Me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, më 17 mars 1944, në Vlush të Skraparit u formua Brigada e VII Sulmuese (Br.VII S). Në rreshtat e brigadës u rreshtuan partizanë me eksperiencë në luftë të batalioneve të qarkut të Beratit, të Grupit të Skraparit, të batalionit të rinisë “Margarita Tutulani” etj. Erdhën gjithashtu dhe mjaft partizanë nga qarku i Gjirokastrës dhe nga qarku i Korçës. Në komandë të brigadës u emëruan: komandant Gjin Marku dhe pas Musa Daci; komisar Kadri Hoxha dhe më vonë oficer karriere, Qazim Kapisyzi. Kuadro dhe luftëtarë ishin dhe Adil Çarçani, zëvendës-komisar, Ramiz Alia përgjegjës i rinisë i brigadës, etj. Situata në të cilën u krijua Br. VII S ishte shumë më e favorshme nga ato në të cilat u krijuan Br. V-VI S.
81 vjetori i krijimit të Brigadës së VII-të na kujton disa nga kuadrot që përmendëm më lart, të cilët përbëjnë bërthamën e kuadrove politikë si Adil Çarçani, Myqerem Fuga, Niazi Demi, Tajar Grepcka, Ramiz Alia, Nexhmedin Ballka etj. Më vonë dolën kuadro drejtuese të kompanive të kësaj Brigade, komunistë që ashtu si e nënvizon Myqerem Fuga, u bënë promotori i celulave të kompanive dhe dhanë një kontribut të madh në forcën goditëse të Brigadës, si Foto Çami, Koli Myzeqari, (dëshmor), Skënder Libohova (dëshmor), Guçe Stropani etj.
Me të marrë urdhërin, Gjin Marku iu vu punës organizuese të kësaj Brigade. Ceremonia u zhvillua më 17 mars 1944 në fshatin Vlushë të Skraparit, në atë fshat, ku dy muaj më parë nazistët gjermanë vranë 114 skraparllinj, duke përfshirë edhe ata të fshatrave Krushovë, Kapinovë e Turbehovë. I njëqindepesëmbëdhjeti, Veseli, rrojti, jetoi, për t’u treguar ditëve të pasçlirimit tmerret e luftës dhe vuajtjet e atij populli liridashës.
Në faqet e historisë së Brigadës së VII-të Sulmuese radhiten shumë partizanë e kuadro që ranë në ballë të luftës. Po përmendim disa nga kuadrot drejtuese politikë: Koli Myzeqarin, Skënder Libohova, komandant batalioni, Haxhi Dokon, Fahri Zaimin, Mehdi Vilën, Loni Odriçanin, Thimi Tanin, Naim Gurin, komisar kompanie.
Brigada luftonte dhe rritej në numër. Gjatë rrugës luftarake u shtua dhe me dy batalione të tjerë.
Në të vërtetë edhe pse brigada la në fushën e betejës 302 dëshmorë, arriti numrin në 2229 partizanë. Ata 142 partizanë që u plagosën, u mjekuan nëpër spitalet partizane dhe u kthyen sërish në luftë, të cilën e vazhduan deri në Vishegrad. Veprimtaria e Brigadës së 7-të Sulmuese nuk mund të përmblidhet në një shkrim përkujtimor, por u përpoqëm të japim detaje nga ato luftime e beteja që nuk kanë të numëruar, por deri tani janë publikuar 120 beteja dhe 3200 kilometra marshime.
Zhvilloi më se 120 beteja e luftime. beteja të përgjakshme si ajo e Qafës së Shkozës në Skrapar në 3 e 4 qershor 1944, për mbrojtjen e punimeve të Kongresit të Përmetit, ku ranë për të mbetur të gjallë komandanti i batalionit të tretë Gani Nivica, partizanët trima Ferit Bregu, Mestan Hamzollari, Izet Dizdari, Adem Emiri, Aliko Gllava, Eqerem Bakalli etj. Veprimet luftarake i vazhdoi në Nahijen e Beratit, në Myzeqe, na Jagodima, Marinëz, Bubullimë e Çiflig të Lushnjes, në Rroskovec, në Patos, në Imshtë, Sqepur etj.
Në shtator 1944 forcat e brigadës zhvilluan luftime të përgjakshme në Berat ku arritën që më 13 shtator të çlirojnë qytetin e Beratit. Në këtë kohë brigade, me urdhër të Shabit të Përgjithshëm, kaloi lumin Shkumbin drejt Veriut të vendit. Luftime të përgjakshme u zhvilluan në Gëziq, Shpal dhe Rrëshen.
Gjatë gjysmës së dytë të muajit nëntor luftimet vazhduan në Lezhë, Shkodër, Zadrimë,Vaun e Dejës, Bushat dhe së fundmi në çlirimin e Shkodrës më 29 Nëntor 1944.
Mbas çlirimit të Shkodrës brigada e 7-të Sulmuese u inkuadrua në Divizionin e 6-të dhe me urdhër të komandantit të Përgjithshëm, Enver Hoxha, kaloi në luftime përtej kufijve shtetërorë, në Kosovë e qytete të tjetra në ish Jugosllavi, duke zhvilluar beteja të përgjakshme në Mal të Zi, Vishegrad, Bosnje, Novi Pazar e kaloi në Suharekë, përkrah vëllezërve tanë kosovarë. Nga radhët e brigadës së 7-të S ranë në fushën e betejës 302 dëshmorë dhe u plagosën 150 partizanë e partizane.
Për këtë histori të lavdishme në kemi folur e do të flasim me zë të lartë për t’iu kundërvënë atij sulmi që kanë ndërmarrë pinjollët e bashkëpunëtorëve të pushtuesit, pseudohistorianët e gjithë llumi që duan ta mohojnë epokën më të lavdishme të historisë sonë, e shkruar me gjakun e mbi 28 mijë heronjve e dëshmorëve dhe sakrificat e 70 mijë luftëtarëve e luftëtarëve.