Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë miraton vendimet e Kuvendit të X-të të OBVLP

Nga Muharrem GJOKA
Nënkryetar i OBVLP-Mjeshtër i Madh

Në më se tri dekada aktivitet intensiv, OBVL u dëshmua para shqiptarëve si Organizata që vlerëson lart kontributin e shquar të popullit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore, që dënon krimet e komunizmit, që mbështeti fort Luftën e drejtë të UÇK dhe në tërësi çështjen mbarëkombëtare shqiptare.
E krijuar para 32 vitesh me nismën e një grupi prej 64 personalitetesh, gjeneralësh dhe luftëtarësh, figura politike të respektuara, por fatkeqësisht të dënuar nga regjimi komunist, Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës së Popullit Shqiptar (OBVL) do të bëhej promotore e mbrojtjes së vlerave tona kombëtare. Në këtë grup bënin pjesë figura politike të respektuara që kishin qenë drejtues të reparteve partizane, mnistra e zv/ministra, siç ishin: Dr. Ymer Dishnica, gjeneral Rrahman Parllaku, gjeneral Nexhip Vinçani; Sadik Bekteshi (gjeneral lejtnant – Hero i Popullit), gjeneral Muhamet Prodani, Skënder Malindi, Edip Ohri, Kiço Ngjela, Manol Konomi, Fadil Paçrami, Maqo Çomo, dhe Ernest Jakova; luftëtaret e shquara, drejtuese në luftë e aktiviste të OBVL: Selfixhe Broja(Ciu), Zenepe Golemi (Ashiku), Golemi (Ashiku), Liri Belishova, Vera Ngjela (Pojani) e disa të tjera, por fatkeqësisht të dënuara nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës. Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës së Popullit Shqiptar (OBVL) është një organizatë shoqërore atdhetare. Ajo u formua që të vlerësojë realisht historinë e luftës së lavdishme Nacional Çlirimtare, që të shmangë shtrembërimet e periudhës së regjimit totalitar, mohimet dhe politizimet e bëra si rezultat i regjimit diktatorial të E.Hoxhës, por edhe me qëllim të caktuar nga individë që kërkonin lavdi dhe pushtet të pamerituar. Në kurthin e tyre ranë me dëshirë dhe me servilizëm historianë të ndryshëm që e shtrembëruan historinë e LANÇ.
OBVLP, veteranët dhe pasardhësit e tyre, anëtarë të kësaj organizate ndjehen më krenarë se kurrë me historinë e saj të suksesshme 32 vjeçare dhe angazhohen për të ecur në shembullin e themeluesve, që organizata jonë të vazhdojë të funksionojë si mbrojtëse e flaktë e vlerave të lirisë.
Mbrojtja, propagandimi, ruajtja, mbajtja gjallë e vlerave të historisë sonë kombëtare, e veçanërisht atyre të LANÇ-it, dhe transmetimi i tyre te brezat pasardhës është dhe mbetet qëllimi themelor i OBVLsë.
Anëtarët e OBVLP, veteran dhe pasardhës ne ndjehen më krenarë se kurrë për faktin që Shqipëria gjatë Luftës së Dytë Botërore u vendos në anën e antifashistëve, fitimtarëve, dhe frontit të madh të lirisë, meritë kjo e partizanëve shqiptarë, këtyre kalorësve të çlirimit dhe të lirisë. Organizata e Bashkuar e Veteranëve të Luftës (OBVL) në 32 vjet veprimtari ka përmbushur misionin e saj historik, të ruajtjes, mbrojtjes e zhvillimit të vlerave të Luftës, nga më të lavdishmet për liri e pavarësi të shqiptarëve në trojet e tyre etnike në Ballkan, të luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare kundër pushtuesve fashistë italianë e nazistëve gjermanë. OBVLP u themelua me përmbysjen e sistemit diktatorial enverian në përputhje me frymën e përpjekjeve për bashkim të shqiptarëve, shprehur në Konferencën e Pezës dhe Marrëveshjen e Mukjes, me program e statut gjithëpërfshirës. Ajo dha një kontribut të çmuar gjatë këtyre tri dekadave të periudhës së tranzicionit të brishtë, ende të papërfunduar në RSH. OBVLP përfshiu në radhët e saj ushtarakë e veteranë të OUPLSH, të organizatave demokratike të veteranëve, shtresa veteranësh jashtë tyre dhe kreu veprimtari në lëvrimin e vlerave, të traditës e të legjislacionit, në dobi të veteranëve, të invalidëve e familjeve të dëshmorëve si dhe në hartimin e legjislacionit për këto shtresa. OBVLP, në veprimtarinë e saj u distancua nga sistemi totalitar i partisë-shtet. Ajo shtriu bashkëpunimin e saj me të gjitha shtresat, pa paragjykuar bindjet e tyre; me ata që përkrahën luftën, e mbështetën atë dhe e ndihmuan, e që sot ende nuk përfaqësohen me organizata të veçanta.OBVLP ka njohur shtetin ligjor; ka bashkëpunuar me institucionet e pavarura të tij dhe ka ndërmarrë nisma në dobi të veteranëve, invalidëve e familjeve të dëshmorëve. Në veprimtarinë e saj OBVLP nderoi kontributin e të përndjekurve politikë, sidomos të atyre të LANÇ e të ushtarakëve të spikatur që udhëhoqën luftën, por që padrejtësisht u pushkatuan, u burgosën, u dëbuan e internuan.
Gazeta “Veterani”, organ i OBVL pasqyroi dhe pasqyron vazhdimisht veprimtarinë e kësaj organizate dhe ka ndihmuar në realizimin e objektivave dhe detyrave të saj.
Përveç 451 numrave të gazetës “Veterani” në këto 32 vjet, të shumta kanë qenë botimet e librave të veteranëve, të cilat jemi përpjekur ti promovojmë si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.
OBVL, në bashkëpunim me Organizatën e Veteranëve të LANÇ të Kosovës, ka përgatitur dhe promovuar bujshëm edhe dy dokumentarët: “Rrahman Parllaku – Një legjendë në kufirin e tri kohëve” dhe “Fadil Hoxha – Arkitekti ï Kosovës së lirë”, dokumentarë këto që janë shfaqur si për publikun në sallën e Akademisë së Shkencave Tiranë dhe nga Radio Televizioni Publik Shqiptar (RTSH).
Pas legjitimimit nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, struktura drejtuese e zgjedhur nga Kuvendi i X-të kombëtar vjen e konsoliduar, e bashkuar dhe me energji e vendosmëri për të lëvruar më tej, pasuruar më shumë historinë reale të LANÇ dhe për të dhënë kontributin e saj real për konsolidimin e demokracisë e të shtetit ligjor, për një Shqipëri anëatre e denjë e NATO-s që ecën vendosmërisht drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.