Duke ndjekur Ditën e Inaugurimit të Rrugës “Isa Boletini” në Staten Island, New York – 30 Nentor, 2025

alil Rama – Mjeshtër i Madh

I.
Në pamundësi për të marrë pjesë fizikisht në inaugurimin e Rrugës “Isa Boletini” në Staten Island, së bashku me familjen time, mundëm ta ndiqnim nëpërmjet televizorit në banesën tonë në Tiranë. U gëzova shumë, vura re se kishin marrë pjesë personalitete të shumta amerikane, shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Shkupi.
Organizatori kryesor i asaj ceremonie ishte Naser Nika, banues në Staten Island, i cili në bashkëpunim edhe me shoqata të tjera dhe përfaqësuesë të politikës amerikane, arritën këtë ditë suksesi, ku emri i Heroit Isa Boletini të zerë vend përkrah firmëtarit të Pavarësisë së Shqipërisë Ismail Qemali në një nga rrugët në New York.
Ishte kënaqësi për mua që në atë tubim të rëndësishëm të shikoja që e pranishme ishte edhe njëra nga vajzat e mikut tim Enver Dajçi, si një ndër pasardhëset e familjes Boletini, gazetarja dhe veprimtarja e njohur e komunitetit shqiptar në SHBA, Zj. Mimoza Dajçi, e cila me penën e saj është e vetmja femër shqiptare që ka shkruajtur gjatë, gjerë e vazhdimisht për jetën dhe sakrificat sublime të Isa Boletinit e familjes Boletini për çështjen kombëtare.
Edhe pse moti ishte i keq me shi, pata mundësi të flas direkt me Mimozën në telefon, e cila i ndihej falenderuese Naser Nikës, Këshilltarit të Bashkisë në Neë York, David Carr, si dhe të gjithë shoqatave që morën iniciativën për realizimin e vendosjes së emrit të heroit tonë kombëtar Isa Boletini përkrah plakut të urtë e udhëheqësit të Pavarësisë së Shqipërisë Ismail Qemali. Bisedova pak me Mimozën e cila ndodhej atje së bashku me vajzën e saj, violinisten e talentuar Merlinin. U ndjeva krenar për to, që po ecin në rrugën e patriotizmit dhe humanizmit, njëjtë si paraardhësit e familjes së tyre.

KRIMET NDAJ SHQIPTARËVE
Mimoza më citoi edhe një shprehje të nënshkruesit të Pavarësisë së Shqipërisë Ismail Qemali, me rastin e mbërritjes së Isa Boletinit në Vlorë: “I madhi Isa, luftërat tuaja ishin bazë e përpjekjeve të mia për Pavarësinë e Shqipërisë”.
“Unë jam këtu sot – tha Zj. Dajçi – për t’i dëshmuar shkjaut, serbit se gjaku i Boletinëve është gjallë dhe nuk i harron kurrë krimet që historikisht kanë kryer ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare në Kosovë. Krime që vazhduan edhe më pas, ku mes të vrarëve dhe të masakruarve mbetën gra, fëmijë e pleq, u vranë djemtë më të mirë të kombit, shqiptaro – amerikanë, vëllezërit Bytyci që edhe ata sot i kujtojmë me respekt. Nga makineria serbe në Kosovë u malltrajtuan dhe u përdhunuan mbi 20 mijë gra e vajza shqiptare.
Gjithashtu – tha ajo – Falenderoj mbesat dhe nipin e Isa Boletinit Ariana Hoxhën, Arieta dhe Armend Muratin si pasardhës të denjë të Heroit Isa Boletini, të cilët vazhdojnë të ngrenë lart figurën emblematike të Gjeneralit me qeleshe të bardhë Isa Boletini në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare”.
Isa Boletini lindi më 15 janar 1864 në Mitrovicë, ai u bë një nga prijësit kryesorë të shqiptarëve të Kosovës në luftrat e tyre kundër pushtuesve osmanë, serbo-malazezë dhe grekë. Një nga ngjarjet më të njohura të jetës së tij, është pjesëmarrja në ngritjen e Flamurit në Vlorë në nëntorin e 1912-ës, ku Ismail Qemali shpalli Pavarsinë e Shqipërisë. Isa Boletini u vra nga forcat serbo-malazeze të Gjeneralit Vukoviq, teksa ishte duke kaluar në urën e Ribnicës në qytetin e Podgoricës. Bashkë me Isa Boletinin, atë ditë u vranë dhe shtatë pjestarë nga familja e tij.

KTHIMI I ESHTRAVE
Pas vrasjes së Heroit Isa Boletini, djemve, nipave dhe luftëtarëve të tij në Podgoricë më 23 Janar 1916, eshtrat e tyre qëndruan më tepër se 80-të vite në varrezat e Malit të Zi. Që nga viti 1978, autoritet Kosovare filluan përpjekjet e para për tërheqjen eshtrave të Isa Boletinit dhe luftëtarëve të tjerë në Podgoricë dhe për t’i rivarrosur ato në vendin e lindjes në Kosovë, ku një nga këmbëngulësit e mëdhenj që eshtrat e Isa Boletinit të mbërrinin nga Mali i Zi në Kosovë, ka qenë edhe Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova.
Meritë e veçantë për këtë i takon edhe ish Kryetarit të Bashkësisë Islame në Mal të Zi, Idriz Demiraj, i cili njoftoi familjarët në Mitrovicë për marrjen e eshtrave të Isa Boletinit.
Si dhe nipit të Isa Boletinit, Remzi Muratit, djalit të Shehides, vazjës së Isa Boletinit, që në maj të vitit 1998 mes reziqeve të mëdha si amanet i nënës së tij Shehides, arriti të sjellë eshtrat e Isës dhe luftëtarëve të tjerë në Kosovë.
Si rezultat i politikës të ndjekur nga Beogradi dhe Tirana komuniste, që pas vrasjes së Isës nga familja Boletini u vranë apo ekzekutuan 15 vetë, dhjetë të tjerë kaluan vite të tëra në burgje dhe internime politike duke vuajtur dënimet nëpër burgjet e tmerrshme të Serbisë dhe Shqipërisë, ku mes tyre mund të veçoj edhe babanë e Mimoza Dajçit, që e kam njohur personalisht dhe ruaj konsideratën dhe respektin më të vençantë për të, si patriot, intelektual, zotërues i shtatë gjuhëve të huaja, ish i burgosur politik në Shqipëri dhe xhaxhain e saj pushkatuar pa gjyq nga forcat sllavo komuniste në Prizren në vitin 1944.
Represioni dhe hakmarrja e sllavo-komunistëve ndaj familjes së njohur të Isa Boletinit filloi që në nëntorin e vitit 1943, kur komunistët në Shkodër vranë nënkolonel Adem Boletinin, djalin e tretë të Isës, i cili kishte mbaruar Akademinë Ushtarake në Vjenë.