Nga Xhevat Mustafa
Shkodra ka qenë ndër shekuj djep bijsh e bijash që kanë bërë histori e kanë mbetur në histori dhe në krijimtarinë folklorike, letrare, figurative, në botimet shkencore e historike…me emrat, veprat, sakrificat, ndihmesat… e tyre në mbrojtje të lirisë e të çdo pëllëmbe toke shqiptare. Lista e tyre është e moçme dhe e gjatë. Në këtë djep është përkundur në foshnjëri dhe më vonë, pasi e ka kaluar këtë moshë, është rritur e burrëruar edhe Halil Veli Bala, një njeri i spikatur në disa drejtime.
Ai u lind 105 vjet më parë, më 19 shkurt 1920, në një familje të vjetër qytetare shkodrane në lagjen “Rus i vogël” dhe që gëzonte respekt për shqiptari e qytetari, për ndershmëri e bujari në Shkodër e përtej saj… Babai i tij, Veliu punonte si mullali, predikues i fesë islame! Ndryshe nga disa të tjerë, ai bëri kujdes dhe ia arriti të shmangte fanatizmin radikal fetar, duke u përpjekur me zgjuarsi e takt për bashkëjetesë sa më paqësore me vëllezërit dhe motrat e fesë katolike. Prandaj mes tyre pati edhe jo pak shokë të mirë gjatë jetës së tij të shkurtër. Ai vdiq në moshë të re, duke i lënë gruan e ve dhe fëmijët e vegjël, në një periudhë kohore të vështirë, sidomos për nga papunësia e varfëria…
Ndërsa nëna e Halilit ishte bijë e familjes së njohur shkodrane Çaku…! Dy prindërit u përpoqën dhe ia arritën me sakrifica jo të pakta edhe për shkollimin e Halilit, për t’u bërë sa më i aftë për të punuar e jetuar me djersën e ballit e të duarve të tij. Pas përfundimit të shkollimit fillestar Halili u regjistrua në Kolegjin Franceskan, ku kishte një ekip mësuesish me nivel të spikatur profesional dhe të përkushtuar ndaj nxënësve të tyre. Këtu pati shok klase edhe At Zef Pllumin, i cili më vonë do të bëhej personalitet me njohje kombëtare e ndërkombëtare si klerik, poet e si studiues…Pas përfundimit të këtij Kolegji, dajat e tij, Jonuz dhe Ramo Çaku, të cilët ishin në gjendje të mirë ekonomike, e ndihmuan Halilin të vazhdonte studimet e larta në Akademinë Ushtarake të Casertas në Itali. Vitet e studimeve e të jetesës në këtë Akademi të njohur e ndihmuan për t’u bërë një ushtarak me nivel të kënaqshëm profesional, në standardin e përparuar të ushtrisë italiane. Pasi u diplomua me nota e rezultate të lavdërueshme u kthye në Shkodrën e tij. Nuk iu desh të priste gjatë, sepse u emërua si oficer policie në Vlorë dhe Elbasan. Edhe gjatë viteve të shërbimit në këto dy qytete Halili spikati edhe për përkushtim në detyra, edhe për përkujdesje për të mos kapërcyer caqet apo limitet si ushtarak e si njeri. Prandaj, kur u largua nga këto qytete, la prapa miq e shokë të mirë, respekt e kujtime pozitive edhe tek shumica e qytetarëve.
Me fillimin e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare e me krijimin e njësiteve të para partizane, qysh më 1942 Halili u bashkua me njërin prej tyre, si partizan. Ndërsa në tetor 1942 u pranua edhe si anëtar i Partisë Komuniste. Duke ia njohur arsimimin si oficer dhe korrektesën në detyra u transferua në Përmet. Kjo lëvizje e re pati të mirën e madhe se në Përmet u njoh me Marikën, vajzë nga një familje shumë e njohur përmetare, bijë e Mandi Mamanit, tregtar i mesëm. Pas martesës nuk hoqi dorë edhe nga pjesëmarrja në luftën partizane. Në luftime u plagos dy herë, fatmirësisht jo rëndë e pa rrjedhoja të përjetshme fizike.
