Ra në luftë Ramizeja nga një dorë vrastare që hante bukën partizane të popullit dhe bënte lojën e armikut. Kur po festohej me madhështi fitorja nga operacioni i dimrit 1944, ndodhi dhe tragjedia. Shtabi i BrVS që komandoi me sukses e mundi shtabet naziste të një ushtrie të rregullt, bëri një “trimëri” të ultë, një pushkatim që prishi jehonën e fitores. Vranë udhëheqësit luanë të Vlorës një trimëreshë, një ëngjëll … Mbi varrin e saj në Ramicë nga 6 marsi 1944 pati lule të freskëta në çdo kohë, deri sa e morën prej aty, pas çlirimit, nga fundi i vitit 1946. Që nga koha e luftës dhe deri më sot, Ramizenë populli e ka pasur në mëndje dhe në zemër. Zëri i saj jehon ende në Ramicë, Smokthinë dhe në tërë Labërinë, ndaj dhe poeti me të drejtë i kushtoi vargje ligjërimi për simbolikën e saj.
Ramize Gjebrea është Dëshmore e Atdheut me vendim nr. 65, datë 02.10.1971 të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Gjirokastrës.

ZAHO, ZEMRA E BREGDETIT
Poeti rreshton aktet e trimërisë të luftëtarëve të lirisë dhe arrin në përfundimin se në atë Luftën Legjendare, ishte pushka partizane që i çoi në ferr të gjithë armiqtë. Në këtë luftë u shqua dhe trimi Zaho Andon Koka, i lindur në vitin e Luftës së Vlorës më 1920, por që i tregoi oficerit të karabinierisë italine, se ky vend ka përsëri zot, duke i hequr atij përfundimisht egërsinë dhe djallëzinë që përdorte kundër popullit të Bregdetit dhe ja nëmëroi në lule të ballit më 26 gusht 1942 në Vishë të Himarës.
Që me fillimin e lëvizjes u bë një nga shtyllat kryesore të saj në Bregdet dhe u bë një nga pionierët e Lëvizjes ANÇ në krahinën e Himarës. Kundërshtoi të shkonte ushtar dhe doli në mal partizan në vitin 1942. Në krye të njësitit që komandonte, kreu disa atentate dhe aksione të guximshme. Zhvilloi punë të gjërë propagandistike për mobilizimin e popullit të Bregdetit në luftë, duke fituar simpati e respekt në popull dhe në luftëtartë e lirisë. U caktua zëvendëskomisar batalioni në BrVS, kreu mjaft detyra të vështira politike e luftarake. Udhëheqësit e BrVS, Zahon yllin e saj e poshtërua, e vranë moralisht e shpirtërisht, ju prish imazhi, ndaj ra duke luftuar kundër nazistëve gjermanë në fshatin e tij të lindjes, më 8 qershor 1944.
Poeti arrin deri aty sa aktin heroi të rënies e përshkruan një akt legjendë sa drejtuesit ushtarak të nazistëve “i la pa mend trimëria” e tij. Autori në pak rreshta jep frymën për të cilën ata luftonin, ku në sytë e çdo partizani “ndriçonte vetëm Liria”.
Ai është Dëshmor i Atdheut me vendim nr. 97, datë 22.09.1972 të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Vlorës dhe nderuar me titullin Hero i Popullit.

FEJZO, YLLI NË FLAMUR!
Fejzo Xhafer Gjomema lindi në Tragjas në vitin 1919. Mbaroi shkollën teknike “Hari Fults” në Tiranë. Ai ishte inteligjent dhe zotëronte gjuhën angleze, frënge, italiane, gjermanet dhe spanjolle. Përfshihet në lëvizjen komuniste që në vitin 1935 dhe u bë pjesëtar i grupit komunist të të rinjve në Shkodër në vitin 1937.
Kur ende nuk kishte marrë formë organizimi i grupeve luftarake, në shkollën tregtare në Vlorë ishte një grup nismëtar, ku bënte pjesë dhe Fejzo Gjomema.
Gjomema punoi, këndoi me mandolinën e tij dhe luftoi kudo si në Tiranë, Vlorë, Mallakastër. U përfshi në Lëvizjen Nacionalçlirimtare si një nga udhëheqësit më aktive të Qarkorit Komunist të Vlorës dhe u zgjodh sekretar politik i krahinës së Dukatit. Lufta e Drashovicës e vitit 1943 ishte një luftë frontale që bëhej midis partizanëve dhe ushtrisë naziste të pushtimit. Ishte një betejë e vërtetë, e organizuar më së miri dhe e miratuar nga Shtabi i Përgjithshëm, të cilën e drejtoi Shtabi i Zonës së Parë Operative.
Edhe pse ishin esesët trupa të zgjedhur për luftën partizane, në Drashovicë, ata panë “të zitë e ullirit” ku u vranë dhe mbetën dumbicë, sipas poetit dhe trimëria partizane “kokën nga supet u hoqën”.
Midis yjeve që ranë në Betejën e Drashovicës ishte dhe Fejzo Gjomema. Të gjithë sipas poetit ishin yje e “që s’shuhen kurrë. Ata kanë për të ndriçuar në altarin e lirisë siç ndriçojnë yjet “mbi Akrokeraune”.
Ai është Dëshmor i Atdheut me vendim nr. 97, datë 22.09.1972 të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Vlorës.
Kështu Labëria në Luftën Antifashiste i përjetoi këto ngjarje, i përjetoi dhe autori i poemës “Labëria magjike” dhe i solli si një kujtesë, si një kod historik ku dallohen dhe shquhen në histori njerëzit dhe kohët. Lufta vërtet i mori heronjtë, por ajo dhe populli ju dha nder dhe dinjitet, ndau të mirën nga e keqja dhe i vendosi përsëri në pjedestalin e historisë.
Poeti dr. Neki Dredha, këtë këngë të poemës besoj që e ka pasur më të vështirë për ta “kënduar”, por ja ka dalë, pasi heronjtë për të kanë qenë të rinj që në zemër kishin idealin e lirisë, ndaj dhe u sakrifikuan për të. Ishte Labëria që kishte këtë fuqi magjike, një realitet fisnik që dinte t’u këndonte trimave dhe trimreshave në kohë pushtimi dhe lufte.
Libri edhe këtyre episodeve të shkëputura, por të sjella me mjeshtëri dhe me magji nga dr. Neki Dredha, i japin veprës letrare një dinjitet dhe përjetësisht ngelën në histori.