Lufta e klasave goditi pa mëshirë familjen patriotike të Xhelil Zemzades ku qëndroi për një vit
misioni ushtarak angleze gjatë Luftës së Dytë Botërore

Nga Musa RIÇKU

• Nënkolonel Devis Strong: Mbretëria e Bashkuar është e nderuar të njoh faktin që shtëpia e Xhelil Zemzades në Limjan shërbeu si bazë për forcat Aleate Britanike dhe Anglo-Amerikane që vepronin në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, veçanërisht midis gushtit 1943 dhe majit 1944. Në një periudhë pushtimi dhe kur rreziku personal ishte gjithmonë i pranishëm, mbështetja e afruar nga familja juaj përfaqësonte një akt të jashtzakonshëm trimërie dhe solidariteti në mbështetje të çështjes aleate…

U deshën mbi tetëdhjetëetre vite që më së fundi e vërteta të trimfonte, pluhuri i harresës të fshihej dhe haka të shkonte tek i Zoti.
Më datën 19 maj 2026, në Prefekturën e Qarkut Dibër u mbajt një ceremoni e veçantë, krejt ndryshe nga ato që ishim mësuar të mbaheshin më parë një një institucion të qeverisjes vendore. Një ceremoni jo thjeshtë vetjake, por e një rëndësie të veçantë nga ku do të ndriçohej një ngjarje historike, e errësuar qëllimisht nga sistemi i diktaturës.
Të pranishëm ishin: Atasheu Ushtarak pranë Ambasadës së Britanisë së Madhe në Tiranë, nënkolonel Devis Strong, Prefekti i Qarkur Dibër Z.Nexhbedin Shehu, Kryetari i Bashkisë Dibër Rahim Spahiu, fëmijë, nipër e mbesa të Xhelil Zemzades nga Limjani, gazetar e media të ndryshme.

HISTORIA

Historia për të cilën kishte ardhur në Dibër nënkolonel Devis Strong fillonte 83 vite më parë, në gusht të vitit 1943. Një ngjarje kjo që iu fsheh brezit të ri, ndonëse vlerësonte gjithë Dibrën edhe në sytë e të huajve. Në Shqipëri misionet ushtarake angleze ishin të pranishëm pranë shtabeve të luftës. Qëllimi tyre ishte të luftonin pa kompromis fashizmin dhe nazizmin si dhe të ndihmonin në pajtimin e forcave politike dhe të bashkoheshin të gjithë në këtë luftë të madhe e të përgjakshme.
Një mision ushtarak anglez erdhi edhe në Dibër. Në këtë mision bënin pjesë, kryetar Riçard Ridell me gradën major, Viktor Smith, Anton Simoks, Rigenald Hibert. Të gjithë këto ishin me gradën “major” kurse dy të tjerë, njëri amerikan e tjetri polak me gradën “toger”. Kryetari i këtij misioni anglez së bashku me dy togerët u strehuan në Limjan, tek shtëpia e Xhelil Zemzades, nga gushti i vitit 1943 e deri në maj të vitit 1944, afro një vit.

SHTËPIA E XHELIL ZEMZADES, BAZË E RËNDËSISHME
PËR MISIONIN USHTARAK ANGLEZ
Shtëpia e Xhelil Zemzades u bë një bazë e rëndësishme për misonin ushtarak anglez, pasi këtu gjetën jo vetëm një mbështetje pa interes, siguri të plotë, bujari e mikpritje të vërtetë dibrane, por kryesore është se gjetën dhe një përkthyes të aftë që u duhej në takimet e shpeshta. Ky ishte Shefki Zemzade, kushëri i Xhelilit. Xhelil Zemzade, ose Xhili siç i thërrisnin shkurt të gjithë, lindi në fshatin Limjan, në vitin 1902, në një familje patriote e atdhetare. Kishte kryer arsimin bazë siç ishte atëherë mejtepi. Në gusht-shtator të vitit 1920 mori pjesë me armë në dorë në luftën e përgjakshme kundër hordhive serbe, ku ishte pozicionuar së bashku me Ramadan e Sefer Zemzaden në vendin e quajtur “Rrafshja e Kabe”.
Në vitin 1928 Xhili së bashku me Shefki Zemzaden, Sejdi Riçkun, Ibish Riçkun, Zyber Kerën, Baftjar Shehun e të tjerë, nën drejtimin e Murat Kaloshit shkojnë me mission për mbajtjen e rendit e qetësisë në Shalë e Shoshë, ku qëndruan afro një muaj. Aktiviteti patriotik e atdhetar i Xhelil Zemzades, por dhe si shtëpi bujare e mikpritëse njihej kudo, ndaj zgjedhja e misionit anglez shtëpinë e tij, nuk ishte rastësore.

RIÇARD RIDELL U NIS PËR NË KONFERENCËN E MUKJES NGA SHTËPIA E XHELIL ZEMZADES
Për të marrë pjesë në Konferencën e Mukjes, 3-6 gusht të vitit 1943, Riçard Ridell u nis pikërisht nga shtëpia e Xhelil Zemzades. Sëbashku me të ishte edhe Shefki Zemzade si përkthyes i tij e vetë Xhelil Zemzade.
Në maj të vitit 1944 misioni anglez largohet nga shtëpia e Xhelil Zemzades me përshtypjet më të mira, por nga ajo ditë e sot humbën me të të gjitha kontaktet. Kjo periudhë kohe do të kishte mbetur në hije, do të kishte mbetur në kufijtë e legjendës dhe gojëdhënës, po të mos interesohej herë pas here Adem Zemzade, djali i Xhilit.
Pas çlirimit të vendit shtëpia e Xhelil Zemzades nuk u vlerësua si bazë kryesore e Luftës së lavdishme Nacionalçlirimtare por përkundrazi u godit ashpër nga sistemi sa që lufta e klasave goditi pa mëshirë këtë familje të madhe, patriotike, atdhetare. Xhelil Zemzade priste të vlerësohej për gjestin human, bujar e patriotik por në fakt mori zhgënjimin. Arrestohet në prill të vitit 1946 dhe dënohet me 30 vite burgim. Në shtator të vitit 1946 arrestohet edhe Shefki Zemzade e dënohet me dhjetë vite burgim. Nuk qëndroj me kaq por familja e madhe Zemzade u përsekutua për dyzet vite me radhë.
U desh të kalonin vite me radhë dhe e vërteta të tregohej, jo skutave por në një institucion shtetëror siç është Prefektura e Qarkut Dibër. Pas kërkimeve të shumta, letrave e dokumentave që dispononte vetë Adem Zemzade, i biri i Xhelilit, më së fundi autoritete të Mbretërisë së e Bashkuar u bindën se gjatë Luftës së Dytë Botërore, pikërisht në periudhën gusht 1943 – maj 1944, misioni anglez ka qëndruar në shtëpinë e Xhelil Zemzades në Limjan të Dibrës.