• Mungesa e pllakave në një kohë të caktuar të sundimit totalitar komunist nuk i tronditi këto kulla, të cilat vazhduan ta ruanin traditën mikpritëse po njësoj dhe as nuk i shtiu në zili për kullat e tjera që këto pllaka i kishin mbi qemerin e dyerve

MEVLUD BUCI

Historia me gjurmët e saj të qëndresës përbën një frymëzim për brezat-aty ku zë fill krenaria kombëtare.
Në çdo fshat e zonë ka baza të luftës çlirimtare, por shumica prej tyre janë rrënuar. Ka pasur dikur muze të zonave me fotrografi e relikte të dëshmorëve dhe të luftëtarëve, që sot nuk janë. Por edhe të popullsisë, burrave, grave që u bënë mikpritësa të luftëtarëve të lirisë dhe i ndihmuan ata me sa mundën për të luftuar armikun.
Shumë gjëra kanë ndodhur në këtë tranzicion të stërzgjatur, mjaft koncepte janë përmbysur e të reja janë sendërtuar, por gjithmonë nderimi për luftëtarët e lirisë (me ndonjë luhatje) ka qenë i palëkundur.
Katër Grykët e Dibrës dikur kishte 6500 banorë, ndërsa sot në këtë zonë kanë mbetur më pak se 1000.
Rrjedhimisht, edhe shumë kulla janë braktisur.cE me to, duket se u braktis edhe ndonjë pllakë që ishte vënë në to si “Shtëpi e bazës së Luftës Nacionalçlirimtare”.
E vërteta është se në këtë zonë, sipas kujtesës popullore, kishte mbi 20 shtëpi si baza të luftës, ndërsa pllaka u vendosën vetëm në dhjetë prej tyre. Kjo se vepronte kriteri i luftës së klasave për shkakun se ndonjë shtëpi bazë e luftës i “tradhtoi” idealet komuniste ose nuk e përkrahu mënyrën sesi regjimi komunist i devijoi idealet e lirisë. Megjithatë, kujtesa popullore nuk gabon.
Në disa kulla dhe shtëpi me emër, si: Bardhi, Kazihani, Kalia, Buci, Sherhu, Ndregjoni, Bruçi, megjithëse kishin qenë shtëpi me emër, mikpritëse dhe patriotike, dhe kishin vënë gjithçka në dispozicion të luftës , këto pllaka nuk u vunë për arsyen se ata kishin strehuar edhe nacionalistë dhe sipas kodit malësor “dera për mikun është e hapur”, ata kishin strehuar luftëtarë të lirisë, pavarësisht ngjyrave politike apo anësive të ndryshme të grupimeve komuniste që u evidentuan më vonë.
Mungesa e pllakave në një kohë të caktuar të sundimit totalitar komunist nuk i tronditi këto kulla, të cilat vazhduan ta ruanin traditën mikpritëse po njësoj dhe as nuk i shtiu në zili për kullat e tjera që këto pllaka i kishin mbi qemerin e dyerve.
Edhe ata kulla që kishin pllaka në atë kohë, si shtëpia e Cokës në Qafë Murrë, e Dervishëve në Lukan, e Ramës në Kacni etjc(gjithsej 10 të tilla) nuk u mburrën për këtë, por shfaqnin nderimin për shtëpitë e tjera me emër që dhanë kontribut në luftë, megjithëse padrejtësia e kohës vazhdonte të heshtte “duke fshirë këtë kontribut” me një lojë djallëzore.
Kjo i përket një kohe të shkuar dhe sot jemi përpara një realiteti të ri.. Realiteti i mosvëmendjes sa duhet nga instancat përkatëse ndaj një periudhe të caktuar historike siç ishte Lufta Nacionalçlirimtare, realiteti i braktisjes për shkak të migrimit dhe emigrimit, që sjell nevojën sot, pas pothuajse tre dekadash për një rikthim të vëmendshëm në histori jo thjesht përmes kujtesës, por edhe dokumentacionit për të ndrequr gabimet e së shkuarës dhe për t`i dhënë vlerën çdo kulle.
Kulla të tilla baza të luftës, si ajo e Metës, Muçës, Canit, Laskut në Selishtë, Nelhanit e Ramës në Kacni, Cokës e Manrekës në Qafë Murrë etj etj, qëndrojnë së bashku në histori si vlera të simbolit të kujtesës atdhetare e çlirimtare. Këtë gjë e dëshmon edhe epika popullore me vargjet:
Kjo Selishta gur –kala,
Luftë po bakan burra e gra,
Qaj Manuka me openga
Kalasë së kuqe i hini mrena…
Realiteti i sotëm që po duket e me shenjat qe ka dhe po kuptohet si rikthim i vëmendjes drejt malësisë-krahas investimeve të tjera si, rrugë, ujësjellësa dhe bujtina, kërkon edhe zgjerimin e kësaj vëmendje dhe fokusimin në evidentimin e vlerave historike jo vetëm si vlerë e trashëgimisë fisnore luftarake-liridashëse, por edhe si atraksion turistik.