Për meritat gjatë periudhës së luftës, nga Presidiumi i Kuvendit Popullor u nderua me tri medalje, “Medaljen e trimërisë”, “Medaljen e kujtimit” dhe “Medaljen e çlirimit”. Këto akte apo fakte nderimi janë ruajtur me përkujdesje e respekt nga familja, deri më sot. Me çlirimin e vendit, Halili punoi si oficer artilerie në Gjirokastër, Sazan dhe në Tiranë, në Ministrinë e Mbrojtjes. Në këto vite çiftit Bala i lindën tre fëmijë, dy djem dhe një vajzë.
Në vitin 1951 ai lirohet nga detyrat si ushtarak dhe caktohet me detyrën e shefit të seksionit të bujqësisë për rrethin e Shkodrës. Kur fëmijët ishin akoma të vegjël jeta e tij do të merrte një kthesë të papritur, të padëshirueshme e të pamerituar…Siç ishte e shpeshtë gjatë atyre viteve të para të pas çlirimit, atij iu harruan meritat si ish partizan e si komunist, edhe tri medaljet dhe iu kujtua vetëm “mëkati” apo “faji” se ishte diplomuar si oficer në Akademinë Ushtarake të Casertas dhe se “gjatë kryerjes së detyrave kishte pasur edhe disa dobësi në punë”!? Përveç këtyre, akuza iu shtua e rëndua me tendencë edhe pse “i kishte dhënë ndihmë disa njerëzve të klerit katolik”!?
Halil Balën e nderon si oficer e si njeri, me tolerancë qytetare e fetare, edhe një kujtim nga At Zef Pllumi në librin e tij, “Rrno vetëm për me tregue”. Aty nga faqja 95 ai shkruan për një episod që ka lidhje me Halil Balën, ish shokun e tij të klasës në Kolegjin Franceskan. Kur kishin ardhur për të kontrolluar në kishën ku ishte At Zef Pllumi, pa u futur fare në dhomën ku jetonte ky personalitet i shquar i katolicizmit shqiptar e botëror, Halili kishte shënuar dukshëm: “U kontrollua!!” Kështu At Zef Pllumbi shpëtoi nga një kontroll keqdashës apo me paramendimin për ta penalizuar.
Në fillim për Halilin u dha dënimi me vdekje- pushkatim. Pastaj ia ulën dhe e dënuan me 25 vite burg. Pas ankimimeve në hallkat e drejtësisë e të pushtetit në Shkodër e Tiranë, masa e dënimit iu ul ndjeshëm dhe mbeti në 10 vjet. Si njeri me karakter e kurajë të fortë dhe me humor, edhe kur ishte në qeli, ai dinte t’i përmbante e t’ua fshihte të tjerëve, edhe njerëzve të dashur të familjes, edhe atyre në burg dhimbjet e “plagëve” të shpirtit dhe zemrës së tij! Gjithësesi, këto 10 vjet burgu, për më tepër në kushte tmerrësisht të këqija për jetesë e ushqim, kishin vrarë ndjeshëm fizikisht e moralisht. I mbeti peng deri në frymën e fundit mosmirënjohja e treguar ndaj tij për shumëçka kishte bërë e sakrifikuar gjatë kryerjes së detyrave shtetërore e sidomos gjatë viteve të LANÇL.
I dhanë një vend të thjeshtë pune në Ndërmarrjen e Ndërtimit në Shkodër, shumë më poshtë nivelit të tij të arsimimit, të përvojës dhe meritave… Edhe në këtë ndërmarrje ai punoi siç e kishte në natyrë, me përkushtim e korrektesë. Prandaj la përshtypje të mira edhe tek drejtuesit, edhe tek bashkëpunëtorët e thjeshtë.
Nga sa u kuptua më vonë, vitet e burgut, ia kishin dëmtuar rëndë e pashërueshëm zemrën. Prandaj, pas një ataku kardiak të papritur, zemra e Halil Balës pushoi së rrahuri në dhjetor 1980, kur ishte pak muaj më shumë se 60 vjeç dhe pa arritur ta gëzonte pensionin!
Por, iku edhe me ngushëllimin dhe gëzimin se po linte pas tre fëmijë për së mbari, me familje e me plot nipër e mbesa! Edhe pas kaq shumë vitesh, të gjithë e kujtojnë me dashuri dhe krenari babain dhe gjyshin e tyre!