Nexhbedin Basha

Kolegu ynë i nderuar i shtypit ushtarak, Prof. Dr. Kolonel Elmaz Leci, është ndarë nga jeta disa ditë më parë.
Me largimin e tij, komuniteti i gazetarisë ushtarake dhe i publicistikës shqiptare humbet një zë të vyer, një studiues dhe intelektual që i kushtoi jetën fjalës së shkruar, analizës dhe dokumentimit të zhvillimeve të rëndësishme në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Kolonel Elmaz Leci do të kujtohet si një personalitet me formim të thellë akademik, me përvojë të gjatë në shtypin ushtarak dhe me një përkushtim të veçantë ndaj profesionalizmit, korrektësisë dhe etikës së komunikimit publik. Kontributi i tij mbetet pjesë e rëndësishme e historisë së këtij zhanri të gazetarisë në vendin tonë.
Ai ka drejtuar për disa vite shtypin ushtarak të Ministrisë së Mbrojtjes. Po ashtu ka mbajtur funksione të rëndësishme në këtë dikaster.
Është autor i disa librave dhe ka spikatur me dosier-ët për historikun e gjeneralëve shqiptarë, botuar në disa numra të të përditshmes më të madha shqipotare “ Panorama”.
Prof.dr. Elmaz Leci ka qenë për disa vite Rektor i Universitetit të Durrësit.
Në këtë dhimbje të madhe, një boshllëk i pazëvendësueshëm mbetet për familjen e tij. Fëmijët e tij, Arta dhe Elgin, humbën babain e tyre të dashur, një njeri që për ta ishte jo vetëm prind, por edhe mbështetje, udhërrëfyes dhe shembull jete.
Humbja e tij është një plagë e rëndë për ta dhe për të gjithë të afërmit që e deshën dhe e respektuan.
Në këto momente dhimbjeje, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve, kolegëve dhe të gjithë atyre që e kanë njohur dhe kanë punuar me të.
Qoftë i paharruar kujtimi i tij.