Mbeti përherë, njeriu nga më të dashurit i Heroit të Popullit, Rrahman Parllaku

• Ishte aq i dashuruar me profesionin e oficerit, sa me të drejtë shokët dhe miqtë e tij të shumtë, artistë, shkrimtarë dhe intelektualë të të gjitha profileve, e quanin ushtarak i lindur. I guximshëm dhe mendje hapur, ai me artikujt e botuar, ishte njëri nga mbështetësit pa rezerva të demokracisë në Shqipëri dhe reformës në ushtri, tani të orientuar nga Aleanca Atllantike

Me datën 17 mars, në moshën 86 vjeçare, në Prato të Italisë, pushoi së rrahuri zemra e kolonelit në rezervë Novruz Zejnati.
I lindur në Delvinë, ai mbeti shpejt jetim dhe e kaloi fëmijërinë te të afërmit e tij në Lazarat dhe në Shtëpinë e Fëmijëve në Gjirokastër. Më pas vazhdoi shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej” të cilën e kujtonte me nostalgji në çdo bisedë, dhe atë të Oficerëve në Tiranë, dhe fillimisht shërbeu në repartet e K/A të Ishullit të Sazanit, ku u dallua për aftësi profesionale dhe përkushtim në detyrë. Duke parë cilësitë e tij si kuadër dhe vlerat të larta njerëzore, si mençurinë, ndershmërinë dhe besnikërinë, për një kohë, gjeneral Rrahman Parllaku e mori pranë vetes në Komandën e FUD – it, ku ishte Komisar, me komandant gjeneral Vaskë Gjinon.
Duke qenë i emëruar në repartet e Zbulimit, në përbërje të një grupi oficerësh, caktohet për të shkuar për eksperiencë në Vjetnam, ku aso kohe zhvilloheshin luftime intensive, përvojë të cilën më vonë e solli në librat që botoi. Kreu studimet në Akademinë Ushtarake në Fakultetin Gjitharmësh dhe pasi shërbeu me trupa, caktohet si oficer Drejtimi në Drejtorinë Operative të Ministrisë së Mbrojtjes.
Këtu, ai njihet nga afër dhe fiton respektin jo vetëm të drejtuesve kryesorë të kësaj ministrie, por edhe të kuadrove të reparteve e njësive të ndryshme ushtarake.
I palodhur dhe përherë energjik dhe me shpirt krijues, Novruz Zejnati në moshën 32 vjeçare, caktohet komandant i Brigadës së Parë në Tiranë, çka nuk ishte aspak e lehtë, po të kemi parasysh rëndësinë e detyrës luftarake, efektivin aktiv dhe shtrirjen e madhe të saj, si dhe përballimin e kontrolleve të vazhdueshme të disiplinës, stërvitjes, gatishmërisë luftarake dhe zhvillimit të një morie mësimesh treguese dhe eksperimentuese. Por, pikërisht këtu u manifestua i gjithë talenti i tij i spikatur dhe takti për të krijuar lidhje të qëndrueshme me pushtetin vendor, si dhe institucionet prej nga kompletohej kjo Brigadë.
Kur në ushtri ndodhi goditja e të ashtuquajturit grup puçist, pa asnjë arsye, Novruzin e transferojnë po me këtë detyrë në Brigadën e Manzës, ku mori edhe familjen e tij, gruan Nexhmije dhe djemtë, Qamilin dhe Arturin. Ishte koha, kur ngarkesës iu shtuan edhe punimet fortifikuese – mbrojtëse të cilat së bashku me kuadrot e detashmentit i kryen me sukses të plotë.
Detyra e fundit e tij ishte ajo e Komandantit të Forcave Vullnetare të Durrësit, prej nga doli në pension me gradën e Kolonelit.
Novruz Zejnati ishte një studiues i pasionuar, një historian dhe shkrimtar që botoi shumë libra artistikë dhe monografikë, si ai kushtuar jetës dhe veprës së Ahmet Zogut apo Esat Pashë Toptanit. Me një kulturë të madhe, ai asnjëherë nuk reshti së shkruari rreth artit të luftimit, ku i ishte akorduar titulli doktor i shkencave në mbrojtjen e temës: “Veprimet luftarake për kalimin e pengesave ujore”. Ishte aq i dashuruar me profesionin e oficerit, sa me të drejtë shokët dhe miqtë e tij të shumtë, artistë, shkrimtarë dhe intelektualë të të gjitha profileve, e quanin ushtarak i lindur.
I guximshëm dhe mendje hapur, ai me artikujt e botuar, ishte njëri nga mbështetësit pa rezerva të demokracisë në Shqipëri dhe reformës në ushtri, tani të orientuar nga Aleanca Atllantike. Ishte kjo arsyeja që ai mbeti përherë, njeriu nga më të dashurit i Heroit të Popullit, Rrahman Parllaku, i cili deri në fund të jetës ishte mik i afërt i familjes së tij.
Por janë virtytet e tij të rralla, kultura, thjeshtësia, zemërbardhësia dhe gatishmëria për të ndihmuar të tjerët, ato që e bënë atë një figurë të nderuar, jo vetëm në ushtri, por deri te qytetarët e zakonshëm, pra te kushdo që e njohu nga afër. Ikja e Novruz Zejnatit na pikëlloi të gjithëve dhe mungesa e tij do të ndihet gjatë mes nesh.
I paharruar kujtimi i jetës dhe veprës së tij!
Mikado Shakohoxha, Tatjana Parllaku Çarkaxhiu, Halil Rama, Dhanil Raveli, Rifat Marsela, Vexhi Gjoni, Bujar Qesja, Cane Mehmetaj, Habil Zerani, Çelo Bora, Lefko Petrovski, Shpendi Topollaj